Albin dhe Vjosa, mos e hiqni “taksën Haradinaj”

Hënë, 10 February 2020 11:40

ALEKSANDËR BIBERAJ 

Taksën 100% ndaj mall rave që vijnë nga Serbia, qeveria e Kosovës, e drejtuar nga Ramush Haradinaj, e vendosi si reciprocitet ndaj agresivitetit të politikës dhe diplomacisë serbe, e cila, nëpërmjet një fushate tejet agresive kundër Kosovës, ka kohë që po përpiqet që të bllokojë njohjet e reja të Kosovës, të prapësojë ato ekzistuese si dhe të bllokojë Kosovën për t’u anëtarësuar në organizatat apo institucionet ndërkombëtare si UNESCO, Interpol, etj. Nëse do të shpreheshim në gjuhën diplomatike, kjo taksë ishte një përgjigje reciproke ndaj Serbisë (në kushtet e mungesës së masave të tjera të mundshme), bazuar në parimin e reciprocitetit që “plumbi del me plumb”. Ndonëse faktori ndërkombëtar, përfshirë edhe SHBA-në dhe BE-në, ishin kundër “taksës Haradinaj”, ish-Kryeministri i Kosovës nuk u thye përpara këtij presioni, duke mbajtur një qëndrim prej burri shteti. Qëndrim i Ramushit si dje në luftë, edhe sot në paqe, ishte në mbrojtje të interesit të Kosovës dhe qytetarëve të saj, dhe për këtë qëndrim ai pagoi edhe një kosto jo të vogël, që ishte lënia e pushtetit, pasi duke u thirrur si dëshmitar në Hagë, ai dha dorëheqjen si Kryeministër dhe Kosova shkoi në zgjedhje të parakohshme, nga të cilat z. Haradinaj dhe partia e tij AAK dolën në opozitë. Fituesit e zgjedhjeve të 6 tetorit në sinkron më njëri-tjetrin, respektivisht Kryeministri Albin Kurti dhe Kryeparlamentarja Vjosa Osmani, sapo morën mandatet, u shprehën se taksën do ta zëvendësojnë me reciprocitetit, pa dhënë detaje të tjera se çfarë nënkupton në këtë rast reciprociteti. Duke respektuar çdo vendim që do të ndërmarrë qeveria e Kosovës, me bindjen e plotë se do të jetë vetëm në interes të Kosovës dhe të popullit të saj, do të këshilloja krejt vëllazërisht Kurtin dhe Osmanin, që të jenë tepër të kujdesshëm dhe të mos nguten ndaj kësaj çështjeje tepër sensitive dhe të rëndësishme për Kosovën dhe popullin e saj. Parimi i reciprocitetit është i vlefshëm ndërmjet vendeve që kanë marrëdhënie normale dhe janë në kushte të barabarta, ndërkohë dihet që Kosova dhe Serbia nuk janë aspak në këto kushte. Pa dashur që të revokoj historinë e marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë, por duke mos harruar historinë e re. por edhe të vjetër, si dhe duke u nisur nga eksperienca ime disavjeçare në drejtimin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, do të arsyetoja se kjo Serbi, me mentalitet akoma millosheviçian, nuk e meriton aspak respektimin e parimit të reciprocitetit pa njohur më parë shtetin e Kosovës, pa kërkuar falje për krimet e kryera në Kosovë dhe pa gjetur trupat e të zhdukurve, ndërmjet të cilëve edhe të akademikut të shquar Ukshin Hoti. Dihen botërisht hipokrizia, paqëndrueshmëria, dredhitë dhe pabesitë e politikës dhe diplomacisë serbe ndaj Kosovës, si dhe përçmimi serb ndaj nesh si komb. Nuk kam qenë ndonjëherë dhe as nuk jam kundër bisedimeve/negocimeve për gjetjen e një zgjidhjeje përfundimtare, të qëndrueshme dhe me leverdi reciproke. Por e kam bindje time që heqja e taksës pa kushte nga ana e Kosovës, do ta vendoste atë në tryezën e bisedimeve në kushte aspak të barabarta me Serbinë, për të mos thënë në kushte inferioriteti. Nëse serbët vijnë në tryezë me një faturë krimi me mijëra shqiptarë të vrarë dhe të zhdukur në Kosovë, me një fushatë dhe propagandë histerike raciste kundër shqiptarëve, me një fushatë tepër agresive kundër njohjeve të reja të Kosovës dhe prapësimin e atyre ekzistuese dhe me një fushatë kundër anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare, dhe nuk kompleksohen aspak, atëherë përse duhet të kompleksohet lidershipi i Kosovës për një faturë disa qindra milionë euro dëm ekonomik Serbisë si pasojë e taksës, dëm ky që nuk është as fatalitet dhe as i parikuperueshëm në të ardhmen?! E kuptoj fare mirë se lidershipi i ri i Kosovës është në fillim të mandatit për të drejtuar Kosovën dhe mund të gjykojnë me idealizëm, me dëshirën pozitiviste dhe me pasionin e fillimit. Po ashtu, ata kanë edhe presion të madh nga faktori ndërkombëtar, përfshirë edhe ambasadorët të vendeve mike. Por do të gjykoja se këtë presion duhet që ta përballojnë me dinjitet, pasi janë votuar me 6 tetor nga qytetarët e Kosovës që të përballuar edhe situata dhe sfida të tilla, që nuk janë aspak të lehta. Të huajt, kushdo qofshin ata, vijnë dhe ikin nga Kosova me axhendat e tyre, dhe të gjithë dëshirojnë suksese në misionet e tyre në Kosovë, gjë që do të përkthehej në bonuse dhe grada në karrierat e tyre diplomatike. Ndërkohë që të huajt do të ikin nga Kosova me ose pa dekorata, me ose pa taksën e hequr, Kosova, lidershipi dhe populli i Kosovës do të vazhdojnë të mbeten aty, në tokën e të parëve. E fundit, por jo më e parëndësishmja, ka të bëjë me gjeopolitikën, me koniunkturat globale, të cilat nuk janë edhe aq të favorshme për arritjen e një marrëveshjeje që do të ishte më e mira për Kosovën. Nuk shoh ngutje për njohjen e Kosovës nga Serbia, pasi këtë njohje nuk e ka lidershipi i Kosovës në dorë dhe as qytetarët e saj, atë e kanë serbët në dorë dhe njohjen do ta bëjnë kur të duan ata dhe vetëm pasi ta shesin shumë shtrenjtë këtë njohje. Serbia do ta njohë Kosovën vetëm kur të ketë një presion ndërkombëtar shumë të madh, presion për pranimin e tyre në BE, gjë që mungon sot, pasi fatkeqësisht shpeshherë politika ndërkombëtare, sidomos ajo europiane, më shumë i ka përkëdhelur serbët dukë dëgjuar manipulimet, mashtrimet, ankimimet apo qarjet e tyre hipokrite, sesa t’u ketë kërkuar llogari për krimet e kryera në Ballkan. Aq më keq dhe në jo pak raste, faktori ndërkombëtar me qëndrimet e tyre ndaj Serbisë duket sikur iu ka amnistuar atyre krimet e kryera në Kosovë, në Bosnje-Hercegovinë dhe në Kroaci gjatë viteve ’90. Në përfundim do të thosha se sfidat e lidershipit të ri të Kosovës janë të shumta, por unë kam shumë shpresë dhe besim që kjo qeveri do të jetë më e mira që Kosova ka pasur që pas luftës së vitit 1999 dhe se kam bindje të plotë se Kosova, me apo pa njohjen e shpejtë nga Serbia, do ta vazhdojë rrugën e saj drejt integrimit Euro-Atlantik, duke filluar me hapin e parë që është heqja e vizave për lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës në hapësirat e Shengenit Europian.

