Presidenti Meta ka konfrimuar sot se do të qëndrojë në këtë detyrë deri në përfundim të mandatit të tij, në 24 korrik 2022. Gjatë intervistës së dhënë për gazetaren Eni Vasili në TCH, Kreu i Shtetit ka sqaruar gjithashtu se “për mua kanë vetëm dy gjëra rëndësi. Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë ku jam betuar dhe populli shqiptar, kaq!”
PJESË NGA INTERVISTA
Gazetarja: Zoti President, a mendoni se mazhoranca do ta finalizojë nismën e shkarkimit?
Presidenti Meta: Se çfarë do të bëjë mazhoranca unë nuk mbaj asnjë përgjegjësi. Unë e di që jam këtu në këtë zyrë ku jeni edhe ju sot dhe i gatshëm me ju edhe më datën 24 korrik 2022 të bëjmë një intervistë përmbyllëse. Sepse unë kam vënë dorën mbi Kushtetutë dhe unë e di shumë mirë se çfarë kam firmosur dhe çfarë firmos, kaq!
Gazetarja: Po thoni, çfarëdo vendimi që të marrë edhe Gjykata Kushtetuese?
Presidenti Meta: Unë përgjigjem vetëm përpara Kushtetutës dhe popullit shqiptar.
Gazetarja: Edhe me vendimin e Gjykatës Kushtetuese?
Presidenti Meta: Shqipëria nuk ka Gjykatë Kushtetuese, sepse është asgjësuar funksionimi...
Gazetarja: ...Sot jo, por deri në vitin 2022...
Presidenti Meta: Nuk ka Gjykatë Kushtetuese, sepse është asgjësuar funksionimi i gjykatës qëllimisht nga kjo mazhorancë, siç e dinë të gjithë përmes bllokimit të KED-së dhe pikërisht kjo u bë për të pasur një qeveri të gjithëpushtetshme, ta pagjykueshme, të pahetueshme, të pakontrollueshme.
Gazetarja: Dakord, por Gjykata Kushtetuese në një moment do të mblidhet. Nëse Gjykata Kushtetuese merr një vendim, çfarë do të bëjë Presidenti Ilir Meta?
Presidenti Meta: E dashur Eni, për mua kanë vetëm dy gjëra rëndësi. Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë ku jam betuar dhe populli shqiptar, kaq! Për të tjerat përgjegjësinë e kanë ata që i kanë kompromentuar të gjitha institucionet e tjera në këtë vend.