Ngjarja e rëndë e ndodhur ditën e djeshme ishte një konfirmim i tmerrshëm i të gjithë asaj që është ngritur si alarm në Shqipëri nga opozita shqiptare apo edhe njerëzit e tjerë të ndershëm në vend: Në Shqipëri nuk ka më një kufi midis pushtetit apo shtetit dhe bandave të krimit të organizuar, mafies dhe kriminalitetit ordiner.
Shteti e nxori në pritë prokurorin e vet, ia nxori si një shpërblim krimit. Një prokuror i shtetit shqiptar që sulmohet barbarisht nga pozicionet më të larta qeverisëse, nga vetë Kryeministri dhe zëvendësi tij. Madje ky i fundit i bën presion të hapur, shantazh në dritë të diellit gjykatës, me praninë e tij në seancë gjyqësore, duke ndikuar drejtpërsëdrejti në proces.
Nëse në të gjitha shtetet normale të botës, vetë shteti është në luftë të përditshme kundër krimit, në Shqipëri e vërteta është alarmante.
Pushteti, qeveria, ka lidhur aleancë të ngushtë me krimin, në luftë të hapur me segmentet e tjera të shtetit. Në Shqipëri luftën po e fiton krimi pasi shteti është një burim i jashtëzakonshëm inkurajimi për krimin me sjelljen dhe me vendimmarrjen e vet të errët.
Në Shqipëri nuk ka më kufi midis shtetit dhe krimit, pasi ky i fundit ka futur duart dhe ka kapur çdo pjesë të pushtetit. Ka kapur zgjedhjet, ka kapur qeverisjen, ka kapur financat publike, ka kapur ligjvënien, drejton partinë në pushtet, dhe është ‘mjeshtri’ që lëviz fijet e Edi Ramës, kryeministrit.