Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha tha se ai dhe opozita do të vazhdojnë të njëjtin qëndrim derisa Shqipëria të kalojë këtë situatë
Sipas kreut të opozitës, ekspertët e Partisë Demokratike kanë bërë propozime konkrete por janë sulmuar nga kryeministri.
I ftuar në “Ora”, Basha tha se nesër do të mblidhet sërish Këshilli i Sigurisë Kombëtare ku është ftuar edhe ai nga kreu i Shtetit.
Basha: Atë që kam bërë prej 5 javësh do ta bëj derisa Shqipëria të çlirohet nga kjo e keqe. Nuk do të angazhohem në retorikë politike dhe me shumë mirësjellje, i kam kërkuar kryeministrit të njëjtën gjë. Ndonëse fjalët e mbrëmshme ishin shpresëdhënëse, kryeministri vazhdon të harxhojë shumë kohë duke sulmuar ekspertët që ka ftuar mbrëmë. Ekspertët e PD janë gati për të ofruar ekspertizën e tyre në çdo moment, në fushën e ekonomisë, në fushën e shëndetësisë. Në çdo fushë, propozimet tona kanë qenë konkrete. Pavarësisht se janë sulmuar dhe më pas janë adoptuar. Ne do të vazhdojmë të bëjmë punën tonë pa u shkurajuar, në shërbim të qytetarëve sepse në këtë ‘betejë’, kemi vetëm një prioritet; shëndeti i qytetarëve. Ftesa ime ndaj kryeministrit është që gjithë vëmendja dhe energjia e tij ta fokusojë tek puna për të mbrojtur shëndetin, jetën dhe ekoniminë e shqiptarëve. Do të ndihmonte nëse propozimet që ekspertët tanë apo ne si opozitë kemi propozuar siç na është premtuar në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Meqë ra fjal, Presidenti i Republikës më ka njoftuar sot se do të thërrasë mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare ditën e nesërme. Ne jemi të gatshëm të japim ekspertizën tonë.
Do të jetë edhe kryeministri?
Lulzim Basha: Po, e ka për detyrë të jetë kryeministri pjesë e saj, por presidenti për herë të dytë po fton edhe kryetarin e opozitës. Pra, ne kemi qenë dhe jemi të gatshëm të ofrojmë të gjithë ekspertizën tonë pikërisht në funksion të daljes nga kjo situatë më sa më pak dhimbje