Pse sulmohet vetëm Basha për marrëveshjen

E mërkurë, 10 June 2020 09:32

Marrëveshja për Reformën Zgjedhore mes Partisë Demokratike dhe asaj Socialiste në mënyrë të kuptueshme ka ngjallur debate, të cilat në mënyrë jo domosdoshmërisht të kuptueshme kanë në qendër vetëm Partinë Demokratike (nuk sheh askund një kritikë për PS-në). Në thelb, marrëveshja nuk sjell ndonjë arritje të jashtëzakonshme. Ajo parashikon, ndryshe nga më parë, që çdo shqiptar që do të shkojë për të votuar, në qendrën e votimit do të identifikohet në mënyrë elektronike. Kjo është e reja e vetme e madhe e marrëveshjes. Kjo do të bëjë që askush të mos mund të votojë më dy apo tri herë. Nuk dihet dhe nuk ka studime se sa i madh ka qenë manipulimi i zgjedhjeve për shkak se kishte hapësirë që njerëzit të votonin më shumë se një herë, ndonëse është e sigurt se ka ndodhur. Kjo është padyshim një arritje e opozitës.
Gjatë gjithë ditëve të negociatave u këmbëngul me forcë që komisionet të depolitizohen, d.m.th. në to të mos marrin pjesë në mënyrë të barabartë përfaqësues të partive. PD dhe opozita nuk e pranuan dhe këmbëngulën fort që kjo të mos ndodhte, pasi sipas saj (është e qartë dhe për këdo, në fakt) nëpunësit shtetërorë që do të përbënin komisionet janë shumë partiakë dhe qeveria e Partisë Socialiste do të merrte nën kontroll administrimin e zgjedhjeve. PD ia arriti të mos lejojë rënien e administrimit të zgjedhjeve në dorë të PS-së.

Kritikët e PD-së në lidhje me marrëveshjen mund të jenë të ndryshëm, por kryesisht ata u përkasin dy kategorive. Njëra kategori janë njerëzit e shumicës në qeveri, në media, në hapësirën publike, gazetarë, opinionistë etj., të cilët thonë që Basha humbi, që bëri një opozitë trevjeçare që i shkoi kot, që tha se nuk do të hyjë në zgjedhje me Ramën dhe tani po hyn, që dorëzoi mandatet dhe bashkitë dhe tashmë bën prapakthehu, që kjo është krizë e opozitës etj.

Kryeministri Rama do të donte që PD-ja të mos nënshkruante marrëveshjen, të shfaqej para ndërkombëtarëve dhe shqiptarëve si destruktiv që pengon hapjen e negociatave. Më e rëndësishme sesa kaq, Rama donte që PD-ja të dilte rrugëve, të futej në një spirale protestash dhe djegie gomash, të kërcënonte me mosfutje në zgjedhje, të mos futej në zgjedhje kur ato të vinin. Rama do të emëronte kësisoj një opozitë kur të vinin zgjedhjet, të cilën do ta fuste në zgjedhje dhe do t’i jepte deputetë mjaftueshëm deri në një masë prej 30% të Kuvendit.

Rama ka punuar që nga dita e parë që mori pushtetin në vitin 2013 që ta zhdukë PD-në si parti alternativë qeverisëse, ta zhdukë atë si konkurrenten që mund ta rrëzojë nga pushteti. Ai bëri gjithçka, që nga përhapja e opinioneve që PD do të bëhet parti e tretë, te përhapja e qëllimtë e opinionit, që, siç ka ndodhur në gjithë Lindjen, PD do të humbë peshën ose edhe zhduket, e deri tek uzurpimi i pushteteve vazhdimisht, në mënyrë që t’ia pamundësonte PDsë ruajtjen e fuqisë së saj si opozita e vërtetë.

Nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili, ka thënë se në vitin 2017 Rama kërkonte që zgjedhjet të zhvilloheshin pa pjesëmarrjen e PD-së. Në atë kohë, Rama, veç LSI-së dhe PDIU-së që ishin parti të rëndësishme të spektrit politik dhe do të hynin në zgjedhje (ishin në koalicion qeveritar), përgatiti terrenin në mënyrë që opozitës së re që do të krijonte t’i shtohej partia e Blushit, e Topit dhe e Bojaxhiut. Madje, pati zëra në shtyp që ai do të quhej “Blloku Independent” dhe do të merrte rolin e opozitës. Në atë rast Rama dështoi sepse PD u fut në zgjedhje me një marrëveshje, të cilën Rama e shkeli plotësisht, duke blerë zgjedhjet. Janë të njohura tashmë përgjimet e “Bild”, ndonëse ato janë vetëm thërrmija para asaj që ka ndodhur.

