Koronavirus & Koramavirus

Diel, 02 February 2020 17:32

EDMOND TUPJA

Edmond-Tupja (1)

 

I frikshëm i quajturi Ko ronavirus, përhapja e rrufeshme e të cilit në Kinë e tashmë përtej kufijve të saj, po trondit prej disa javësh mbarë, që prej disa dekadash e kemi kuptuar se nuk jemi të paprekshëm jo vetëm nga fatkeqësive natyrore (si tërmetet e përmbytjet, ndër të tjera), por edhe nga fatkeqësitë socialekonomike (si papunësia masive, emigrimi masiv i të rinjve dhe ai i kuadrove me arsim të lartë, si korrupsioni galopant dhe trafiqet e paligjshme, ndër të tjera), pra e kemi kuptuar se globalizimit të pandalshëm nuk kemi si i shmangemi dot.

Në këtë kontekst, nuk besoj se lexueset dhe lexuesit e mi të respektuar do të më cilësojnë fatkeqësindjellës po të pohoj me plot gojën, por me dhimbje të thellë në shpirt, se Koronavirusi përbën një rrezik të tmerrshëm për të gjitha e të gjithë sa jemi, sepse do të vijë një çast kur ai do të shfaqet në gjirin tonë, ashtu siç sapo është shfaqur në Italinë fqinjë, kur disa qindra mijëra nga bashkatdhetaret e nga bashkatdhetarët tanë jetojnë e punojnë atje dhe vijnë shpesh në Shqipëri.

Përfytyrojeni, pra, në kushtet ekonomike, ekologjike, spitalore, sanitare e higjienike ku jetojmë, se ç’kërdi mund të bëjë te ne Koronavirusi në fjalë! Atyre zonjave dhe zotërinjve që u pëlqen ta shohin të vërtetën në sy, do t’u duhej ta pranonin me zemër të trandur se pasojat e Koronavirusit në Republikën e shkalafitur të Shqipërisë do të ishin të llahtarshme sikur të mos ndodhte një mrekulli shpëtimtare jo vetëm për ata që varfëria e pamëshirshme i ka paracaktuar si viktimat e parapëlqyera të Koronavirusit, por edhe për vetë milionerët e miliarderët që nuk kanë lindur të pavdekshëm.

Megjithatë, dje, gjatë një bisede telefonike që pata me fqinjin dhe mikun tim të vjetër Aqif Qifa, intelektual qibar e mendjeqiqër, më habiti gjakftohtësia e pazakontë, me të cilën ma paraqiti situatën ku e vetmja kryefjalë për mua dhe shumë të tjerë ishte Koronavirusi si sinonim i një vdekjeje të sigurt për të gjitha ato e të gjithë ata që do të prekte kudo në botë, pra, rrjedhimisht e pashmangësisht edhe në Shqipëri.

Sipas atij, e vetmja mënyrë e suksesshme me 99,99 për qind për të fituar jo vetëm një betejë, por edhe luftën kundër Koronavirusit do të ishte t’i kundërvije atij një tjetër virus më të fuqishëm. E kundërshtova aty për aty, duke i nënvizuar faktin se mjekësia shqiptare nuk më dukej fare e aftë për t’u marrë me shpikjen e një virusi të tillë që ta asnjanësonte përfundimisht Koronavirusin para se ta asgjësonte njëherë e përgjithmonë.

Por, ai më befasoi së tepërmi kur më tha – me një zë që m’u duk fort i çuditshëm –, se virusi në fjalë ekzistonte te ne që prej vitit 2013, kur në pushtet erdhi Partia Socialiste. Pastaj, me sa kuptova, duke mos dashur të jepte hollësira të tjera nga frika se mos dikush na përgjonte në telefon, ai më propozoi të takoheshim pasdite te Kafehania e Pallë Avrës për ta vazhduar bisedën.

Dhe kështu vepruam. Shkuam atje, u ulëm mënjanë, larg syve e sidomos larg veshëve kureshtarë, dhe, pasi kamerieri na solli nga një çaj, Aqif Qifa më tha me zë të ulët se vetë Edi Rama, me t’u bërë Kryeministër, kishte mbledhur me fshehtësinë më të madhe një grup mjekësh me bindje të thella socialiste dhe, falë largpamësisë dhe dashurisë së tij të pafund për popullin shqiptar, u kishte kërkuar të krijonin një virus të aftë për të bllokuar dhe asgjësuar çdolloj virusi tjetër që do të kërcënonte jetën e shqiptareve e të shqiptarëve kudo që ato dhe ata të ndodheshin.

Si foli kështu, ai heshti, dhe, pasi gjerbi pak çaj, nxori nga xhepi një copë letër dhe një stilolaps, vijon nga faqja 1 hodhi një vështrim rreth e rrotull dhe shkroi një fjalë të vetme tek ajo letër që ma vuri para syve, por pa e lëshuar nga dora, dhe unë lexova “koramavirus”. Mandej, shtoi pa e ngritur zërin: “Kështu quhet virusi shqiptar që do ta bëjë pluhur e hi koronavirusin kinez”.

Nuk dija ç’të thosha dhe u habita kur e pashë ta griste imët atë copë letër, që e hodhi në gotën e çajit dhe e piu për t’i zhdukur edhe më të voglën gjurmë. Pastaj, nuk e di ç’më shtyu ta pyesja: “Po a është përdorur ndonjëherë që nga viti 2013 e deri më sot ky koramavirusi?”.

Përgjigjja e mikut tim më la pa gojë e pa mend: “Po, madje me sukses të plotë! Falë atij, shumë shqiptarë, nga ata më të zgjuarit e më të shkathëtit, u shëruan nga skrupujt, nga vrasjet e ndërgjegjes, u shndërruan si me magji në specialistë punësh sekrete, zunë poste të rëndësishme, u bënë ministra, gjyqtarë e prokurorë, kryetarë bashkish e komunash, nisën të pasuroheshin për të mirën e vendit, të Bashkimit Europian e të mbarë botës së globalizuar; nga ana tjetër, shumë të huaj – diplomatë, të dërguar të posaçëm organizatash, forumesh e strukturash ndërkombëtare etj., etj. – e përgëzuan Kryeministrin tonë për frymën e re që solli në qeverisjen e vendit dhe në zhvillimin e vrullshëm të marrëdhënieve të shtetit shqiptar me shtetet e tjera, të cilat kanë ndër mend ta përdorin koramavirusin shqiptar gjerë e gjatë, lart e poshtë, thellë e cekët, sa herë ta lypë nevoja e situata për të mirën e njerëzimit sot e mot!”.

Por, pavarësisht përgëzimeve të panumërta të ndërkombëtarëve, kryeministri ynë karismatik i mirënjohur për modestinë e tij karakteristike, mezi pranoi të linte tek emri “koramavirus” thjesht një gjurmë – mbiemrin e tij të dashur, të shtrenjtë e të vyer dhe absolutisht asgjë më shumë.

Login to post comments