Vera e Edi Ramës dhe vjeshta e Lulzim Bashës

E mërkurë, 04 September 2019 19:37

AGRON GJEKMARKAJ 

Pas një vere të nxehtë, me temperatura, ngjarje dhe pak njerëz, po troket plot kuriozitet vjeshta e sfondeve të hirta. Korrik-gushti qenë aleatët më të mirë të Kryeministrit. Në mes të këtij boshllëku, Edi Rama tentoi të prishë Teatrin Kombëtar, po ashtu ngriti një monument për shahitët e Erdoganit si shenjë vasaliteti e halli. Zemërimi popullor i ka thyer një cep. Avokat Ngjela fton mirditorët ta zgjidhin ketë punë, por ja që ministri Sandër prej Mirdite ka dërguar zaptijet për të mbrojtur muranën e Edit dhe Taipit. Karriera të bëka synet edhe kur s’e ke zakon. Grabitjet publike për klientët, të njohura me emrin PPP (partneritet publik privat, u bënë me vendim Parlamenti, duke shpërndarë bashkëfajësinë.

Qytetet u zbrazën si në kohë murtaje. Gjindja mësyu detin, të tjerë ikën për fare nga Shqipëria, e cila çdo ditë lajmëron për atentate mafioze ku jeta e një pule është më e shtrenjtë se e njeriut. Spitalet e urgjencat shndërrohen në arenë përleshjesh me armë nga kriminelë që ndjekin viktimat e tyre. Aksidente të pafundme në rrugë e shndërrojnë vdekjen në lajm të përditshëm. Net pushtetarësh në hotele si në përrallat e një mije e një netëve trazojnë fantazinë, por më shumë zemërimin. Në këtë kremtim të përzhitshim u përvijua ditë pas dite gostia e marrjes së bashkive me një rit të paharrueshëm. Kryebashkiakë të tillë, për mungesë gare dhe votimesh moniste, pasi betoheshin bodrumeve në periferi në buzëmbrëmje, i prinin një urdie me sharra hekuri, dalta, çekiçë e qyski nën shoqërinë e Policisë së Shtetit dhe rehatoheshin ndër zyra si partizani Meke në shtratin e Perandorit. Damari i gëzimit u rrinte mbi ballë si karabush misri. Tenderët që i presin, nderet që do bëjnë, dollitë që i presin, ngjallin një të dëlirë emocion. Njëri ishte aq i përhumbur lumturie sa ecte bregut të detit me kanotiere, brekë të bardha e këpucë me majë.

Dy prej tyre mbetën në rrjetën e ligjit të dekriminalizimit si sintezë e marrëdhënies që ka me atë botë Ati i “Rilindjes”! Në PS nuk bëzan askush dhe anatemohet i vetmi zë që pyet me përvujtni socialistësh: a mos gabuam?, a mos duhet të lypim ndjesë?, a mos ne të “Rilindjes” nuk kemi fuqi të heqim qafe kularin e krimit, i cili na ka kërrusur e nxirë? Jo! Heshtje! Bijtë e shqipes nuk e duan për princip “Sokratin e vuajtur” me petka të vjetra, duke anuar nxitimthi nga “derri i kënaqur”, veshur firmato. Ata nuk kanë frikë se Edi Rama i pushkaton apo internon porse ju heq privilegjet, të cilat u ofron karriera nën hyqmin e tij! Në vendin tonë ka garë shoqërore për t’i pasur ato privilegje. Ky fakt të rrënon optimizmin se do të sakrifikohet interesi i padrejtë në emër të një parimi. Për sa kohë kjo kryengritje etike nuk ndodh, asgjë e mirë nuk duket në horizont. Virusi ka hyrë thellë. Shqipëria është shndërruar në laborator depresioni, propagande dhe hajdutnie. Sistemi politik është gjymtuar nga detyrimi i opozitës për të dalë prej tij. “Opozita e re” është e para që mbron ministrat për gjumin e tyre 700-900 euro nata, Kryeministri vran e kthjell. Ai zotëron një pushtet absolut mbi një vend në letargji. Sytë tanimë janë nga opozita. Çfarë do të bëjë ajo? Ndonëse i bëri një shërbim të madh vendit që nuk i çoi shqiptarët drejt një konflikti civil, i duhet të mbushë zbrazëtinë që la te shumëkush rrëmbimi i 30 qershorit. Por më shumë se kaq duhet të ezaurojë nevojën kundër absolutizmit despotik. “Bild” pritet të vazhdojë me sagën e përgjimeve, të cilat certifikojnë vjedhjen e zgjedhjeve. Populli opozitar gjendet në piken e vlimit. por ai e ka jetike të shtojë radhët e veta. Kjo Vjeshtë është një tjetër provë për opozitën, e cila për reputacionin e saj duhet t’i propozojë shoqërisë objektiva të realizueshme pa ngutin që nesër në protestën e radhës e rrëzojmë Ramën. Masiviteti dhe qëndrueshmëria duhet të zëvendësojnë fishekzjarrët.

Lulzim Basha është në momentin për të propozuar paktin e tij të madh si shansin e vetëm kundër krimit, atë të ndryshimeve kushtetuese, atë për ekonominë, arsimin, mjekësinë, administratën publike dhe mbi të gjitha ndryshimin e PD-së nga forcë opozite në forcë pushteti. Gjërat serioze duhen thënë me njerëz seriozë, përndryshe rrëshqasim në komedi. Shtatori trokiti, nëse Opozita dhe shefi i saj nuk prodhojnë ide tërheqëse të argumentuara nga persona bindës, jo vetëm vjeshta, por edhe pranvera do jetë një stinë vazhdimësie për Edi Ramën. Si mërzi do konturohet ajo për ata që presin që ai të këputet si fik pucalec e të bjerë nga dega. Trungu duhet shkundur në shumë drejtime e forma. Shoqëria duhet ta ndiejë përpjekjen dhe të besojë se bëhet për të dhe me përfaqësuesit e saj që nuk i cakton një person i vetëm. Basha duhet të ndryshojë mentalitetin e këtyre 6 viteve në PD, nëse do të marrë shansin për të ndryshuar Shqipërinë nesër. Numërimi mbrapsht ka filluar!

Login to post comments