FITIM ZEKTHI*
Shqipëria është e zhytur në një krizë të gjithanshme, organike, e cila nuk ka lënë asnjë fushë të jetës së vendit pa prekur. Kriza të tilla prekin të gjitha organet jetike, depërtojnë gati në çdo qelizë. Kriza të tilla, kanë thënë politologë apo filozofë, janë dera nga e cila një vend hyn në rrugën drejt totalitarizmit. Për kriza të tilla është folur fuqimisht para ardhjes në pushtet të totalitarizmave të mëdha fashiste dhe komuniste pas Luftës së Parë Botërore. Shqipëria është pikërisht në një krizë të tillë. Gjendja jonë ngjan me atë të krimbit të mëndafshit në momentin që në trupin e tij ka hyrë dhe po rritet një organizëm tjetër. Mushkonja inchueon përdor një djallëzi të rrallë, e fut vezën e saj në trupin e krimbit të mëndafshit me anë të turirit të saj si sondë. Pas pak ditësh, nga veza çel një larvë, e cila rritet brenda barkut të krimbit. Larva nis dhe ushqehet me organet e brendshme të krimbit, i cili vuan dhe sëmuret. Larva me një zgjuarsi të habitshme nuk ia ha organet jetike krimbit, në mënyrë që ai të mos ngordhë (bashkë me të edhe larva). Larva ia ha plotësisht organet jetike krimbit pas disa ditësh, në momentin kur ajo mund të jetojë e pavarur. Në këtë çast, krimbi ngordh.
Edhe ne jemi në këtë gjendje. Gati të gjitha organet tona jetike janë prekur, janë kafshuar, janë ngrënë, por kanë mbetur pa u ngrënë plotësisht ndoshta organet jetike dhe organizmi është ende i gjallë.
Një nga qendrat bazë të kësaj krize janë zgjedhjet. Nga kjo qendër bazë është përhapur pjesa më e madhe e gjithë krizës në organet e tjera. Zgjedhjet e vitit 2017 u vodhën me krimin e organizuar, me gjithë strukturat shtetërore në këmbë, të cilat ngritën një mekanizëm kirurgjikal blerjeje votash, kuti votimi pas kutie votimi. Për këtë mjafton edhe vetëm përgjimi i gazetës “Bild”.
Në terma të shkencave politike, qeveria e Kryeministrit Rama ka ngritur një regjim që quhet neopatrimonialist. Neopatrimonializmi, thotë Clapham, një profesor i Cambridge, është një formë e organizmit në të cilin marrëdhëniet e tipit patrimonial depërtojnë pushtetin politik dhe administrativ, i cili formalisht është i ndërtuar në terma legalë dhe racionalë. Në këto kushte, zgjedhje të lira nuk mund të ketë. Ai është një sistem i hierarkisë sociale, ku bosë të rëndësishëm të krimit, apo të lidhur me të, përdorin burimet e shtetit, me qëllim që të sigurojnë besnikërinë e klientëve në popullatë. Ai ka të bëjë me një marrëdhënie padron-klient, që nis nga struktura të larta shtetërore dhe zbret deri tek individët në fshatra.
Nuk po flasim këtu për krizën që gjendet kudo nga mungesa e gjykatave, në ekonomi, nga papunësia, në largimet e shqiptarëve përditë, nga shkatërrimi i Parlamentit dhe mbajtja e tij në këmbë me njerëz qesharakë te lufta pa ndalur ndaj medias, kritikëve etj.
Në kushte të tilla krize organike, debati më i madh duhet të ishte vetëm një. Si do të mund të mbahen zgjedhje të lira, si do të mund të shkatërrohej ky mekanizëm i frikshëm neopatrimonialist, që duke kafshuar zgjedhjet, kafshon më pas të gjithë shoqërinë dhe institucionet. Në qoftë se ky mekanizëm nuk prishet dhe arrin të funksionojë edhe në zgjedhjet që vijnë, atëherë jemi në pikën kur larva ka ngrënë edhe organet jetike të krimbit të mëndafshit dhe ai ngordh. Shqipëria me siguri që më pas do të hyjë në një rrugë pa kthim regjimi autoritarist me shenja të thella totalitarizmi të Kryeministrit Rama.
