Shtysa për opinionin ishte procedura e emërimit të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, e cila çoi në një luftë të zgjatur ndërmjet Presidentit Meta nga njëra anë dhe Kuvendit të sunduar nga shumica socialiste e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi të drejtuar nga Ardian Dvorani (KED), nga ana tjetër.
Komisioni i Venecias jo vetëm i jep plotësisht të drejtë Presidentit Meta në këtë përplasje, por kritikon edhe zbatimin e deri tanishëm të Reformës në Drejtësi dhe në veçanti veprimet e KED-it.
Reforma në drejtësi si kërcënim për të drejtat e njeriut
Në lidhje me vetingun, Komisioni i Venecias në thelb deklaron se një pjesë e procesit duket se është e parregulluar me ligj, duke nënkuptuar një shkelje të parimeve të gjykimit të drejtë, që është një e drejtë themelore e njeriut.
Në pikën 83, opinioni shprehet:
“Në Tiranë, delegacioni [i Komisionit të Venecias] mësoi se nganjëherë u ndeshën vështirësi kur duhej të jepeshin sqarime në lidhje me pasurinë e mëparshme të bashkëshortëve të subjekteve. Gjithashtu, u pohua se ka patur një zbatim shumë të ngurtë të një afati të shkurtër (dy javë), pavarësisht se në disa raste dokumentet e certifikuara duhej të siguroheshin nga jashtë vendit. Sipas Komisionit të BE-së, përjashtimet nga ky rregull janë dhënë me kërkese të subjekteve në “shumicën e rasteve”, Komisioni i Venecias nuk e di se mbi çfarë baze ligjore është bërë kjo gjë. Për më tepër, u duk se ishte e paqartë se mbi bazën e cilave kritere disa vendime të KPK-së u apeluan në KPA nga Komisioneri Publik dhe të tjerat jo.”
Komisioni i Venecias më tej, në pikën 88, sjell prova për shkelje të tjera të rënda të të drejtave të njeriut si rezultat i vendeve bosh në Gjykatën e Lartë:
“Komisioni dëshiron të theksojë më tej se mungesa e Gjykatës së Lartë mund të jetë edhe më kritike për stabilitetin e Shqipërisë sesa mungesa e Gjykatës Kushtetuese. Rastet që vinë nga gjykatat e ulta nuk mund të vendosen dhe Shqipëria shkel sistematikisht të drejtën për një gjykim të drejtë brenda një kohe të arsyeshme. Në mungesë të ndonjë zgjidhjeje tjetër, kjo ka të ngjarë që të çojë në situatën kur shumë raste do të përfundojnë para Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.”
Për më tepër, Komisioni zbuloi se ndërsa Reforma në Drejtësi tani po përbën një kërcënim të rëndë për të drejtat themelore të njeriut në Shqipëri, ajo gjithashtu nuk arrin të përmbushë një nga premtimet kryesore të vetë reformës, pikërisht një gjyqësor të pavarur dhe profesional, ndërsa “efektet negative ” të vetingut kanë çuar në “çkurajimin e njerëzve për të aplikuar për poste në sistemin gjyqësor.”
Kritika direkte ndaj vendimeve të KED-së dhe Dvoranit
Komisioni i Venecias më tej masakron disa nga vendimet e debatueshme të marra nga KED-i nën drejtimin e Dvoranit.
Në korrik 2019, nën presionin e fortë të qeverisë Rama, Dvorani deklaroi se KED do të miratonte anëtarët e Gjykatës Kushtetuese pa e kaluar vetingun, duke shkelur parimin themelor të Reformës në Drejtësi. Ky vendim çoi në emërimin e Besnik Muçit në Gjykatën Kushtetuese dhe shkarkimin e shpejtë të tij pas emërimit pasi nuk e kaloi vetingun.
Opinioni i Komisionit të Venecias kritikon hapur vendimin e Dvoranit, i cili, pa dyshim, ishte i bazuar në këshillat prej “eksperti” të EURALIUS-it (pika 85):
“Në çdo rast, nuk mund të ketë asnjë dyshim se anëtarët e Gjykatës Kushtetuese duhet të kalojnë vetingun dhe se [KED] duhet të propozojë vetëm kandidatë që e kanë kaluar procedurën e verifikimit.”
