10-vjetori në Tiranë, Basha: Fondacioni Konrad Adenauer, avokati më i madh i integrimit të Shqipërisë

Tuesday, 15 October 2019 19:08

Kryetari i opozitës shqiptare, Lulzim Basha, në përshëndetjen e tij në ceremoninë e 10-vjetorit në Shqipëri, e cilësoi Fondacionin Korad Adenauer si avokatin më të madh të integrimit të vendit tonë dhe të hapjes së negociatave për në BE.

“10 vjetori i themelimit të Fondacionit Konrad Adenauer përkon me një moment historik për vendin tim, marrjen e vendimit për nisjen e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Europian. Nuk njoh ndonjë organizëm tjetër në Shqipëri, që të ketë ndihmuar më shumë shqiptarët të ecin përpara në këtë proces sfidues, sesa Fondacionin “Konrad Adenauer”. Është edhe për shkak të ekspertizës dhe mbështetjes së pakursyer të Fondacionit, të ndikimin e tij pozitiv në Berlin, që Shqipëria ka mbështetjen e plotë të Gjermanisë për të vazhduar rrugën e saj drejt Europës.

Prandaj, më lejoni që, në emër të Partisë Demokratike dhe të opozitës të shpreh mirënjohjen time të thellë për Fondacionin “Konrad Adenauer”. Ju falënderoj përzemërsisht i dashur President Lammert. Përfitoj nga rasti t’ju falënderoj, personalisht, për mbështetjen e vazhdueshme tuajën, për ndihmën e paçmuar që i keni dhënë Shqipërisë, që kur shërbenit si President i Bundestagut, për ratifikimin e Marrëveshjes së Stabilizim – Asociimit, rreth 10 vjet më parë.

Falendëroj drejtuesit e Fondacionit në Shqipëri dhe partinë tonë simotër, CDU-në, për ndihmën e jashtëzakonshme që i keni dhënë Shqipërisë dhe Partisë Demokratike.

Gjatë detyrave të mia si Ministër i Jashtëm dhe Ministër i Brendshëm pata privilegjin të bashkëpunoj ngushtë dhe me sukses të plotë me qeverinë federale, me Bundestagun e deri me drejtuesit e lartë të policisë gjermane si gjatë procesit të antarsimit në NATO, ashtu edhe gjatë liberalizimit të vizave për Shqipërinë.

Aleatë të mëdhenj të Shqipërisë, të gatshëm të ndihmojnë në çdo fushë, kontribuesit numër 1, asnjëherë të gatshëm te mbyllin sytë për vlerat dhe standardet për të cilat qëndrojnë.

Në këto 10 vite Fondacioni “Konrad Adenauer” është identifikuar si një nga avokatët më të mirë të Shqipërisë dhe i përpjekjeve tona për ta bërë Shqipërinë si gjithë Europa!”

Modifikuar më E mërkurë, 16 October 2019 10:06
Login to post comments