Mirëpo, debati më i madh këto ditë po bëhet se çfarë sistemi zgjedhor do të kemi. Sistemi zgjedhor po shihet si pika që do të zgjidhë këtë krizë të gjithanshme. Gati të gjithë politikanët dhe njerëzit e medias po flasin për këtë çështje. Po flasin për këtë çështje edhe shumë njerëz që as e kanë studiuar dhe as e njohin fare çështjen e sistemeve zgjedhore. Është me të vërtetë për të ardhur keq që debati ka përfunduar këtu. Si mund të ndalë fuqinë e një mekanizmi apo një organizmi neopatrimonial sistemi zgjedhor? Si mund të ndalë blerjen e votave kuti pas kutie sistemi maxhoritar apo ai proporcional kombëtar?
Ka mes atyre që luftojë fort në këtë debat, njerëz që kanë humbur qartësinë dhe mendojnë vërtet se kriza zgjidhet me sistem tjetër zgjedhor, sikurse ka mes atyre që duan një sistem tjetër se mendojnë se u krijon atyre mundësinë të fitojnë apo bëhen deputetë. Një debat për sistemin zgjedhor do të ishte pa diskutim i rëndësishëm dhe i nevojshëm, por pasi reforma të kishte garantuar shkatërrimin e mekanizmit neopatrimonialist të ngritur nga Rama. Megjithatë, duke qenë se ky debat po vlon dhe do të vlojë, atëherë po rrekemi të themi diçka mbi këtë çështje.
Çështja e sistemit zgjedhor është në radhë të parë një çështje e traditës politike, filozofisë politike të një vendi dhe e kulturës së shoqërisë që ka prodhuar këtë traditë apo filozofi politike. Në fillim, ligjvënësit, studiuesit, politologët, kur flasin për sistemin zgjedhor, duhet të kenë parasysh se çfarë sistemi partiak dhe kushtetues do të kenë.
Mirëpo, e majta dhe e djathta, duke qenë se kanë filozofi të ndryshme, nisen nga premisa të ndryshme, pa diskutim që do t’i qasen kësaj çështjeje ndryshe. Në Shqipëri janë shumë të paktë njerëzit që kanë një pemë të qëndrueshme të menduari dhe përpiqen të mos kenë inkoherenca në mendimin e tyre. Këtu shumica e njerëzve, në politikë sidomos, por edhe në opinionin publik, për një çështje janë të majtë dhe për një tjetër janë të djathtë, për një taksë apo ligj janë liberalë dhe për një tjetër konservatorë, për një ide mbi shkollën apo familjen janë komunitaristë dhe për një tjetër kolektivistë etj., etj.. Kjo vjen sa nga padija, aq edhe nga ndjekja e interesit meskin.
Nga një pikëpamje e shkencave politike, çdo sistem zgjedhor proporcional prodhon domosdoshmërisht sistem shumëpartiak dhe çdo sistem zgjedhor maxhoritar me një raund, prodhon sistem dypartiak. Çdo sistem zgjedhor miks, prodhon përgjithësisht sistem shumëpartiak. Çdo sistem zgjedhor maxhoritar me dy raunde, prodhon sistem shumëpartiak. Këtë e thotë ligji Duverger. Pra, gjëja e parë që duhet të sqarojmë, është nëse duam sistem shumëpartiak apo dypartiak, nëse është më mirë për Shqipërinë të kemi dy parti apo shumë parti.
