Nuk përbën asnjë surprizë fakti që Rama po e përdor edhe këtë fatkeqësi për të bërë politikë. Ai e ka bërë këtë me viktimat e 21 Janarit, e bëri me viktimat e tërmetit, po e bën me pandeminë, por do ta bënte edhe me kiametin.
Fakti që profili i tij si politikan nekrofil në një vend si Shqipëria me një demokraci të brishtë, gjen akoma përkrahës dhe mbështetës, nuk është dhe aq faji i tij .
Në këtë pikë, për një politikan si ai, nuk më duket kurrfarë shqetësimi strategjia dhe leksiku që janë përzgjedhur prej tij për t’iu drejtuar qytetarëve shqiptarë në ditët kur vendi po kalon ditët e tij më të vështira.
Nuk më interesojnë as sulmet politike ndaj tij. Ato nuk e bëjnë atë as më të mirë, as më të keq, sepse pas ofensivës së opozitës vitin që shkoi, ku vetë ai dilte në përgjimet zyrtare të prokurorisë, si arkitekti i vjedhjes së zgjedhjeve në bashkëpunim me krimin e organizuar, nuk besoj se ka nevojë më për më keq se kaq.
Por, ajo që më intereson është fakti që me papërgjegjshmërinë e tij, ai ia ka vendosur barrën e daljes nga kriza vetëm qytetarëve, duke iu shmangur detyrimit kushtetues dhe duke mos marrë asnjë përgjegjësi, si pasojë e ka lëshuar ekonominë shqiptare pikiatë drejt degradimit. Gjithashtu, me arrogancën e tij, ai po kërkon të fusë duart për të ndryshuar kodin penal, ose ato që quhen ndryshe ligje organike.
Kjo qasje ‘të dalë ku të dalë’ ndaj ekonomisë shumë shpejt do të sjellë dhe kolapsin e saj të pashmangshëm, ndërsa ndryshimet në kodin penal, jo vetëm që janë anti kushtetuese, por ato cënojnë rëndë të drejtat kushtetuese të qytetarëve dhe dëmtojnë rëndë demokracinë në vend.
Është e qartë, që këto ndryshime nuk janë vetëm një strategji për të mbuluar dështimin e qeverisë në menaxhimin e kësaj krize, por është edhe një taktikë për të shtypur çdo rezistencë dhe për t’i mbyllur gojën qytetarëve të zemëruar.
Me një fjalë, paketa e ‘bukës dhe dajakut’, që ky njeri po i ofron shqiptarëve në këto ditë pandemie, është një kombinim presioni dhe dajaku, që nuk tenton zgjidhjen e situatës, por synon në mënyrë të arrogante vazhdimin e rrjepjes së mëtejshme të pasurisë së shqiptarëve, për pasojë situata pritet të degjenerojë në mënyrë të pashmangshme drejt përplasjes civile.
Në vend që të merren masa, që marrin në konsideratë situatën e rëndë ekonomike për shkak të pandemisë, masa konkrete që synojnë ringritjen e ekonomisë në total dhe jo ‘qese-masa’ buke partiake, që i trajtojnë njerëzit për lëmoshë, ai ka zgjedhur që t’i trajtojë shqiptarët si njerëz të botës së tretë, që janë bërë për lëmoshë si dhe të ndëshkojë me kamzhikun e ligjit këdo që ngre zërin kundër tij për këtë trajtim.
Kjo është e papranueshme, sepse qytetarët nuk janë skllevër pa dinjitet që të mund t’i trajtosh si lypsarë, për sa kohë paguajnë taksa ndër më të lartat në rajon. Mbështetja për ta nuk është zgjedhje, por është detyrim kushtetues i qeverisë .
Ndaj, në kushtet kur është vërtetuar nga përgjime zyrtare të prokurorisë që kjo qeveri është e paligjshme dhe ilegjitime, në kushtet kur opozita për shkak të kësaj, ka braktisur institucionet, në kushtet e bllokimit të Gjykatës Kushtetuese, në kushtet e një sistemi drejtësie të kapur, në kushtet e asgjësimit të plotë të demokracisë lokale, është mirë që kryeministri të ndryshojë menjëherë strategji sa nuk është vonë dhe t’ia kursejë vendit këtë çmenduri.
Përndryshe, kjo papërgjegjshmëri dhe arrogancë, që ai po tregon me pasurinë e shqiptarëve dhe të drejtat e tyre, do të ketë pasoja të parikuperueshme.