Burgu për përhapjen e COVID-19/Lubonja: Politika këtu ecën me 'druri ka dalë nga xheneti

Premte, 17 Prill 2020 10:37

Analisti Fatos Lubonja teksa komentoi ndryshimet në kodin penal që u miratuan sot në Kuvend, ku përcaktohet shtrëngimi i masës së dënimit për ata që thyejnë rregullat për karantinën në kohën e COVID-19, theksoi se dënimi nga 5 deri në 15 vite është hartuar për t’i futur frikën qytetarëve.
Në një intervistë për emisionin “Real Story” në ‘News24′, Lubonja tha se politika në vendin tonë është ende e bazuar mbi thëniet e vjetra; “druri ka dalë nga xheneti, ose frika ruan vreshtin”.

“Edhe unë e kam ndjekur këtë debat. Sot meqë do vija këtu hapa edhe Kodin Penal të republikës tonë. Kam një koment, do ta ndaj në pjesë. Problemi kryesor që kishte kjo ishte amendamenti shtesë i kodit penal që krijoi një shqetësim që përmendte shifrën deri në 15 vjet burg për ata që shkelin karantinën. Ajo është ndryshuar, por unë mendoj se nuk duhet harruar. E mora amendamentin e propozuar, pasi që atje duhet të nisë debati ynë.
Është qëllimi, këtu më del qëllimi i parë i atyre që e kanë ideuar. Shtesa fraksion 1, fraksion 2, ishin jo organike. Nëse unë dal befas dhe infektojë dikë, dënohem nga 5 deri në 15 vjet. Qëllimi është që t’i futet frika njerëzve që mos të dalin. Unë nuk mendoj se politika duhet të jenë bazuar mbi thënien tonë të mallkuar dhe vjetër; “druri ka dalë nga xheneti, “ose frika ruan vreshtin”, që ka ushqyer diktatorët në këtë vend. Ne kemi nevojë që këtë krizë ta trajtojmë me solidaritet. Unë s’jam dakord me Vasjarin se kemi demokraci.

Në atë botën demokratike jashtë, aty falënderojnë popullin për sakrificën. Këtu thonë; po e bëjmë ne. Siç bëjnë prindërit rri urtë se të ha qeni. E kam thënë se jam kundër faktit se kjo është luftë. Unë jam i idesë se kur e shohim tjetrin si armik, nesër policia mund t’i lëshohet me hu.

Jam për thirrjen në solidaritet të njerëzve dhe ne po sakrifikojmë fëmijët. Ata po rrinë, kjo është e para gjë që dua të them. Në 99% të shqiptarëve t’u thuash se do ju vë 50 % gjobë, dhe do ju marr patentën, binden. S’mund për një pakicë të dënosh një shumicë.”, tha Lubonja.

Login to post comments