Sterilizimi i Shqipërisë

Saturday, 21 September 2019 17:18

Nga Qemal SAKAJEVA

1.

Thelbi i lajmit: dikur, në Shqipëri , për shembull në vitin shkollor 1994-1995, e nisën klasën e parë të shkollës 77 000 fëmijë; më 15 shtator të vitit 2019, për herë të parë në bangat e shkollës u ulën vetëm 24 000 fëmijë, domethënë 53 000 më pak, ose sa një qytet mesatar i vendit për nga numri i popullsisë.

Pse ky pakësim dramatik?

Pa u futur në statistikë, faktor parësor i uljes së numrit të popullsisë nuk është thjeshtë lindshmëria më e ulët në familjet shqiptare, apo vetëm emigrimi. Tragjike për kombin është largimi masiv i fëmijëve.

2.

Fjala steritilizim, në shqipe më të qartë, domethënë shterpëzim. Qysh prej disa vitesh, nëse huazojmë këtë fjalë nga biologjia, Shqipëria i është nënshtruar sterilizimit të egër. Sipas statistikave më të fundit, për çdo vit largohen nga vendi 15 000 fëmijë. Ky numër i jashtëzakonshëm shpërndahet në mënyrë të rastësishme nëpër vende të Bashkimit Eurorpian, SHBA dhe Kanada. Pasojat e pallogaritshme të këtij procesi të pandalshëm, së paku janë dyfish të rënda: këta mijëra fëmijë që ikin, matematikisht e plakin popullsinë e vendit në mënyrë të menjëhershme, por ndikimi i më pasëm është thuajse fatalitet. Ata zhduken si brez riprodhues i popullsisë së Shqipërisë, sepse rriten, martohen dhe u lindin fëmijë në shtete të tjerë, me gjasa absolute pa kthim, duke u tjetërsuar dhe me shtetësi të vendeve ku ngulen përgjithmonë, me gjuhë të varfëruar ose të humbur, kulturë tjetër dhe pa memorje për vendin nga janë larguar ngaqë nuk kanë kurrfarë kujtimesh për t’i mbajtur lidhur me të. Shkaku i këtij shkretimi njerëzor, sipas IOM (International Organization for Migration) është tërësisht shqiptar: të ardhura të ulëta në familje, arsim i dobët, pa përspektivë për të punuar, brez i pa shpresë për të ardhmen. Këta faktorë, dhe të tjerë, e kanë bërë Shqipërinë vendin e parë në Europë dhe të pestin në botë me dëshirën  e emigrimit. Sipas Qendrës Ekonomike dhe Sociale, mbështetur nga Fondacioni Fridrich - Erbert, emigracioni potencial në vitin 2018 u rrit me 52, duke e çuar Shqipërinë në vendin e parë në Europë dhe të pestin në botë me dëshirën  e emigrimit.

3.

Se çfarë trishtimi paraqet ky shpopullim i vendit prej fëmijëve, le të përqasim një fakt të largët në kohë. Në vitin 1927, në rrethin e Lushnjës, u krijua  nga e para fshati Babunjë e Re, me emigrantë shqiptarë të ardhur nga Kosova dhe Turqia. Për disa vite, në të gjithë fshatin me 37 familje dhe 135 banorë kishte vetëm 3  fëmijë. Fshatin e pati përfshirë zymtësia e madhe vetëm me njerëz të rritur e pleq, me plot halle dhe pa kurrfarë shprehjeje gëzimi në fytyrë. Në këto kohë, por e sigurtë dhe për shumë vite që vijnë, si Babunja e Re e dikurshme do të duket e gjithë Shqipëria e ardhme: qytetet dhe fshatrat tona do të jenë të zymtë, pa gjallëri, pa fuqi punëtore, pa zëra të gëzuar, pa zhvillim ekonomik, sepse po i  ikën thuajse gjithë brezi i fëmijëve të sotëm. Shtetet perëndimore mezi i presin ata, pavarësisht se kanë miratuar ligjin që Shqipërinë e përfshijnë në listën e vendeve të sigurta, me qëllim frenimin e emigracionit, apo frikësimi me ndonjë avion në pistën e aeroportit të Rinasit, nga ku zbresin një numër  emigrantësh të kthyer  forcërisht. Nëse Kanadaja e madhe filtron në mënyrë të jashtëzakonshme marrjen e emigratëve, vendet e Bashkimit Europian me popullësi të plakur kanë gjithashtu nevojë për fuqi punëtore dhe pasuri më të çmuar se sa fëmijët që shkojnë atje, ato nuk  kanë ku të gjejnë. Sepse:  fëmijët rriten, natyralizohen, kulturohen, shkollohen apo specializohen në këto vende, bëhen fuqi e madhe e krahut të punës qysh në fillim, sapo ata arrijnë moshën për të punuar.

Shembujt janë të panumërt, por ndoshta ia vlen një prej tyre, si një gllënkë vere për të shijuar butin. Para 16 vitesh, mbesa ime Ila, të cilën e kishin lënë prindërit  në Shqipëri në moshën 11 muaj e 15 ditë (ngaqë emigruan ilegalisht në Kanada), në moshë pesë vjeçe e gjysëm u thirr në zyrën e UNHCR në Tiranë e shoqëruar nga gjyshërit. Aty, prej një  kutie kartoni ardhur me postë, zyrtari nxori pasaportën e saj, si dhe një shkresë të mbyllur në zarf, ardhur nga Kanadaja,  dhe porosinë që askush të mos e hapte zarfin, përveçse nëpunësi i zyrës së emigrimit në aeroportin e Torontos, sapo ajo të mbërrinte në tokën kanadeze. Dhe ashtu ndodhi: Ila emigroi  në Kanada në moshën rreth 6 vjeçe. Oficeri, një djalë i ri nën uniformë të bukur, pasi ia kontrolloi pasaportën  e hapi zarfin dhe lexoi shkresën. Më pas  i shqiptoi dy fjalë të  pabesueshme, që nuk i kishte dëgjuar  në Shqipërinë që e përzuri: “Welcome home” ( Mirë se erdhe në shtëpi). Ila tani jeton atje, studion në vitin e tretë në Universitetin e Otavës, në kryeqytetin e Kanadasë.

Por “Welcome home” (Mirë se erdhe në shtëpi) u thotë çdo vend europian 15 mijë fëmijëve shqiptarë që ikin çdo vit, ngaqë Shqipëria praktikisht nuk u thotë dot “Rrini këtu, mos ikni!”

Login to post comments