Sikur të bëhej fjalë për ndonjë piktor të rëndomtë nga Tirana, askujt nuk do i bënin përshtypje shkuarjet e tij në Serbi dhe, as do kishte ndonjë shqiptar që do ndjehej keq pse ai më shpesh e viziton Beogradin se sa Prishtinën. Sepse thjeshtë, çdo gjë mundë të shpjegohet me prirjet e tij artistike dhe me lidhjet miqësore që ka atje.
Por kur një piktor, qoftë edhe i dështuar, por që është Kryeministër i Shqipërisë, të krijon përshtypjen se më mirë ndjehet në shoqëri me Presidentin e Serbisë se me burrështetasit e Prishtinës, s’ke si mos ndjehesh mjerueshëm dhe si mos e pyesësh vetveten: vallë është e mundur që kryeqeveritari i mëmëdheut tënd të ndjehet kaq i afërt me burrështetasin, i cili deri dje mbante në duar kallashin dhe i shërbente ‘Kasapit të Ballkanit’, që deri dje kanosej haptazi se për çdo serb të vrarë do pushkatonte me qindra mysliman!?
Po pra, një shqiptari të rëndomtë i lejohet kur të dojë të shkojë e të dëfrehet me miqtë e tij në Beograd, apo në cilindo cep të botës, por një piktori Kryeministër të mëmëdheut shqiptar, nuk i lejohet ta legjitimojë politikën antishqiptare serbe, siç nuk i lejohet të ngre dolli me burrështetasit që nuk lënë gurë pa lëvizur për t’i bindur shtetet ta tërheqin njohjen e pavarësisë së Kosovës.
Dhe kur një kryeministër shqiptar e ndihmon promovimin e Serbisë si liderë të kësaj hapësire ballkanike, kur nga dashuria ndaj saj ‘Piktori’ harron se vendi i tij nuk kufizohet me Serbin, por me Kosovën, pra kur Kryeministri i Shqipërisë nuk e kupton sa poshtëruese është ta promovosh ‘Shengenin e Ballkanit’ pa Kosovën në të, atëherë s’ke si ta shmangësh pyetjen logjike: interesat e kujt i mbron ky njeri që aq lehtë acarohet me shqiptarët, por që aq shumë lumturohet sa herë që përqafohet me Presidentin serb?
Dhe kur Kryeministri i Shqipërisë ngutet të shkojë në Beograd menjëherë pasi në Prishtinë t’i ketë humbur zgjedhjet parlamentare vëllazëria e tij e ‘Klanit Pronto’, s’ke si mos dyshosh se ndoshta ka shkuar atje për t’i shpjeguar Presidentit serb nga afër pse nuk ia doli që me ‘molliqajt’ dhe ‘shpendët’ e vet trashaluq, ta shpartallonte Lëvizjen Vetëvendosje!?
Pa dyshim se shumëçka lidhur me dashurinë e ‘Piktorit’ ndaj Serbisë dhe Presidentit serb mbetet e paqartë. Njësoj siç është e paqartë pse opozita nuk ia doli ta çmontojë dekorin e rrejshëm të cirkut të tij mediatik, cirk i cili ia mundëson ‘Piktorit’ të ‘Rilindjes’ ta mbulojë realitetin tragjik ku ndodhet Shqipëria sot dhe të tregohet përpara botës si strateg i rëndësishëm politik rajonal. Cirk që e bënë të padukshme të vërtetën se ai e përdorë pushtetin thuajse vetëm sa për ta harxhuar shtetin!
Tani kur Piktori më është kthyer në Tiranë, mbase edhe nuk ia vlen të thuash çkadoqoftë lidhur me vizitën e tij të fundit në Beograd. Madje me këtë edhe e ndihmon, sepse si çdo gjë tjetër, edh rezultatin e kësaj vizite ai do e matë nëpërmjet numrit të reagimeve mediatike dhe të emisioneve debative për të. Por, nga ana tjetër, nuk ke si e injoron dhe si e trajton atë si një piktorë të rëndomtë, kur e dinë se është Kryeministër i vendit tënd amë dhe se e përfaqëson tërë shqiptarinë.
Dhe s’ke si sillesh mospërfillës ndaj tij as kur e dinë se vizitat e Beogradit dhe paraqitjet mediatike, për ‘Piktorin’ e ‘Rilindjes’ janë si ilaçet qetësues për të sëmurin mendor. Pra as kur e dinë se Kryeministri i mëmëdheut tënd kurrë nuk e ka jetuar të vërtetën për vetveten dhe atë për shtetin që drejton, por gjithmonë ka qenë banor i botës së vet gënjeshtare dhe i cirkut të vet mediatik.
E sa i përket cirkut mediatik të ‘Rilindjes’ së ‘Piktorit’, nuk duhet zhvlerësuar as rolin e spikatur të kryetarit të Bashkisë së Tiranës në të. Por i cili, për dallim nga ‘Piktori’, nuk e lëvdon vetveten duke i përbuzur dhe ofenduar publikisht të tjerët, por duke mos e lëshuar lopatën nga dora. E me të cilën lopatë gjithnjë e më shumë e thellon gropën septike të gënjeshtrave mediatike për vetveten, gropën që herdo-kurdo do derdhet dhe nuk do e qelbë vetëm Tiranën, por edhe tërë Shqipërinë.