Të merr frika prej lajmeve

E Enjte, 15 August 2019 16:51

Nga Qemal SAKAJEVA
Dikush, për t’iu kundërvënë të vërtetës, mund t’i bjerë shkurt dhe e taposë problemin: “S’ke pse trembesh, mausin e kompjuterit dhe pultin e televizorit i ke në dorën tënde!”
Kurse Kanuni i Lekë Dukagjinit e mbron përcjellësin e informacionit me arsyetim matematikisht të saktë dhe formulim gjuhësor të pashoq: “Lajmsi nuk ban faj”.
Por, sido që të jenë lajmet, duke e ditur se shqiptarët zënë vendin e parë në Europë për biseda politike (sipas një studimi), ata janë ndjekës të jashtëzakonshëm të programeve informative, dhe në mënyrë të përsëritur brenda një ditë, qoftë edhe për të dalluar nuanca të ndikimit të politikës mbi to.
Ashtu bëra: në datën 13 korrik 2019, ora 13, e para që klikova ishte një gazetë e përditshme, e rëndësishme në treg edhe në variantin letër. Në ballinë, ku lajmet rrjedhin duke u lënë vend atyre me të fundit, numërova se ishin gjithsej 20 kuadrate të vegjël, domethënë me 20 klikime të lexoje e shikoje 20 lajme. Dhe klikova:
Kutia 1: Hajdutët futen në shtëpinë e një biznesmeni në Buçimas të Pogradecit dhe i marrin kasafortën.
Kutia 2: Ishte shpallur në kërkim... Dorëzohet në policinë e Durrësit.
Kutia 3: Arrestohen në flagrancë 9 persona në Durrës, 5 e drejtonin mjetin të dehur, 4 pa patentë.
Kutia 4. Skafi merr flakë në det, tremben pushuesit në bregadetin e Borshit në Saranadë.
Kutia 5: Kapet në Greqi bashkëpunëtori në vrasjen e komisar Artan Cukut.
Kutia 6. Gruaja mbrrinë pa jetë në spitalin e Vlorës, ra në kontakt me rrymën elektrike.
Kutia 7: Ndërron jetë një pushues në plazhin e Spillesë në Kavajë.
Kutia 8: Merren në pyetje 10 persona në lidhje me ekzekutimin e Tonin Gjurës, në Rrëshen.
Kutia 9: Zhuritet për ujë fshati i kanabisit (domethënë Lazarati).
Kutia 10: Lajm nga bota.
Kutia 11: Ryshfeti prej 30 mijë eurosh dhënë gjyqtarit e kthen emigrantin shqiptar nga Anglia.
Kutia 12: Përplasen 3 makina te Pushimi i Shoferit në autostradën Lushnjë - Fier, ka të plagosur.
Kutia 13: Dy vëllezër vrasin me thikë vëllain e oficerit për hetimin e krimeve.
Kutia 14: Plagosja pas sherrit në një lokal në Shkodër, kapen dy vëllezërit që kryen krimin.
Kutia 15: Lajm për birrën.
Kutia 16: Lajm nga Kosova.
Kutia 17: Lajm nga ambasada amerikane, që jep shpresë për Gjykatën Kushtetuese në Shqipëri.
Kutia 18: Vrasja e të riut me thikë në fyt te kthesa e Hamilit në Fier.
Kutia 19: Dalin detaje nga ngjarja e rëndë në Fier
Kutia 20: Rregullat për vizë në SHBA.
Çfarë po ndodh kështu në shoqërinë shqiptare?
Gjatë sistemit socialist, në vitet ’70 të shekullit të kaluar, pati filluar mbjellja e misrit me kubikë, një mënyrë kultivimi e lodhshme, me shumë shpenzime, por nuk kishte dhe sasira të mjaftueshme të plehut ogranik. Për shkak të kësaj mungese, qe dhënë në urdhër të grumbulloheshin fekalet shtëpi për shtëpi në çdo fshat e lagje. Nëpër brigada u organizuan mbledhje ku shpjegohej mënyra e kompostimit të fekaleve para se sa të përdoreshin. Një kooperativist në Tropojë, pasi instruksionit, u tall duke thënë në brigadë: “Nuk e kam ditë se laknuri (lakrori) bahet edhe me m ...” Këto lajme që jepeshin në orën 13, kur njerëzit ishin ulur për drekë, u ngjallin pështirosje. Ndërsa për ngjarjet e rënda, që i kryente shteti diktatorial apo që ndodhnin në shoqërinë e hiperkolktivizuar, nuk lejohej të pipëtinte asnjë lajm i vetëm, sepse “nxihet realiteti i Shqipërisë socialiste”. Lajmet duhet të ishin brohoritëse.
Kurse ngjarjet e rënda që ndodhin e nuk ndërpriten në shoqërinë e sotme, përcillen dhe përsëriten nëpër dhjetëra e dhjetëra gazeta, televizione, radio e portale. Bashkë me shumë faktorë të tjerë, ato e kanë rënduar njeriun psikologjikisht. Shoqëria shqiptare ka kaluar në gjendje depresive, aq sa i është prishur ekuilibri i brendshëm i qënies. Emisionet e lajmeve janë mbushur me episode si të marra nga filmat horror.

Login to post comments