Skema e Ramës për të asgjësuar opozitën si alternativë mbeti në këmbë pas atyre zgjedhjeve. Ndërtimi i një pushteti apo regjimi neopatrimonialist të një koalicioni PSbiznes klientelist-njerëz dhe grupe të trafikut të drogës, me anë të të cilit krijohet një marrëdhënie varësie vertikale padronklient nga zyrtari më i lartë te fshatari më i largët, do të çonte vetvetiu në asgjësimin e opozitës. Këtij regjimi neopatrimonialist i duhet shtuar edhe marrja nën kontroll e gjykatave, prokurorisë dhe ekonomisë kombëtare.

Ky regjim neopatrimonialist do t’i merrte frymën opozitës, do ta fuste atë në një luftë të brendshme, do ta lodhte, do ta nxirrte rrugëve në protesta, do ta dobësonte në atë masë që ajo të humbte besimin para njerëzve dhe të mos “dinte ku ka kokën”, të mos hynte në zgjedhje ose të hynte e shkatërruar, e shkërmoqur etj. Vetë Rama i ka dërguar mesazh telefonik Ilir Metës, mesazh që e publikoi Meta, në të cilin ai shkruan se Meta nuk do të gjejë më parti kur të mbarojë mandatin si President dhe Basha nuk do të jetë më kryetar i PD-së. Ky mesazh është publikuar para më shumë se një viti. Kjo ka qenë skema e Ramës dhe ka dështuar plotësisht. Asnjë ditë, opozita nuk u fut në atë qorrsokak që donte qeveria, për asnjë moment lufta e brendshme në PD nuk e futi PD-në në kaos, ajo luftë nuk pati fuqi të bëjë atë që dëshironte Rama dhe për asnjë moment koalicioni opozitar nuk u shkërmoq.

Shembullin për të shkatërruar opozitën, Rama e ka parë në Serbi dhe në Mal të Zi, vende në të cilat opozita ose është e përbërë nga parti të vogla dhe mesatare, ose nuk është fare alternativë qeverisëse. Opozita malazeze nuk e ka marrë pushtetin kurrë që nga pavarësia. Në Serbi, opozita përbëhet nga disa parti, të cilat rrotullohen secila në një interval prej zero vendesh në Parlament deri në 22 vende. Partia më e madhe është ajo Radikale me 22 vende dhe më pas vijnë Partia Demokratike e Serbisë me 16 vende, Partia Demokratike me 12, Lëvizja Dveri me 7 vende etj. Parlamenti serb ka 250 vende. Është krijuar një partie e re “Mjaft është mjaft”, që duket se do marrë disa vende (ngjan ndoshta edhe me diçka te ne). Me opozitën disapartiake, ku partia më e madhe merr 8% të vendeve në Kuvend, Vuçiç nuk bie më kurrë nga pushteti. Kjo është ëndrra e Ramës, që PD të marrë 12-13 deputetë, LSI të marrë 3-4 deputetë, PDIU 1-2 deputetë, Bojaxhiu 5-7 deputetë, Topi 4-5 deputetë e me radhë Vetëvendosja apo Organizata politike, Nisma Thurje. Në këtë skemë, ai synon të bëhet si Vuçiç.

Prishja e kësaj skeme jetike për interesat e Ramës nga PD pa dyshim që ka shkaktuar shqetësim dhe njerëzit e tij do ta sulmojnë PD dhe Bashën për marrëveshjen. Nisur nga ky kënd, kritikat janë plotësisht legjitime, ndonëse plotësisht joetike. Kjo kategori e kritikëve që vijnë nga ata që përfaqësojnë interesin e Ramës ka edhe dy nënkategori që nuk përfaqësojnë interesin e tij, por që sheh t’i bashkohet pjesërisht trajektorja me Ramën. Njëra janë ata që duan humbjen dhe dështimin e Lulzim Bashës në luftën brenda PD-së. Në qoftë se PD dhe Basha hyjnë në zgjedhje, janë alternativa qeverisëse që mund Ramën në zgjedhjet e ardhshme, atëherë ky është rezultati më i keq i tyre. Edhe ata do të donin një PD që rri rrugëve në protesta dhe nuk hyn në zgjedhje.

Nënkategoria tjetër janë ata që duan daljen e një partie ose disa partive të reja. Ata duan që opozita të shkatërrohet, të mos marrë pjesë në zgjedhje ose të paktën të bëhet e vogël, aq sa një prej partive opozitare në Serbi. Në këtë mënyrë, për to ka hapësirë më shumë për pjesëmarrje në politikë.

