OSBE/ODIHR rrëzojnë përfundimisht votimet njëpartiake të 30 qershorit

E Enjte, 05 September 2019 10:19

-Raporti i vëzhguesve ndërkombëtarë të OSBE/ODIHR shkruan: KQZ cënoi sigurinë jurdike dhe mori vendime pa transparencë. Gjyqtarët e kolegjit zgjedhor u ndikuan në pavarësinë e tyre për shkak të vettingut.

-“Dekreti i Presidentit të Republikës për caktimin e datës 13 Tetor si ditë të zgjedhjeve lokale nuk u publikua në Fletoren Zyrtare të Republikës së Shqipërisë, edhe pse publikimi i këtij akti të nxjerr nga Presidenti i Republikës është i detyrueshëm nga ligji”,- thuhet në raport. Në këtë mënyrë, dokumenti i jep fund dhe debatit të PS-së lidhur me ligjshmërinë e veprimeve të Presidentit Ilir Meta. Prakisht, OSBE/OHIR thonë qartë se ligji është shkelur nga PS dhe Edi Rama.

Votimet moniste të 30 qershorit kanë marrë kritikat më të rënda që janë bërë ndonjëherë për zgjedhjet në një raport ndërkombëtar. Raporti përfundimtar i OSBE/ODIHR për 30 qershorin, i vetmi dokument që certifikon cilësinë e zgjedhjeve thotë se votimet u mbajtën pa marrë në konsideratë interesat e qytetarëve. “Zgjedhjet lokale të 30 Qershorit u mbajtën pa e marrë shumë në konsideratë interesin e elektoratit dhe se në një klimë ngërçi dhe polarizimi politik, votuesit nuk e patën mundësinë të zgjidhnin mes disa opsioneve politike. Në 31 nga 61 bashki gjithsej, kandidatët për kryetarë bashkie garuan pa kundërshtarë. Pati pretendime të besueshme nga qytetarët për presione dhe se përplasjet politike çuan në pasiguri juridike, ku shumë vendime të administratës zgjedhore u morën me objektivin politik për të garantuar mbajtjen e zgjedhjeve”,- thuhet në dokument. Pra, dokumenti kryesor i ndërkombëtarëve për zgjedhjet nuk shpreh, si në rastet e tjera, se zgjedhjet ishin demokratike apo të lira, por në mënyrë të qartë thotë se qytetarët nuk patën mundësi të zgjidhnin. Një konfirmim i tillë në raportin që zyrtarisht do të prezantohet sot, hedh poshtë gjithë procesin e 30 qershorit dhe praktikisht nuk i quan zgjedhje, por ishin votime një partiake. Nëse më parë në dokumentet e OSBE/ODIHR thuhej se zgjedhjet ishin një hap para, këtë herë janë hequr gjithë termat që përcaktojnë një demokraci dhe kjo është një tjetër goditje që u jepet proceseve zgjedhore në Shqipëri.

Raporti në mënyrë të qartë kritikon qëndrimin e PS-së dhe Qeverisë në raport me institucionin e Presidentit të Republikës. Ndërkombëtarët deklarojnë se kryeministri Edi Rama shkeli ligjin me mos publikimin në Fletoren Zyrtare të dekretit të Presidentit Ilir Meta për mbajtjen e zgjedhjeve më 13 tetor.  ODIR vë në dukje se Presidenti i Republikës anuloi zgjedhjet e 30 Qershorit nisur nga nevoja për të garantuar sigurinë publike dhe përgjegjësisë së tij kushtetuese për të mbrojtur pluralizimin politik. “Dekreti i Presidentit të Republikës për caktimin e datës 13 Tetor si ditë të zgjedhjeve lokale nuk u publikua në Fletoren Zyrtare të Republikës së Shqipërisë, edhe pse publikimi i këtij akti të nxjerr nga Presidenti i Republikës është i detyrueshëm nga ligji”,-thuhet në raport. Në këtë mënyrë, dokumenti i jep fund dhe debatit të PS lidhur me ligjshmërinë e veprimeve të Presidentit Ilir Meta. Prakisht, OSBE/OHIR thonë qartë se ligji është shkelur nga PS dhe Edi Rama.

Në dokumentin voluminoz të OSBE/ODIHR ka një lumë kritikash për rolin e KQZ-së dhe Kolegjit Zgjedhor. Të dy këto institucione që morën veprime të jashtëligjshme për 30 qershorin, vlerësohen me notat më negative në këtë raport. Sipas OSBE/ODIHR thuhet se KQZ e interpretoi ligjin në mënyrë gati amatore duke cenuar parimet e sigurisë juridike. “KQZ-ja interpretoi ligjin në një mënyrë tepër të gjerë dhe nganjëherë në kundërshtim me praktikat e mëparshme, duke cënuar sigurinë juridike”,- thuhet në dokument. Situata paraqitet më e rëndë në rastin e Kolegjit Zgjedhor. OSBE thotë se vendimet e tyre ishin të njëanshme duke nënkuptuar vendimin për interpretimin e dekretit të kreut të shtetit. “Konstatohet shqetësim për mungesën e paanshmërisë së KQZ-së, duke treguar raste kur shumica e anëtarëve të KQZ-së votuan sipas linjave partiake. Ndërsa gjyqtarët e Kolegjit Zgjedhor gëzojnë imunitet dhe nuk mund të jenë subjekt i procedurave disiplinore gjatë gjithë afatit për të cilin Kolegji është i konstituuar, ata ishin subjekte të procesit të vettingut, i cili mund të prek sigurinë e mandatit të tyre dhe në këtë mënyrë të ndikojë në pavarësinë e tyre”,- thuhet ndër të tjera në raportin e OSBE/ODIHR. Goditja që ndërkombëtarët i bëjnë KQZ dhe Kolegjit rrëzon gjithë procesin e 30 qershorit. PS dhe kryeministri Rama e justifikuan gjithë farsën e votimeve me argumentin se vendimet kundër dekretit të Presidentit janë marrë nga institucionet e ligjshme si KQZ dhe Kolegjit. Ndërkombëtarët e thonë hapur se KQZ dhe Kolegji, përveç se nuk ishin profesionale dhe shkelën ligjin mund të jenë shantazhuar nga qeveria. Për mënyrën sesi u zhvillua votimi më 30 qershor, OSBE/ODIHR thotë se vëzhguesit panë nga afër raste të kërcënimit të votuesve dhe çuditërisht nuk u regjistrua asnjë hetim nga ana e Prokurorisë. Në historinë e zgjedhjeve në Shqipëri, asnjë raport ndërkombëtar nuk ka qenë më kritik se kaq.

Praktikisht me raportin final të OSBE/ODIHR rrëzohen votimet njëpartiake të PS-së, bie akuza dhe komisioni hetimor i mazhorancës për dekretin e Presidentit, me pak fjalë vuloset se zgjedhjet nuk janë demokratike.

Pra duhet të shkojmë në zgjedhje të reja vendore, por me sa duket edhe parlamentare.

Mili Xhani

Login to post comments