Krimi që dëgjon kryeministrin dhe shkreh armët

Saturday, 02 November 2019 16:24

Atentati ndaj prokurorit Arjan Ndoj, shoferit të tij dhe një personazhi që njihet si “i fortë” dhe me disa pseudonime, mund të ketë shumë motive, por njëri mbizotëron mbi të tjerat. Prokurori u anatemua nga kreu i qeverisë Rama dhe zëvendësi i tij Braçe për arrestimin e drejtorit të Kadastrës Durrës Liridon Pula.

“Javën e kaluara një rast flagrant i shkeljes së ligji, por jo vetëm i shkeljes së ligjit por të transformimit të një figure të sistemit të drejtësisë në përfaqësues të interesave të krimit, që sigurisht nuk do t’i shpëtojë ndëshkimit,” deklaroi Rama gjatë një takimi me qytetarë të transmetuar në ERTV.

I referoheshin pikërish urdhër-arrestit të prokurorit Ndoj për kryekatastarin e tij në Durrës, i kapur në shkelje sipas prokurorisë, e cila u pranua edhe me vendim gjykate. Por Rama dhe zëvendësi i tij Braçe nisën luftën e vërtetë ndaj prokurorit. Në fund ndëshkimi i erdhi, madje shumë më shpejt nga çfarë mund të mendohej. Sapo kaluan tre javë nga kërcënimet e Ramës dhe Braçes, dikush zbrazi kallashnikovët drejt makinës së prokurorit.

Të plagosur mbetën Arjan Ndoj, Andi Maloku dhe Aleksandër Laho (ky i fundit me disa emra e pseudonime, mes tyre edhe “Rumi”). Prokurori ka marrë dy plumba por deri më tani mjekët thonë se është jashtë rrezikut për jetën, por gjithsesi nuk japin garanci të plotë për shëndetin e tij.

Ndoj ka shumë vite në sektorin e akuzës. Në vitin 2001 u emërua prokuror, pozicion që e mbajti deri më 2004, u largua dhe ushtroi profesionin e avokatit deri më 2008 dhe që nga ajo kohë nuk ka lëvizur nga pozicioni i Prokurorit në Durrës. Pra Ndoj ka 14 vjet si prokuror. Askush nuk vendos dorën në zjarr se ai është i “pastër” në punën e tij, që nuk mund të jetë përfshirë në afera, apo që të ketë pasur dhe ketë kontakte miqësore e shoqërore me elementë të botës së krimit.

Dyshimi më i madh është se nëse ai e paska “mbushur kupën me kohë” sipas kreut të qeverisë dhe zëvendësit të “egër” të tij Braçe, përse u gjet pikërisht tre javë pas akuzave të tyre ti bëhej atentat prokurorit?

Mund të ketë shumë alibi. Krimi trimërohet, merr hov dhe kur dëgjon numrin një të qeverisë që ti kundërvihet një prokurori, me të gjitha makinerinë shtet nga pas, e ka fare të lehtë të zbarzë armët. “Nuk do ti shpëtojë ndëshkimit”-tha Rama publikisht duke iu referuar me emër Arjan Ndojt. E ky ndëshkim erdhi, qoftë edhe nga një deklaratë e papërgjeshme, delirante apo haluçinative si ngaherë.

Krimi shfrytëzoi këtë moment për të kryer atentatin, e pse jo, qoftë edhe për konliktet e saj me Ndojn do nxirrnin si alibi çmendurinë kryeministrore për të kamufluar motivin e krimit, i cili mund të jetë tërsisht personal me grupet rivale.

Disa e akuzojnë drejtëpërdrejtë kryeministrin si shkaktar, por të tjerë që janë shumë po artikulojnë se ai është nxitës të një krimi edhe pa qëllim të caktuar prej tij. Jo më larg se ditën e djeshme në mesditë, pak orë para së Ndoj dhe dy të tjerë të plagoseshin nga plumbat, Rama u shpreh: “Folën institucionet”-duke iu referuar vendimit të KQZ-së për shkarkimin e kryebshkiakut të tij, Kajmakut të Vorës.

Po a ka institucione që mund të flisnin edhe për “padrejtësitë” e prokurorit Ndoj? E para që do ngrinte dorën për të mbajtur radhën që të ndëshkojë këdo që kërkon kryeministri do të ishte prokurorja e Përgjithshme e Përkohëshme, (që po na del e përhershme) Arta Marku. Më pas është edhe KLP, që vetë qeveria i ka ca syresh si të dërguarit e saj. Së fundmi do ishin dy shkallët e vettingut që mund ta shkarkonin pa asnjë dilemë këtë prokuror. Ja pra që paska institucione…, qoftë edhe për koperturë, pacaka se kontrollohen nga vetë qeveria.

Por Rama nuk pret, sidomos atëherë kur i preken drejtorët e tij dhe ata personazhe që bëjnë pazare e ndajnë benefite nga poshtë në majën lart të pushtetit. Sot nuk po akuzohet kryeministri se ishte urdhërues i atentatit, ndoshta kjo do ishte një çmenduri vetëm të mendohet, edhe pse ka njerëz që e besojnë. Por kryeministri nuk i shpëton akuzës se indirekt bëhet shkak që krimi të trimërohet dhe të zbrazë kallshnikovët në mes të autostradës në Durrës e në buzë të akshamit.

Mediat pranë kryeministrit u “sponsorizuan” bajagi për këtë ngjarje, ku po këmbëngulin se objekt atentati ishte Aleksandër Laho, i njohur ndryshe edhe si “i forti i Sukthit”, apo “Rumi”. Por na del që ky “Rumi” është denoncuar nga PD në vitin 2015 si i lidhur me Partinë Socialiste dhe bashkë me emra të tjerë të botës së krimit, që më vonë u bënë drejtues lokal të bashkisë Sukth, kërcënonin dhe dhunonin votuesit e PD-së. Sot “Rumi” duhet shitur, prokurori duhet anatemuar dhe shoqëria të traumatizohet deri në amnezi nga oshtima e breshërive të armëve, vetëm Rama të mos preket në imazh, por plumbat le të zbrazen, jetë të ikin, duke kujtuar shprehjen e vjetër dhe “fjalën e urtë” të kryeministrit tonë: “hëngshin kokat e njëri-tjetrit”…!/ Nga Boldnews

Modifikuar më Saturday, 02 November 2019 20:48
Login to post comments