Nënkategoria e dytë e kritikëve janë njerëz të opozitës, mbështetës dhe militantë, të cilët nuk përballojnë dot presionin e qeverisjes, nuk durojnë dot këtë shkallë të rëndë të korrupsionit, të rikthimit në institucione të shumë njerëzve nga regjimi i vjetër, të mjerimit në vend. Në një masë të madhe, propaganda e qeverisë dhe e Kryeministrit, lufta e brendshme politike, ushqimi i helmuar që u jepet njerëzve dhe atyre nga mediat e pushtetit ka bërë që ata të shohin dobësi të caktuara tek opozita dhe të shohin si zgjidhje vetëm revoltën, vetëm protestën. Ata mendojnë se marrëveshjet me Ramën nuk çojnë asgjëkund. Është fakt që marrëveshjet me Ramën nuk çojnë asgjëkund, është fakt që marrëveshja e Reformës Zgjedhore nuk do të zgjidhë asgjë thelbësore, por ajo është një stacion i domosdoshëm për të shkuar, për t’u nisur nga aty për në stacionin e fundit që është dita e zgjedhjeve.

Nënshkrimi i marrëveshjes për reformën është në të vërtetë një akt tipik i një fryme të djathtë, për të cilën PD dhe Shqipëria ka nevojë në mënyrë dramatike. Për të djathtën, për idenë dhe frymën konservatore, thotë Peggy Noonan, ish-këshilltare e Presidentit Reagan, politika ka të bëjë me njohjen e realitetit (që është i njohshëm gjithnjë) me vlerësimin e mundësive që ke për të ecur para, për të rregulluar gjërat brenda këtij realiteti. Nuk udhëhiqet fryma e djathtë nga inati, nga zemërimi, nga urrejtja. Nuk i merr vendimet e djathta nga emocione të tilla. Vetëm e majta lind dhe rritet nga këto emocione dhe për shkak të kësaj ajo bëhet kriminale. Nuk synon e djathta asnjë utopi, asnjë botë të re që është krejt jorealiste, por synon ndryshime të matura brenda realitetit. Për të djathtët, vendimmarrja merret në bazë të parimit “reflektim dhe zgjedhje”. James Madison thotë se sipas këtij parimi njerëzit duhet të njohin realitetin, të kuptojnë mundësitë apo zgjidhjet e mundshme, të kuptojnë pasojat e çdo zgjidhjeje dhe më pas të zgjedhin jo atë që duan, por atë që duhet. Si pasojë e këtyre parimeve, e djathta mbron atdheun, mbron njerëzit, mbron pronën, liritë fetare, dinjitetin e njeriut, është e duruar, nuk shkatërron gjithçka për egot dhe urrejtjet e saj etj.

Me marrëveshjen për Reformën Zgjedhore është bërë ajo që duhet. PD ka hyrë në sistem, ka konfirmuar marrëdhënien e mirë me SHBA-të, ka respektuar kërkesën e Bundestagut dhe Komisionit Europian për kushtet e hapjes së negociatave, ka marrë disa garanci (joshteruese) mbi kufizimin e manipulimit të zgjedhjeve dhe ka djegur skemën diabolike të Kryeministrit.

Me marrëveshjen që nënshkroi Basha dhe gjithë opozita, ra një skemë me synime të poshtra jo thjesht për PD-në, por për vendin. Pas kësaj, përballja në zgjedhje me opozitën, ku të gjitha partitë domethënëse në Shqipëri janë kundër Ramës, do të jetë shkatërrimtare për Ramën. Kjo kohë trevjeçare ka qenë e vështirë sepse ai pushtet i një regjimi neopatrimonialist që punon mbi skema të asgjësimit të opozitës (dhe të pluralizmit), duke pasur në dorë të gjitha pushtetet, nuk mund të përballet në mënyrë konvencionale. Opozita bëri veprime të padëgjuara, sakrifikoi çdo pushtet që kishte në Parlament apo në atë lokal, i “dhuroi” Ramës një shumicë parlamentare prej 130 deputetësh, sepse nuk kishte asnjë mënyrë tjetër. Edhe në ato raste, opozita duket se ka ecur me parimin “reflektim dhe zgjedhje”.

Të gjithë ata që kanë pritur që një regjim i tillë, një pushtet kaq i madh i një koalicioni të trefishtë PS-biznes klientelist-trafikantë që ka zhdukur deri edhe gjykatat, do të rrëzohej me marrëveshje ose me protesta, e kanë pasur gabim. Ky pushtet luftohet në mënyrë jokonvencionale sepse duhet të ruhet integriteti i opozitës (që kërcënohej drejtpërdrejt nga pushteti dhe ishte synim i tij, madje) dhe sepse duhet që ky pushtet të shfaqë pamjen e vet të vërtetë para kujtdo. Më pas, lufta bëhet konvencionale dhe shkohet në zgjedhje. Kështu vjen përgjithësisht fundi i pushteteve të tilla.

Login to post comments

Lajmet e fundit

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

Politikë

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

  “Përshkallëzohet drama në portin e Durrësit. Detaje të reja mbi kompaninë fiktive kroate dhe lidhje të mundshme kriminale”. Me këtë titull e përditshmja gjermane “Focus Online” i ka kushtuar vëmendje...

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...