Nga Qemal SAKAJEVA
Si fillim, dy lajme ditë pas dite.
Lami i parë: Më 3 gusht 2019, ndonjë gazetë në Shqipëri, duke iu referuar gazetës Vijesti të Malit të Zi, bëri me dije një ngjarje të bujshme për turizmin e shtetit të vogël fqinj e malor. Bill Gates, miliarderi amerikan dhe themelues i Microsoft, sipas Forbes njeriu i dytë më i pasur i botës me pasuri prej 95.4 miliardë dollarë, pas miliarderit themelues i CEO të Amazonit, Jeff Bezos, pra Bill Gates bashkë me familjen, për këtë verë zgjodhën për pushime brigjet adriatike të Malit të Zi. Me jahtin me vlerë 1.4 milon dollarë, ai zbriti në Porto Montenegro dhe zuri vend në hotelin Regent të qytetit të Tivatit, i shtrirë në gjirin e Kotorit, që mbrohet nga UNESCO.
Kjo zgjedhje e Bill Gates me familjen dhe lajmet për mbërritjen dhe mënyrën se si ai i kalon pushimet në republikën e vogël adriatike, është reklama më i e madhe që mund t’i bëhej turizmit të Malit të Zi për këtë verë.
Lajmi i dytë: Më 4 gushtë 2019, në pikën kufitare të Hanit të Hotit të Shqipërisë, mes atyre që vinin për pushime ishin dhe një numër turistësh francezë. Ata nuk gjetën vetëm trafik të rënduar, por edhe tjetërçka. Duke pritur brenda kabinave të automjeteve, u ndeshën me një dukuri vendore: drejtues shqiptarë të makinave bënin manovrime hileqare për të kaluar dhe kësisoj i shpëtonin padrejtësisht pritjes në radhë. Turistët francezë e hetuan rrengun e tyre, duruan sa duruan dhe, të njohur për shpirtin protestues, nuk vonuan më gjatë, por i nxorën nga bagazhet jelekët e verdhë të famshëm. Pasi i veshën, dolën në rrugë dhe i bllokuan ato automjete, duke mos lejuar shmangien e trafikut në mënyrë mashtruese.
Kjo sjellje protestuese e turistëve francezë ishte një reklamë e keqe për turizmin shqiptar.
Vendet tona adriatike fqinjë, natyrisht që gjenden në garë të heshtur, por të ethshme, për të tërhequr turistë, si për nga numri, emrat e famshëm dhe mundësitë e tyre financiare për të shpenzuar para. Dhe, më shumë se sa pagesat që kryhen për reklamë në media të mëdha botërore, reklamë të jashtëzakonshme bëjnë emrat e famshëm kur shkojnë për pushime në këto vende.
Të të vijë miliarderi Bill Gates me jaht, do të thotë turizmi i atij shteti bëhet lajm botëror.
Të të protestojnë turistë francezë me jelekët e verdhë, qysh duke u futur në kufirin shtetëror, do të thotë të bëhesh lajm i keq turistik, të paktën ballkanik dhe francez.
Kjo lloj “përplasje reklamash” në kufirin Shqipëri - Mali i Zi, bëhet dëmtuese për turizmin shqiptar.