Mjeku i Infektivit: Koronavirusi që nga shkurti në Shqipëri, ka pasur dhe vdekje!

Diel, 26 Prill 2020 14:37

Në rrjetet sociale e njohin si “Xhaxhi Doktori”, dhe bie në sy për natyrën e tij antikonformiste. Emrin e ka Renato Osmënaj, mjeku imazherist në QSUT, i cili qëndron në vijën e parë të “luftës” me COVID-19, ndoshta dhe më parë se zyrtarisht Shqipëria të futej në listën e vendeve të prekura.

Në bisedën paraprake me të, Renato shprehet se virusi mund të ketë qarkulluar në Shqipëri shumë më herët se në shfaqjen e pacientit zero, madje nuk është ndonjë çudi që një pjesë e madhe e popullsisë ta kenë kaluar atë.

Kur e pyesim se çfarë ishte gripi i janarit dhe shkurtit që zbrazi klasat dhe i mbajti njerëzit për ditë me radhë në krevat me simptoma të ngjashme të COVID-19 ai thotë: “Deri më tani mund të hamendësojmë, dhe në hamendjet tona vijnë duke njohur dhe natyrën e virusit, ku te disa persona nuk ka shenja fare ose janë më të lehta se të një gripi të zakonshëm, atëherë nuk është çudi të ketë ndodhur. Këtë e vërtetojnë analizat përkatëse të imunitetit apo antikorpeve, por deri sa ajo të kryhet te një pjesë e konsiderueshme e popullsisë duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë”, shprehet Osmënaj.

 
 
 

Janë orët e vona të mbrëmjes, dhe ai ende nuk ka hyrë në shtëpi. Është jo pak i revoltuar: “Kryeministri harxhon 90 kostume vetëm për të bërë selfie për mjekët dhe infermierët që do shkojnë në Itali, por ne po vazhdojmë të punojmë me rrobat e shtëpisë në spital”, të thotë ai.

 
 

Doktor Osmënaj, po dëgjojmë shpesh fjalën “luftë”, nga goja e kryeministrit por dhe autoriteteve të tjera shëndetësore ose jo. Ju jeni mjeku imazherist në vijën e parë të frontit, si është situata aktuale në Shqipëri, dhe a e justifikon ajo gjithë këtë diskurs të ashpër?

Atëherë në çdo bisedë që bëhet dhe përmendet termi luftë, unë mendoj se më së pari ushtarët e rinj duhet të marrin mend nga ata që e njohin mirë luftën. Janë dhe këto teoritë konspirative që është një virus i fabrikuar apo i prodhuar, por ata që janë realisht populli më i vjetër në luftë janë izraelitët.

Dhe në çfarë kam parë për COVID-19 përgjithësisht nëpër botë është prononcuar përgjithësisht struktura shëndetësore shtetërore, ndërsa atje u prononcua ministri i Mbrojtjes kur tha se 70 për qind e popullatës do e kalojnë, ndërsa moshat e moshuara duhet të jenë të vetëkarantinuar dhe për t’i ushqyer çohen ushqime nga fëmijët apo nga struktura të posaçme të cilët nuk ka nevojë t’i kontaktosh siç bën bëjnë këtu strukturat e Erion Veliajt, por i lënë te dera ushqimet. Ia dezinfektojnë pakot dhe të moshuarit i fusin brenda, gjithmonë pa i kontaktuar.

Ndërsa pjesa tjetër vazhdon jetën normalisht. Kështu që e gjithë strategjia e luftës anti-COVID sidomos për shtetet e vogla që janë komode për shkak të numrit të vogël të popullsisë, dhe kanë mundësinë t’i kalojnë këto siklete më lehtë se metropolet e mëdha të ngrihet mbi këtë bazë. E dyta në vëzhgimet e mia të këtyre 45 ditëve shoh që stadet klinikisht të prekura ose që janë relativisht të sëmurë rëndë, më ngjasojnë më sëmundjen e tumorit. Dhe çdo metodologji për kurimin e kësaj sëmundje shtrihet në dy linja, e para diagnostikimi, pra përcaktimi i sëmundjes dhe shkallës së saj dhe e dyta profilaksia. Profilaksia është blloku i masave, kërkimi epidemiologjik, gjurmimi i rasteve e kështu me radhë.

Kryeministri shprehet se masat kufizuese do të vazhdojnë deri në gjetjen e vaksinës, ndërsa nga Ministria e Shëndetësisë raportohet një numër i ulët të shtruarish, diçka më shumë se 30-të në të dy spitalet COVID. Gjithë këto masa drastike, e justifikojnë situatën reale të COVID?

Jo 100%, do jepja një justifikim deri në masën 60 % justifikues. I gjithë ky ashpërsim masash vjen si pasojë e dobësisë së sistemit shëndetësor që ne kemi. Vetëm ka ndodhur diçka absurde. Janë nxjerrë nga loja, mjekët e familjes dhe poliklinikat, dhe kjo solli që një armatë e madhe, mjekësh jashtë strukturave COVID, të mos kishin njohuritë dhe formimin për këtë sëmundje, në lidhje me reflektimin, diagnostikimin apo menaxhimin e rasteve, si të ruanin veten e tyre e me radhë. Në rast se do ishin në strukturë dhe këta mjekë, atëherë s’do kishte nevojë për gjithë këto masa drastike.

