Presidenti i SHBA Donald Trump tha të enjten se ai mbështet zgjerimin e NATO-s, për të përfshirë aty vende të Lindjes së Mesme, ndërkohë që Shtetet e Bashkuara po përpiqen të kufizojnë praninë e trupave të tyre në botë.
"Unë mendoj se NATO-ja duhet të zgjerohet dhe ne duhet të përfshijmë Lindjen e Mesme, absolutisht," u tha Presidenti Trump gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë.
Presidenti propozoi të mërkurën rritjen e përfshirjes së NATO-s në Lindjen e Mesme, kur foli mbi sulmet iraniane kundër trupave amerikane në Irak, të kryera si hakmarrje për një sulm amerikan me dron që la të vrarë gjeneralin iranian Kasem Soleimani, i cili luajti rol në luftën kundër militantëve të Shtetit Islamik në rajon.
Presidenti Trump tha se Shteti Islamik paraqiti një problem ndërkombëtar që vendet e tjera duhet të ndihmojnë për ta zgjidhur.
"Ne mund të kthehemi në shtëpi, të kthehemi përgjithësisht në shtëpi dhe të përdorim NATO-n", tha Presidenti Trump. "Ne e kapëm ISIS-in, i bëmë Evropës një nder të madh."
Presidenti Trump ka qenë një kritik i NATO-s, duke kërkuar që Evropa të paguajë më shumë për mbrojtjen e saj kolektive dhe të bëjë lëshime ndaj interesave të SHBA për tregtinë.
Presidenti tha me shaka se organizata mund të quhet NATO-ME, ose NATO plus Lindja e Mesme. Ai tha se ia hodhi si mundësi këtë emër Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg në një telefonatë të mërkurën.
Shtëpia e Bardhë tha se gjatë telefonatës, Presidenti Trump "theksoi vlerën e NATO-s duke rritur rolin e saj në parandalimin e konfliktit dhe ruajtjen e paqes në Lindjen e Mesme".
Ambasadorja amerikane në NATO, Kay Bailey Hutchison, tha të enjten se lufta kundër Shtetit Islamik është e rëndësishme për Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj në NATO.
"Unë mendoj se ajo që presidenti po kërkon është që aleatët tanë të punojnë më shumë me ne në Irak," i tha ajo rrjetit CNBC. "Dhe kjo është diçka që Këshilli ynë i NATO-s do të duhet të diskutojë dhe të vendosë që ne të bëjmë më shumë."