Qytetarë të Tiranës kërkojnë heqjen nga Parku Publik të Memorialit për të rënët turq në grushtin e shtetit 2016 në Turqi. Analistë të pavarur në Tiranë e shohin ngritjen e Memorialit si një veprim të nxituar.
Memoriali qëndron që prej një muaji në Parkun e Madh të Tiranës, pranë Liqenit Artificial. Në një pllakë prej betoni, janë gdhendur emrat e 251 të rënëve që kontribuan në dështimin e grushtit të shtetit të 15 korrikut 2016 në Turqi, kundër qeverisë së Presidentit Erdogan. Rrugës që të ?on tek Memoriali i është dhënë emri "Rruga e Dëshmorëve të 15 Korrikut” dhe zona e parkut ku është ngritur Memoriali, me investimin financiar të Agjensisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim, (TIKA) është quajtur "Parku i Demokracisë së 15 Korrikut”.
Ky memorial nuk na përket neve
Të martën, (13.08.2019) qytetarë të Tiranës kërkuan heqjen e Memorialit dhe 2 emërtimeve të reja. Në një peticion online të shoqërisë civile, të inicuar nga organizata "Change” grushti i dështuar i shtetit në Turqi quhet ”një ngjarje që nuk ka asnjë domethënie apo rëndësi historike, kulturore dhe shpirtërore për qytetarët e Tiranës”.
Peticioni vjen pas përdhosjes ditët e fundit të Memorialit nga persona ende të paindentifikuar nga policia. Sipas burimeve zyrtare nga policia, ata kanë hedhur mbi Memorial letër higjienike dhe kanë shkruar,”Respekt për këdo që nuk jeton më, por ky Memorial nuk na përket neve”.
Memoriali dhe emërtimet - një "Fait Accompli” - punë e mbyllur
Që Memoriali u inagurua në mes të muajit të kaluar u bë e ditur për opinionin publik ditët e fundit nga media lokale në sajë të njoftimit dhe fotove të publikuara nga ceremonia e rastit në website dhe median sociale të Ambasadës Turke në Tiranë. Autoritetet e Tiranës kanë evituar dhënien e shpjegimeve lidhur me ngjarjen. PD dhe opozita jashtë parlamentare, në sulm të pandërprerë kundër qeverisë Rama, hesht. Një përfaqësues i saj mori pjesë në ceremoninë e inagurimit të Memorialit, organizuar nga Ambasada Turke në Tiranë.