Çdo sistem zgjedhor proporcional prodhon qeveri koalicioni, ndërsa çdo sistem maxhoritar me një raund prodhon kryesisht qeveri të një partie. Sistemi maxhoritar me dy raunde prodhon gjithnjë qeveri koalicioni. Rasti jonë me Ramën që ka qeveri të një partie është devijim nga ligji Duverger dhe ka ndodhur për shkak të manipulimit të zgjedhjeve në 2017-ën. Gjithashtu, çdo sistem zgjedhor maxhoritar ndryshe nga sistemet proporcionale konsiderohet një sistem që i mbron më pak të drejtat e njeriut, prodhon qeveri shumë të qëndrueshme dhe i jep zhvillim ekonomisë dhe institucioneve (SHBA, Britani, Australi etj). Bingam Powell, në një vepër të rrallë, pasi ka studiuar 20 vende me sisteme të ndryshme, ka vërejtur se vendet me sistem proporcional kanë të drejta më të qëndrueshme për të burgosurit, për homoseksualët, për martesat gay, për çështjet gender, për minoritetet etnike apo kulturore, kanë burgje më të mira, kanë dënime më të lehta për krime të shumë të rënda etj. (vendet nordike, Holanda). Kjo, thotë Powell, vjen nga fakti që sistemi proporcional i jep mundësinë e përfaqësimit grupeve të vogla kulturore, etnike etj., dhe ato kushtëzojnë qeveritë, të cilat janë të detyruara të marrin masa t’i mbrojnë deri në teprime.
Rreth njëzet vjet më parë, Matthew Soberg Shugart dhe Martin P. Wattenberg botuan një studim shterues mbi sistemet zgjedhore. Ata thanë se sistemi zgjedhor miks është ai më i miri në botën e sistemeve zgjedhore. Bota, sidomos ajo perëndimore, kishte dy dekada që kishte hyrë gati e gjitha në sistemet zgjedhore proporcionale. Pra, nga vitet 1980, të gjithë me përjashtim të botës anglosaksone, zgjodhën sistemin proporcional. Pse tashmë duhet një miks? Sistemet proporcionale kishin prodhuar qeveri të paqëndrueshme, kishin shtyrë shumë majtas politikat, kishin adoptuar vlera gati ultraliberale në vendet e perëndimit dhe ishte koha e një tërheqjeje.
Gjithashtu, sistemi zgjedhor miks iu ofron votuesve mundësinë edhe për të përzgjedhur në mënyrë të drejtpërdrejtë përfaqësuesin e zonës së tyre zgjedhore, dhe në të njëjtën kohë ofron edhe elementin e përfaqësimit proporcional. Ndër shtetet që kanë sistemin miks mund të përmenden Gjermania (që është edhe shteti i parë që e ka aplikuar), Italia, Japonia, Zelanda e Re, Skocia dhe Wellsi, si edhe pjesa më e madhe e vendeve postkomuniste, si: Kroacia, Gjeorgjia, Hungaria, Lituania, Armenia. Edhe vende me traditë jo fort të gjatë demokratike, si Meksika apo Venezuela, kanë adaptuar versionin gjerman të sistemit miks. Perëndimi në këto vite kishte hyrë në atë që njihet si periudha e teknokracisë, prandaj ky sistem u bë shumë i përhapur.
Le të kthehemi te ne. Partia Socialiste nuk ka folur për sistemin, por duket se kërkon sistemin që kemi, atë proporcional rajonal me lista të mbyllura. PD thotë se na duhet të bëjmë zgjedhje të lira dhe sistemi ka pak rëndësi. Kryetari i saj, Lulzim Basha, ka thënë në shtyp herë pas here se ai vetë do të donte një sistem maxhoritar me një raund, por kjo do të donte dakordësi me PS-në, ndërkohë që kriza është aq e madhe sa nuk po flitet për gjëra shumë më jetike. Deputetët që zëvendësuan opozitën në Kuvend duan sistem proporcional kombëtar. Ka një pjesë të opinionit publik dhe mjaft aktivistë që duan sistem proporcional kombëtar.
