Nipi i kryexhelatit Aranit Çela, i pari në listë për Kryeprokuror!

E Enjte, 14 November 2019 22:10

Këshilli i Lartë i Prokurorisë vendosi të kalojë në Kuvend listën e kandidatëve për kryeprokuror. Në krye të saj qëndron prokurori Olsian Çela me më shumë pikë. Olsian Çela është nipi i kryekriminelit Aranit Çela, që ka pushkatuar dhe denuar mijëra qytetarë të pafajshëm gjatë diktaturës komuniste.

Tashmë pritet të shihet nëse Kuvendi do miratojë propozimin e KLP-së, por emri i Çelës është mbuluar me hije të forta dyshimi për një prej dosjeve më të nxehta të kohëve të fundit për drogërat e forta. Bëhet fjalë për hetimet për Xibrakën.

Çela ka qenë prokuror i këtij rasti. Ai kërkoi 13 vite burg për nipin e Enver Hoxhës, Ermalin. Gjykata vendosi ta dënojë atë me 10 vite burgim me gjykim të shkurtër, e përkthyer kështu në 6 vite e tetë muaj.

Ermal Hoxha la qelinë para një viti, kurse prokurori Çela nuk e ankimoi vendimin. Çështja u ankimua vetëm nga të dënuarit. Për shkak se Gjykata e Apelit nuk mund të dënojë më shumë se Shkalla e Parë, nipi i diktatorit e lehtësoi ndjeshëm pozitën e tij.

Dosja e Xibrakës është lakuar shpesh në median e huaj si pika ku bashkohet krimi me elementë të regjimit të shkuar dhe qeverisjes aktuale. Ish-kryeministri Sali Berisha akuzon se pas Xibrakës qëndrojnë njerëz të Edi Ramës, më konkretisht vëllai i tij.

Po kush ishte Aranit Çela!

Nga Kastriot Dervishi

Aranit Çela (1924-2018), “vishinski” i komunizmit të Shqipërisë, që nxirrte shkumë nga goja për vendimet apo pretencat e tij të zeza, reflektonte personin që e kryente me shumë dëshirë punës e xhelatit të drejtësisë.

Kontribuues në rreth 650 procese politike, si hetues, prokuror dhe gjyqtar, por edhe përçues i përvojës sovjetike të drejtësisë, Çela është një faqe e rëndë e librit e zi të komunizmit në Shqipërisë.

Një profil i shkurtër për të. Familja e tij kishte origjinën nga Kanina e Vlorës. Ngeli jetim, i vdiq babai në moshën 15 vjeçare. Në vitet 1935-1942 mbaroi Institutin Tregtar të Vlorës.

Me ardhjen e regjimit fashist, Aranit Çela ishte ndër fëmijët balila të cilët kaluan një muaj pushime në Itali (Pezaro) në verën e vitit 1939. Mbi 5 mijë fëmijë nga Shqipëria u përzgjodhën e dërguan vetëm në një listë për të kaluar pushimet në Shqipëri.

Shumë prej tyre u bënë komunistët të vendosur e për ironi mbahen edhe si “antifashistë” të kulluar. Balilat visheshin me rroba të zeza duke imituar veshjen e më të mëdhenjve anëtarë të Partisë Fashiste. E pikërisht do ishte balil Aranit Çela që kushedi sa të pandehur do çonte në plumb e në burgje si “bashkëpunëtorë të fashizmit”.

Babai i tij shiste cigare dhe punonte roje nate në muzeun e Vlorës. Në autobiografinë e vitit 1954, Çela shkruan: “Babai im ka qenë element alkoolik dhe shumë pak i lidhur me familjen…Familja ime ka vuajtur mjaft ekonomikisht. Kjo edhe për arsye, se sikurse thashë më lart, ka qenë element gjithë kohën sarhosh (alkoolik) dhe krejt i pakujdesshëm për familjen e vet”.

Në oborrin e shtëpisë së tij, pronës e nënës, u ndërtuan nga prifti katolik Dom Marku me banim në Vlorë, tri magazina, i cili si investues i përdori për 15 vjet pa paguar qira.

Shtëpia e familjes u ndërtua me para të marra me fajde nga Selaudin Peshkëpia, por as këtij nuk iu kthye borxhi asnjëherë. Në 17 marsin 1941 kërkon pa sukses të punësohet në Zyrën e Regjistrimit të Gjendjes Gjyqësore në Ministrinë e Drejtësisë të regjimit fashist.

Në prill-maj 1942 Araniti qëndron në paraburgim iu gjetën në shtëpi disa trakte, por regjimi fashist tregohet zemërgjerë dhe e dënoi me kusht. Më 10 janar 1943 bëhet anëtar i PKSH-së në organizatën e Mallakastrës, por partizan del vetëm në nëntor të këtij viti. Në korrik 1944 bën pjesë në brigadën e 14-të komuniste, e më pas, deri në mars 1945, në divizionin e 3-të komunist.

Në mars 1945-shtator 1946, Aranit Çela është prokuror ushtarak në Shkodër, në qytetin ku zhvilloheshin përditë proceset më të tmerrshme politike të kohës. Më 1946-1948 vazhdon me këtë cilësi por në divizionin e Korçës. Më 1948-1949 është ndihmësprokuror i Prokurorisë Ushtarake. Në vitet 1949-1953 ndjek studime në fushën e drejtësisë në Bashkimin Sovjetik.

Më 1953-1954 ishte nënkryetar i Degës së Hetuesisë së Sigurimit të Shtetit. Më 1954-1955 prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme. Më 1955 – 1958 dhe 1966 – 1990 kryetar i Gjykatës së Lartë. Më 1958 – 1966 prokuror i përgjithshëm. Më 1958 – 1991 deputet i Kuvendit Popullor dhe anëtar i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë.

Pavarësisht se u dënua për gjenocid, doli nga burgu në ngjarjet e vitit 1997. Drejtësia që kishte përgatitur për atë ditë e shpalli të pafajshëm dhe urdhëroi dëmshpërblimin.

Modifikuar më Premte, 15 November 2019 14:41
Login to post comments