Login to post comments

Lajmet e fundit

Reagon Elon Musk: Komiteti im është anti-Soros, prokurorët e tij nuk po luftojnë krimin, kjo është çmenduri

Globi

Reagon Elon Musk: Komiteti im është anti-Soros, prokurorët e tij nuk po luftojnë krimin, kjo është çmenduri

  Miliarderi Elon Musk reagoi pasi një prokuror i Sorosit deklaroi se do ngrejë padi ndaj tij, pasi e akuzon se po mbledh vota për republikanët në SHBA. Prokurori Larry Krasner e akuzon Musk...

Mbyllet protesta/ Paloka: PPE deklaron se do mbështesë PD-në në votime dhe në luftën e saj për zgjedhje të lira

Politikë

Mbyllet protesta/ Paloka: PPE deklaron se do mbështesë PD-në në votime dhe në luftën e saj për zgjedhje të lira

  Deputeti demokrat, Edi Paloka, deklaroi në mbyllje të protesës së ligjvënësve demokratë përpara Parlamentit Europian në Strasburg se kanë marrë mbështetjen e Partive Popullore Europiane. “Meqë grupi që është nëpër takime...

'Shqipëria ka nevojë për zgjedhje të lira dhe të ndershme', Spaho: Krimi i organizuar, presion ndaj votuesve

Politikë

'Shqipëria ka nevojë për zgjedhje të lira dhe të ndershme', Spaho: Krimi i organizuar, presion ndaj votuesve

  Deputetë të opozitës po protestojnë gjatë ditës së sotme para selisë së Parlamentit Evropian. Sipas opozitës shqiptare, Rama synon “asgjësimin e opozitës përmes burgosjeve politike, duke rikthyer Shqipërinë 34 vjet më pas”. Deputeti...