Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, shpreson pën nisjen e menjëhershme të negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, por sikurse ka artikuluar që prej nisjes së aksionit të opozitës së bashkuar joparlamentare, vendi ka një sërë problemesh mund të bëhen pengesë serioze në këtë proces të rëndësishëm.
Në një intervistë për pretigjiozen irlandeze, “The Irish Times”, në këtë vigjilje të marrjes së vendimit mbi hapjen e bisedimeve me BE-në, Basha shprehet se Shqipëria është në një krizë të thellë institucionale.
“Shqipëria është ndoshta vendi i parë në historinë moderne pa një gjykatë supreme, pa një Gjykatë Kushtetuese, pa një prokuror të përgjithshëm, me një parlament me vende të paplotësuara dhe një kryeministër që vendos me dekret pa ndonjë kufi institucional të pushtetit të tij,” ka deklaruar Basha për “The Irish Times”.
Përkundër akuzave të ngritura nga përfaqësues të mazhorancës se rruga radikale e ndjekur nga opozita për djegien e mandateve motivohet nga frika e rezultateve të reformës në drejtësi, kryedemokrati ka thënë për të përdithsmen irlandeze se demokratët e mbështesin këtë reformë, por qeveria ka “minuar, shkelur dhe abuzuar” me procesin.
“Si rezultat kemi një gjyqësor të paralizuar. . . dhe asnjë politikan apo figurë e krimit të organizuar nuk është përballur me drejtësinë. Përkundrazi, një numër i çështjeve të nivelit të lartë të korrupsionit janë anashkaluar nën ndikimin e qeverisë, duke siguruar pandëshkueshmëri për të akuzuarit.”- ka thënë Basha.
Në shkrimin që i paraprin intervistës, “The Irish Times” vë në dukje se deputetët demokratë hoqën dorë nga mandatet e tyre në parlamentin me 140 vende në shkurt, pasi zbuluan ato që i quajnë “prova të qarta” se socialistët e Ramës “vodhën” zgjedhjet e vitit 2017 me ndihmën e grupeve kriminale.