Dvorani ishte gjithashtu në qendër të debateve për emërimin e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese në fillim të këtij viti, sepse ishte vendimi i tij që të dërgonte tek Presidenti Ilir Meta njëherazi dy lista kandidatësh edhe pse Presidenti, sipas Kushtetutës, mund të emërojë gjyqtarët vetëm me rradhë njëri pas tjetrit.
Ishte, gjithashtu, pretendimi i KED-it që Arta Vorpsi u zgjodh automatikisht pasi Presidenti nuk pranoi të emërojë një gjyqtar të dytë njëherazi me të parin, duke përmendur zgjedhjen me rradhë që është mishëruar në Kushtetutë dhe Ligjin për Gjykatën Kushtetuese.
Duhet theksuar gjithashtu se pretendimi i Kryeministrit Edi Rama për këtë veprim, ishte se ndërkombëtarët—EURALIUS dhe OPDAT—mbështetën Dvoranin dhe Kuvendin, kundër Presidentit.
Por tani Komisioni i Venecias, i konsideruar nga të gjitha palët si një arbitër neutral dhe kompetent, gjykon shumë ndryshe.
Para së gjithash, opinioni vë në dyshim nëse KED-i ishte plotësisht i kualifikuar për të marrë vendime për renditjen e kandidatëve për Gjykatën Kushtetuese, sepse jo të gjithë anëtarët e tij ishin vetuar:
“[KED-i] ishte një institucion jofunksional që nga fillimi, […] mungesa e anëtarëve të vetuar e privoi [KED] nga besueshmëria e tij, kështu që përshtatshmëria e tij për të renditur kandidatët u vu në dyshim. Gjykohet thelbësore për Komisionin e Venecias që anëtarët e tanishëm dhe të ardhshëm të [KED] duhet t’i nënshtrohen një procedure të shpejtë të verifikimit (nëse ende nuk janë verifikuar).”
Për më tepër, opinioni shprehet se KED-i nën drejtimin e Dvoranit “veproi në mënyrë jo transparente” duke përjashtuar në mënyrë jo kushtetuese Avokatin e Popullit nga veprimtaria e tij (par. 91):
“Transparenca është thelbësore për krijimin e besimit të publikut në procedurën e emërimit, dhe për rrjedhojë në vetë Gjykatën Kushtetuese. Sidoqoftë, KED nuk pranoi detyrimin kushtetuespër për praninë e Avokatit të Popullit si vëzhgues në përzgjedhjen me short [të anëtarëve], si dhe në mbledhjet dhe veprimtarinë e KED-it (Nenet 149 / d (3) dhe 179 (11) të Kushtetutës).”
Kështu, Komisioni i Venecias shpagon Avokaten e Popullit Erinda Ballanca, e cila u ankua për këtë gjendje antikushtetuese në vitin 2019—por ankesa e saj ra në veshët e shurdhët të ndërkombëtarëve.
Sa i përket rrëmujës në procedurën e emërimit në Gjykatën Kushtetuese që është origjina e opinionit, Komisioni i Venecias vëren se “koha e zgjedhur nga [KED] për përcjelljen e listave të kandidatëve të renditur tek Presidenti dhe Kuvendi […] shkaktoi një incident të madh procedurial ”. Komisioni i Venecias ka zbuluar se koha e dërgesës nuk u vendos nga KED në mënyrë kolegjiale, por duket se ka qenë vendimi i vetëm i kryetarit të KED-it, Dvorani (par. 93):
“Në përgjigje të pyetjes së delegacionit të Komisionit të Venecias, pse ai i dërgoi listat në Kuvend gjashtë ditë më vonë se ato të dërguara tek Presidenti, Kryetari [i KED-it] u përgjigj se përgatitja e dosjeve të plota që ishin dërguar së bashku me listat zgjati më shumë. Kjo mënyrë veprimi nuk u diskutua në [KED]. Komisioni i Venecias nuk është në gjendje të shqyrtojë nëse shpjegimi i dhënë është i besueshëm. Sidoqoftë, duhet të ishte e qartë se data e dërgimit të listave do të kishte pasoja të rëndësishme për shkak të aplikimit të mundshëm të emërimit automatik në bazë të rregullit 30-ditor.”