Partia Demokratike nuk mund të dojë kurrë dhe nuk duhet të dojë kurrë një sistem proporcional kombëtar. Është kundër filozofisë së djathtë një sistem i tillë. Proporcionali kombëtar kërkon që zëri i sa më shumë njerëzve të jetë në Kuvend dhe kërkon që çdo ndjesi e kujtdo të përfaqësohet. E majta gjithnjë ka dashur që demosi të jetë i gjithë populli. Ka vende që propozojnë që të votojnë edhe ata që janë 16 vjeç . Ka të tjera që duan ta ulin moshën e votimit edhe më shumë. E majta ka luftuar gjithnjë që të votojnë sa më shumë njerëz. Votimi i përgjithshëm vjen nga e majta.
E djathta fillimisht ka dashur që të votojnë njerëz që dinë të lexojnë apo që njerëz që përfaqësojnë zona, apo diç tjetër, që kanë përgjegjësi dhe jo i gjithë populli. Ka pasur debate të mëdha nëse votimi i popullit sjell domosdo një qeveri të mirë. E djathta e ka pranuar votimin e përgjithshëm që ka mbi 7 dekada, por ajo kërkon që sistemi të jetë i tillë që jo çdo ndjesi, jo çdo zë, jo çdo tekë e popullit të jetë e fortë në Parlament. E djathta, duke besuar se shumica e njerëzve janë të përgjegjshëm dhe të moralshëm, dëshiron sistemet zgjedhore maxhoritare me një raund sepse në këto sisteme shumica e mençur dhe e moralshme fiton mbi zërat apo grupet problematike apo edhe mbi budallenjtë.
Nuk është rastësi që Britania, SHBA-ja, Australia, etj. kanë sisteme maxhoritare me një raund dhe i kanë ato prej dekadash. Këto sisteme janë ngritur nga elita politike konservatore dhe vazhdojnë ende. Ndërsa Europa, e cila ka hyrë në luftëra, ka njohur revolucione politike dhe kulturore, ka qenë nën drejtimin e partive socialiste, ka pasur parti komuniste shumë të fuqishme, ka shkuar drejt proporcionalit dhe dy dekadat e fundit drejt sistemit miks. Mirëpo, një sistem maxhoritar me një raund në Shqipëri do të ishte problematik të paktën sot. Ai do të bënte të mundur luftën e të fortëve në zona dhe humbjen e opozitës. Gjithashtu, sistemet maxhoritare më shumë përshtaten në vende të mëdha. Por, kundërshtimi nga PD i sistemit proporcional kombëtar është detyrë e saj dhe është pjesë e mandrës së djathtë. Ndërsa debati mbi ndryshimin e listës nga e mbyllur në të hapur është gjithashtu diçka që vlen të debatohet. Siç kërkojnë të majtët të ketë sistem proporcional kombëtar, dhe e kanë detyrë këtë gjë, po ashtu ata kanë detyrë të kërkojnë lista të hapura. Ndërsa e djathta parimisht nuk ka arsye të jetë për lista të hapura. Siç e thamë, e djathta ka një skepticizëm ndaj votës së përgjithshme, e djathta mendon se njerëzit mund të mashtrohen, se brenda popullatës ka njerëz të paditur dhe të pamoralshëm që do të votojnë. Në këtë kontekst, e djathta priret të gjejë mënyra të kufizojë efektin e këtyre njerëzve.
Për ta mbyllur, duhet thënë se PD dhe opozita nuk mund të pranojnë dhe nuk duhet të pranojnë kurrë një sistem proporcional kombëtar. Ajo duhet të jetë shumë skeptike ndaj listave të hapura. E majta, liberalët, komunistët, e kanë për detyrë të mbrojnë sistemin proporcional kombëtar dhe listat e hapura. Opozita do të duhet të kërkonte sistem miks, por tani koha është për një betejë tjetër. Pavarësisht të gjithave, gjëja e parë që duhet të mendohet është nëse duam një sistem partiak me dy parti apo me shumë parti, nëse duam një qeverisje që u kushton më shumë rëndësi të drejtave të njeriut, të drejtave të LGBT-së, martesave gay apo një qeverisje të qëndrueshme që mbështetet më shumë mbi parime morale të traditës.
*Pedagog, Shkenca Politike