“Moskovskij Village” në Mitrovicë

E Enjte, 12 December 2019 16:05

Nga Qemal SAKAJEVA

Televizioni Channel One Russia, në emisionin e lajmeve Novosti, të mesditës së 12 dhjetorit 2019, lajm të parë kishte vdekjen e Juri Lluzhkov, një personalitet me shumë ndikim në Rusi, si politolog dhe politikan, dhe për një kohë shumë të gjatë kryetar i bashkisë së Moskës (1992-2010). Ai ishte i pari që kërkoi njohjen e Sevastopolit si qytet rus, ndërsa më vonë u krye  aneksimi i Krimesë. Kronika televizive tregonte për vdekjen e tij në Mynih më 10 dhjetor, dhe nderimet e veçanta që i bëheshin, edhe me pjesëmarrjen e Partriarkut të Kishës Ortodokse Ruse, Kiril. Presidenti Vladimir Putin e cilësoi “një politikan të shkëlqyer dhe kurajoz”. Ndërsa bashkëshortja e tij,  Elena Batunina, sipas revistës Forbes, është cilësuar gruaja më e pasur e  Rusisë.  Por Luzhkov, për ata që kanë qenë ndjekës të vëmendshëm, mund të  kujtojnë se ai ishte një kundërshtar i ashpër i shqiptarëve të Kosovës, i cili nuk ngurroi të premtonte ndërtimin e një fshati rus në Mitrovicë, si dhe u fut në polemikë përplasëse me mbrojtësen e shqiptarëve, historianen dhe albanologen e njohur Nina Smirnova.

 

Rreth kësaj çështje, shkrimi i mëposhtëm ka qenë botuar në Gazetën 55, me 30.12.2004.

 

Për një shqiptar është disi e papritur që mes dy rusësh bashkëkohës, Kosova të ndërkallet mes tyre me një kundërshti të papajtueshme pikëpamjesh. Ka qenë befasi e një rastësie që, thuajse në një ditë të vetme, të ndeshje lajme të tilla, për popuj të vegjël, siç jemi ne.

Lajmi i parë: Presidenti Borid Tadiç i shoqëruar nga Patriarku Pavle (Павле), gjatë muajit nëntor të vitit 2004 pati kryer një vizitë në Rusi. Kryebisedë nëpër takime qe Kosova. Agjencitë shpërndanë njoftimin, se Presidenti Vladimir Putin i kishte thënë Tadiç, por edhe për t’u dëgjuar nga faktori ndërkombëtar, që pavarësia e Kosovës është e papranueshme. Në ato biseda, për të marrë sa më shumë thekse ruse në mbështetje të Serbisë, Tadiç dhe Pavle u takuan edhe me kryetarin e bashkisë së Moskës, Jurij Lluzhkov. Ai u premtoi: Do të ndërtoj një Moskovskij Village ( fshat moskovit) me 50 shtëpi, në Mitrovicën e veriut.

Lajmi i dytë: Historiania dhe albanologia e njohur ruse, Nina Smirnova, që gjithë jetën ia kushtoi veprës Histori e Shqipërisë e shekullit 20-të (botuar edhe në Shqipëri), para se të ndërronte jetë më 24.3.2001, iu përgjigj me letrën e hapur, “Shqiptarët meritojnë mirënjohjen tonë”,  kryetarit të bashkisë së Moskës, Jurij Mihajlloviç Lluzhkov, për artikullin që ai kishte botuar në gazetën Izvjestia, më 23.1.2001, me titull, “Kujtoj për të ardhmen”. Dhe, pikërisht, ajo letër e hapur, një polemikë e shkëlqyer e  Nina Smirnovës, u botua në gazetën Metropol të Shqipërisë, si jehonë për librin e saj të sapobotuar në shqip, por me një përkim të çuditshëm, me po të njëjtin Lluzhkov, që i premtoi presidentit dhe kishës serbe, se do të ndërtonte në Mitrovicën e veriut fshatin moskovit (Mockoвckaя Деревня). Kryetarit të bashkisë së Moskës, që është dhe historian e politolog i njohur, Nina Smirnova i qe drejtuar publikisht, me frymë të epërme, me gjuhë edhe të ashpër, me të dhëna historike dhe arsyetime të thella, mbi të gjitha me kurajë, që nga një ruse, apo rus, e ndeshje së pari. Vlerat e letrës së hapur e të gjatë, ose të kritikës ndaj tij, shpalosen në botimin e plotë, por ndër aq sa thuhet në të, veçoj dy paragrafe:

“Ju (Jurij Mihajlloviç Lluzhkov - shënimi im) jeni një autor dhe polemist i shkëlqyer, një prej politikanëve më të spikatur në Rusi. Juve ju njohin, si brenda ashtu dhe jashtë kufijve të vendit, dhe pikërisht kjo gjë nuk u jep të drejtën më të vogël për të përdorur atributin tuaj që të përbaltni një popull të tërë”.