Pastaj, kur vjen fjala për përbërjen e listave të kandidatëve—një tjetër pikë debati midis Presidentit dhe Parlamentit—Komisioni i Venecias shprehet qartë se lista e kandidatëve për secilin pozicion duhet të përfshinte të paktën tre anëtarë: “çdo listë për një vend të lirë duhet të jetë e pavarur nga të tjerat, dhe duhet të ketë të paktën tre kandidatë (të ndryshëm nga tre kandidatët e listave të autoritetit tjetër emërues)” (par. 97), duke i dhënë kështu të drejtë argumenteve të Presidentit Meta të nëntorit 2019 dhe duke rrëzuar argumentin e Kuvendit për të kërkuar shkarkimin e tij:
“Në këto kushte, si dhe duke pasur parasysh faktin se procedurat që mbivendose nuk janë rregulluar në mënyrë të qartë, nuk duket e paarsyeshme që Presidenti të gjykojë se duhet të respektojë radhën e njëpasnjëshme edhe për zgjedhjen aktuale të kandidatit: nëse radha ekziston, ajo duhet të ketë një ndikim në rendin e emërimit nga një listë e vetme. Për më tepër, në një situatë të tillë emërimi nga një autoritet ka një ndikim të drejtpërdrejtë në emërimin e autoritetit tjetër pasi ndryshon përbërjen e listës së kandidatëve në dispozicion të organit përkatës emërues. Për më tepër, sikur Presidenti të kishte zgjedhur dy kandidatë, Kuvendi do të kishte në dispozicion një listë me më pak se tre kandidatë, numri minimal i kërkuar nga Kushtetuta. Rezervat për shkak të kësaj perspektive nuk duken të pajustifikuara. Sjellja e Presidentit në lidhje me këtë nuk duket se justifikon vendimin për ta hequr atë.”
Për më tepër, Komisioni i Venecias mbështet vendimin e Presidentit Meta për të ndaluar procedurën e emërimit për kandidatin e tij të dytë dhe të refuzojë “kandidatin e paracaktuar” Arta Vorpsi të nisur nga Dvorani dhe Kuvendi: “Prandaj, duket e justifikuar që Presidenti nuk pranoi të bënte betimin e gjykatësit të prenteduar si të emëruar si zgjedhje automatike ” (par. 99), dhe se “betimi” i Vorpsit para një noteri në Tiranë nuk kishte asnjë vlerë juridike (par. 100):
“Komisioni i Venecias vëren se Neni 129 i Kushtetutës parashikon se një gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese fillon detyrën e tij/saj pasi të bëjë betimin para Presidentit të Republikës (theksimi i shtuar). […] Ndërsa është e paqartë nëse kjo është një kërkesë thjesht formale apo nëse nënkupton kompetencën e Presidentit për të kontrolluar nëse rregullat në emërimin/ zgjedhjen janë zbatuar në mënyrë korrekte, është e qartë se betimi para Presidentit është parakusht për marrjen e detyrës.”
Në fund, Komisioni i Venecias hedh poshtë ndryshimet ligjore të miratuara nga Kuvendi për heqjen e kompetencës kushtetuese të betimit nga Presidenti (par. 107):
“Nëse vlerësohet e domosdoshme për të shmangur ngërçin në rastet e qarta të abuzimit, dispozitat e miratuara se fundmi por ende jo efektive për një mekanizëm automatik të betimit, duhet të zëvendësohen me një dispozitë të formuluar qartë që do të duhet të përfshihet në nivelin kushtetues.”
Kështu draft-opinioni i Komisionit të Venecias i jep plotësisht të drejtë veprimeve të Presidentit Meta dhe argumenteve ligjore që ai dha për to, ndërsa kritikon ashpër për procedurën për zgjedhjen e gjyqtarëve kushtetues të miratuar nga KED-i nën kryesimin e Ardian Dvoranit dhe ndryshimet ligjore të miratuara nga Kuvendi me nxitjen e kryetarit Gramoz Ruçi.
Bazuar në opinionin e Komisionit të Venecias, duket se ka prova të bollshme që Dvorani ka kryer me të vërtetë abuzim të detyrës. Një kallzim i Presidentit Meta kundër Dvorani aktualisht po hetohet nga SPAK-u, ndërsa vetë Dvorani duket se mban ende me sukses vendin e tij në Gjykatën e Lartë dhe kryesinë e KED, pavarësisht përfundimit të mandatit të tij në 2014.