Bundestagu ka vendosur 9 kushte për hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE…
Bashkimi Europian po diskuton ‘metologjinë e re’ të zgjerimit kur përcaktohen ‘detyrat dhe kushtet’ që duhet të plotësojë një vend në rrugën e anëtarësimit në BE… Së fundmi, Kryetari i Komisionit të Politikës së Jashtme në PE, gjermani McAallister, në diskutimin për metodologjinë e re të zgjerimit të BE, ka vënë pikat mbi ‘i’ duke deklaruar se ‘demokracia dhe shteti ligjor do të jenë në qendër të zgjerimit’.
Pra nga moria e detyrave dhe kushteve që do të duhet të plotësojë një vend kandidat për anëtar në BE, dy janë kriteret themelore: 1) Demokracia dhe 2) Shteti ligjor.
Duke pasur parasysh së çfarë përfaqëson McAllister, kuptohet se ka shumë gjasa që BE të orientojë zgjerimin e BE drejt vendeve të Ballkanit, pra kështu duhet dhe do të merret edhe vendimi për hapjen e negociatave me Shqipërinë, bazuar në plotësimin e këtyre dy kritereve themelore…dhe kjo duket e saktë, e arsyeshme dhe e dobishme.
Çdo kërkesë/detyrë tjetër është, mesa duket do të vendoset pas këtyre prioriteteve themelore…
Për Shqipërinë, lufta kundër korrupsionit apo lidhjeve të qeverisë me krimin e trafiqet janë shumë të rëndësishme, për të mos thënë jetike, por mesa duket detyrat për të luftuar korrupsionin e krimin do të vendosen pas për të vendosur/përforcuar demokracinë dhe për të ngritur shtetin ligjor, pra BE mesa duket do t’i kërkojë Shqipërisë që detyrimi për të kryer një luftë të ashpër kundër korrupsionit e krimit, do të vijë pas kërkesës së panegociueshme për vendosjen e demokracisë e të shtetit ligjor në Shqipëri.
Shqipërisë, po ashtu do të mund t’i hapen negociatat jo se është e kërcënuar nga ‘rreziku rus apo kinez’ por vendimi për hapjen e negociatave nga BE do të merret vetëm pasi të vlerësohet se Shqipëria nuk kërcënohet nga rreziku i autoritarizmit, nga mungesa e shtetit ligjor, nga dhunimi i të drejtave të njeriut… , sepse vetëm plotësimi I këtyre kushteve e ‘imunizon’ nga çdo lloj kërcënimi...
Shqipërisë apo më saktë qeverisë shqiptare do ti bëhet e qartë po ashtu se procesi i anëtarësimit në BE do të jetë një proces i kthyeshëm, domethënë nëse s’do të ketë progres të vazhdueshëm në vendosjen e demokracisë e të shtetit ligjor, të gjithë ‘favoret’ e fituara (të themi lëvizja e lirë në zonën e BE apo fondet e BE) mund të humbasin dhe vendi do të kthehet mbrapa në procesin e anëtarësimit në BE.
Kjo është një kërkesë e fortë për qeverinë aktuale por edhe një mesazh për qytetarët që të kuptojnë qartë se indiferentizmi i tyre ndaj veprimeve antidemokratike e kundër shtetit ligjor të qeverisë së tyre do të shoqërohen me kosto edhe për ta…
Shqipërisë, qeverisë së saj dhe qytetarëve shqiptarë, do ti bëhet e qartë gjithashtu se përmes strategjisë së re të zgjerimit, procesi i anëtarësimit synon të forcojë rregullat e hyrjes në BE që do të thotë se vendet aspirante për në BE, do të mund të bëhen anëtare vetëm nëse realizojnë progres në vendosjen e pakthyeshme të demokracisë e të shtetit ligjor…thënë ndryshe transformimi i tyre demokratik dhe shteti ligjor nuk duhet të jenë të kthyeshëm…
Shqiptarët duhet të ndërgjegjësohen se askush në BE s’është kundër anëtarësimit të Shqipërisë në BE dhe asnjë vend apo lideri europian nuk e ka inat Shqipërinë apo edhe qeverinë e Edi Ramës, por qeveria shqiptare duhet të ketë të qartë se negociata do ti hapen Shqipërisë atëherë dhe vetëm atëherë kur qeveria shqiptare të garantojë një progres të demokracisë e të ngritjes së shtetit ligjor, vazhdueshëm, të besueshëm, të parashikueshëm, dinamik e në përputhje me vlerat e BE…
Kjo për Shqipërinë ndër të tjera do të thotë më konkretisht:
i) zgjedhje të lira e të ndershme,
ii) ngritja dhe funksionimi i një parlamenti e pushteti vendor pluralist e demokratik,
iii) ngritja e Gjykatës Kushtetuese dhe pavarësia e saj funksionale,
iv) pavarësi, integritet e profesionalizëm i sistemit gjyqësor,
v) barazi para ligjit, vi) media e pavarur,
vii) respektim i të drejtave themelore të njeriut…, natyrisht pas harruar luftën e ashpër kundër korrupsionit e lidhjeve të qeverisë me krimin e mafian.