Ju jeni mjek i imazherisë, dhe aty keni qenë dhe përpara fillimit të pandemisë. Raste të ngjashme ka pasur më parë, në janar shkurt për shembull?

Dy javët e fundit të shkurtit ka pasur raste, ndoshta dhe vdekje me COVID por unë nuk kam argumenta imazherikë për ta vërtetuar këtë me fakte. Mund të themi që të prekurit me COVID kanë imazhe shumë të dallueshme nga të tjerat.

Si përshembull?

Është ajo që quhet pneumoni inensiciale, multi fokale me një imazh “xhami i akullit” që e quajmë ne, që nuk e kam parë në përvojën time 20-vjeçare.

Pra, ju po thoni që kjo pandemi ka ekzistuar para se të shfaqej pacienti zero po që mund të mos kenë ardhur në spital?

Absolutisht po. Të paktën dy javët e fundit të shkurtit dhe javën e parë të marsit COVID ka shëtitur nëpër Shqipëri. Madje ka pasur dhe vdekje që janë interpretuar si pneumoni atipike.

Duke ndenjur te ky argument, a ekziston mundësia që një pjesë e madhe e popullatës të jetë asimptomatike, dhe ta ketë kaluar sëmundjen?

Koha është e shkurtër për të menduar se pjesa më e madhe e ka kaluar. Ka grupe popullatash në Shqipëri që deri më tani nuk janë prekur nga COVID dhe kjo mund të vijë dhe falë sistemit imun të shqiptarëve apo specifikave që mund të kenë popullata të ndryshme në ndërtimin qelizor të tyre, por ajo që më bën të mendoj se është ende herët për të thënë se pjesa më e madhe e ka kaluar këtë sëmundje, është shfaqja e rasteve të reja të këtyre që vijnë on block, si p.sh. vatra e fasonerisë në Krujë, apo burgu 313.

Por duhet thënë dhe tjetra se këto janë vatra që kanë pasur doza të larta ekspozimi dhe ngarkesa të larta virale. Sepse, dua ta theksoj dhe këtë, doza e virusit ka një rëndësi të madhe në ecurinë e sëmundjes. Pra sa më shumë të kesh qëndruar me një të prekur, dhe sa më shumë të kesh marrë e dhënë me të, aq më të rënda janë simptomat.

Ne kemi një fashë oraresh, a është e domosdoshme ndalimi i lëvizjes së makinave apo dhe i njerëzve?

Për mua më shumë se fashat e orareve duhet të funksionojë distancimi social, qoftë dhe duke rritur prezencën e forcave policore.

Pra, ju thoni që masat duhen shtuar?

Shqiptarët duhet të mësohen të respektojnë distancat, se jo më kot e thashë më lart që doza e infeksionit është shumë e rëndësishme në trajtimin e sëmundjeve. Në rast se mësohen të ruajnë distancën me njëri-tjetrin, atëherë fasha e daljes mund të zgjatet pa fund dhe 24 orë s’ka asnjë problem.

Kurba e epidemisë këtu te ne është cilësuar në formë “M”-je. Pra, ngrihet ulet ngrihet sërish…?

Unë s’jam specialist i fushës që të flas për këtë problem, por mendoj që ajo çka duhet bërë është që duhet të rritet fasha së daljes, dhe distancim social i pastër.

Ju folët dhe për dozën e koronavirusit më lart, çfarë nënkuptoni me këtë?

Doza e koronavirusit është përcaktuese në gjendjen e sëmundjes që ai do kalojë. Çfarë dua të them? Duhet të jemi përherë në alert për mjediset e punës si p.sh. fasoneritë. Masat atje duhet të jenë drastike, dhe në rast se punonjësit duhet të dalin punë. Pra që nga matja e temperaturës tre-katër herë në ditë, kushtet higjienike, dezinfektimi i ambienteve. Informacioni në lidhje me gjendjen shëndetësore të të afërmve që duhet të përditësohet, sepse një individ mund të mos ketë shenja klinike por mund të jetë një afërm i saj.

Nuk jam për hapjen e qendrave të mëdha komerciale, dhe ajo çka është më e rëndësishme, njerëzit që rezultojnë pozitivë nuk duhet të qëndrojnë në një ambient të mbyllur dhe të bashkuar. Sepse kemi një masë të konsiderueshme çiftesh të moshuarish, në spitalin infektiv, ka rezultuar se kanë qëndruar bashkë për një periudhë të gjatë deri në 20-ditore, të imponuar dhe kanë ardhur të sëmurë rëndë për shkak të qëndrimit të gjatë me njëri-tjetrin./mapo.al

Login to post comments