Dhe:

“Nëse, Jurij Mihajlloviç, vërtetë do të interesoheshit për të ditur se çdo të thotë problem kosovar, atëherë do të udhëzonit ndihmësin tuaj të shfletojë përmbledhjen e artikujve “Kosova - probleme ndërkombëtare të krizës”, përgatitur nga Fondacioni  “Karnegi”, dhe që u është dërguar juve vetjakisht, në qershor të vitit 1999, domethënë para artikullit tuaj në Financial Times, të 13 gushtit 1999. Aty është dhe artikulli im. Që ta pranonit atë, do të ishte e pamundur, përderisa në rrethet tuaja drejtuese, një steriotip prej hekurbetoni, por që të kuptonit se, Kosova në asnjë mënyrë nuk është Çeçenia, jam e  bindur se do të mundeshit. Dhe, atëherë, nuk do i këshillonit Perëndimit, NATO-s, Maqedonisë, Putinit dhe Ivanovit, që të ndiqnin shembullin e politikës sonë në Çeçeni”.

Steriotipet e hekurbetonit, që një ruse e ditur nuk e kishte të vështirë t’i shihte, apo t’i zbulonte te një rus po aq i ditur, u shfaqen siç edhe parashikoi Nina Smirnova. Lluzhkov, nga fuqitë ekonomike të bashkisë gjigante  që drejtonte, - të qytetit “shtet” të Moskës, - nuk e kishte për gjë të premtonte apo të ndërtonte një Moskovskij Village, në Mitrovicën e veriut, siç e shqiptoi në anglisht presidenti serb. Por kjo pararendje nuk ishte e para. Vendi i Lluzhkov, siç dihet, ka qenë edhe kundër çlirimit të Kosovës. Madje, po ashtu, siç dihet, pati ardhur paralajmërimi rus se, aty mund të niste Lufta e Tretë Botërore. Forcat ushtarake ruse, gjithashtu, siç dihet, u ngutën të futeshin dhe u futën të parat në Prishtinë, duke udhëtuar e mbërritur nxitimthi, nga Bosnja në aeroportin e Sllatinës. Siç dihet, po ashtu, nga politika e vendit të Lluzhkov, gjithmonë është përhapur vetëm sinoptikë zymtie për Kosovën e pasluftës. Nga qendra politike e Rusisë, ku Lluzhkov ishte kryebashkiak, u kundështua pavarësia. Ndërsa vetë Lluzhkov, me fuqinë e kryeqytetit rus vendosi të ndërtojë një fshat moskovit për ndarjen e qytetit të Mitrovicës. Albanologia e njohur Nina Smirnova, e drejtë dhe kurajoze, dha për bashkatdhetarin dhe politikën ruse këshillën e vyer: Ajo nuk kërkoi që Rusia të mos ketë dobësi për Serbinë, por u bën me dije bashkatdhetarëve se kjo politikë e ka goditur në palcë të drejtën kombëtare të shqiptarëve. Nina nuk i kërkoi atij dhe Kremlinit të mos i duan serbët. Por, ajo dënonte dhe këmbëngulte që të mos rrjedhin, siç shkruante, “… përrenjtë e baltës, që, njëtrajtshmërisht, vërshojnë në shtypin tonë kundër shqiptarëve”.

Po të qe gjallë Smirnova mbase do t’i shkruante letër tjetër Lluzhkovit, e t’i thoshte pse nuk ndërtonte një fshat në Kosovë, për shembull, në Reçak apo në Prekaz, ku Serbia kreu masakër? Mirëpo çështja është se, sipas historianes Nina Smirnova, steriotipet e hekurbetonta ruse ndaj shqiptarëve janë të vjetër. Ato nuk përdoren për të ndërtuar Moskovskij Village, por për të penguar Republikën e Kosovës.

30 dhjetor 2004

Modifikuar më E Enjte, 12 December 2019 16:08
Login to post comments