Presidenti Meta ka bërë një deklaratë të fortë sot para mediave, ku iu drejtua mazhorancës dhe kryeministrit që të mos shkelin Kushtetutën dhe të mos synojnë kapjen e sistemit të drejtësisë.
“Parlamenti shpërndahet me një dekret”. Kështu u shpreh presidenti i vendit, Ilir Meta, duke thënë se një bandë uzurpatorësh po përdhosin Kushtetutën prej dy vitesh.
Meta tha se në momentin e duhur do i drejtohet popullit dhe gjithë botës në mbrojtje të demokracisë.
“Po afron dita e referendumit”, tha Meta.
“Nuk ka institucion më të rëndësishëm në Shqipëri sesa Kushtetuta, e cila ka vetëm një garant të padiskutueshëm që është Gjykata Kushtetuese. Përpjekja për të dhunuar Kushtetutën në përpjekje për të kapur përfundimisht të gjithë sistemin e drejtësisë me kapjen e Gjykatës Kushtetuese, janë të dështuara, janë të vdekura”, theksoi Meta.
Meta theksoi se nuk ka asnjë konflikt institucional dhe kushtetues pasi çdo konflikt “është tërësisht i zgjidhur për të gjithë ata që dinë të lexojnë Kushtetutën”.
“Askush të mos guxojë të prekë Gjykatën Kushtetuese”, tha Presidenti, teksa shtoi se “do të jetë detyrë e popullit të Shqipërisë dhe Presidentit që t’i tregojë vendin kësaj bande uzurpatore”.
Kushtetuta ka vetëm një garant të pacënueshëm, tha Meta, Gjykatën Kushtetuese. Sipas tij, nuk ka institucion më të rëndësishëm në Republikë sesa Gjykata Kushtetuese dhe se nuk do të lejohet kapja e saj.