Shqipëria dhe Kosova në komunikimin e zakonshëm!

Tuesday, 08 September 2020 21:38
Nga Adi Krasta -
 
 

Marrëveshja e fundit mes Kosovës, Izraelit dhe Serbisë, shkaktoi furtunën e radhës në gotën e internetit.

Si çdo derbi, për ata që janë mësuar të rrinë e shohin, pati pro dhe kundra. Edhe një herë tjetër u morëm me detajet e vogla. Ashtu pa kuptuar e kemi afruar syrin shumë afër pikturës, duke  humbur panoramën e madhe. Po përpiqem me modesti, por me këmbëngulje, të nxis një debat për komunikimin e brendshëm dhe jo politikën e madhe.

Është e njohur se nëpërmjet retorikës folklorike, në Serbi nuk pushojnë përpjekjet për të vendosur një vazhdimësi historike mes kombit të sotëm serb dhe serbëve të mesjetës. Matija Beckoviç, një shkrimtar nacionalist, thotë se përdorimi i një retorike të tillë, synon formimin e një kombi të përjetshëm. Shqiptarët tingëllojnë ende të pashqetësuar për periodicitetin e sensit të tyre të protagonizmit.

Pas Lidhjes së Prizrenit, ku përpjekja ishte të ruheshin territoret shqipfolëse, si pjesë e dominimit të perandorisë otomane në shpërbërje e sipër, shqiptarët, pra ne, nuk kemi bërë asnjë veprim të qenësishëm për fuqizimin e e tyre në territoret shqipfolëse, që në mënyrë skandaloze vazhdojnë të rrudhen edhe në kohën e integrimeve europiane, të cilat dukshëm refuzojnë të na përfshijnë. 

Shumë vjet pas ndërhyrjes euroatlantike për çlirimin e territorit të Kosovës nga ushtria serbe, ajo që do të duhej të ishte një betejë ligjore e kushtetuese, ka qenë dhe është një betejë narrativash, domethënë tregimtarësh.

Edhe nga ngjarjet e fundit në Shtëpinë e Bardhe, kuptohet lehtësisht se simbolizmi religjioz dhe emocionet e vjetra, janë shumë të pranishme edhe si mjete me të cilat operohet zyrtarisht.

Kosova sot ka fituar një pranim të përbashkët me Izraelin, i cili nuk është i dëmshëm, përkundrazi, por që nuk përbën një ndryshim thelbësor në gjendjen e paqëndrueshme të saj. Duhet të kujtojmë se tre duket se janë alternativat e momentit për këtë vend me 99 % shqiptarë. Të vazhdojë një lojë të rrezikshme pranim – mospranimi me vendin me të cilin ka bashkëjetuar më shumë kohë, duke u shtypur; të ekzistojë me një status të paqartë e të paqëndrueshëm pavarësie, që gjithmonë do ketë dikë që ta kundërshtojë e sabotojë; dhe e treta, të forcojë lidhjet natyrale me Shqipërinë.

Dhe kur flasim për Shqipërinë, një nga mendjet më simpatike të botës së gazetarisë shqiptare përpara disa ditësh, pas pushimeve verore në jugun e Shqipërisë, kishte shkruar se ndërsa i ishte dukur i sjellshëm një mjek në Sarandë që kishte komunikuar si njeri i kulturuar, i ngjallte revolte sjellja e personelit të shërbimit në hotelet dhe plazhet e rivierës së Shqipërisë së Jugut.

Reagimi i komentuesve ishte, siç edhe pritej, i ashpër dhe diskreditues për kamerierët vlonjatë e sarandiotë dhe ata në ndërmjet, për taksistët me vetura të qelbura që gënjejnë e mashtrojnë dhe për njerëzit e zakonshëm që takohen çdo ditë, e që duhet t’i pyesësh dy herë sepse nuk ua kupton dialektin.

Bashkë me ndryshimin e vazhdueshëm që rinia studentore kosovare ka manifestuar në lidhje me bashkimin e mundshëm me Shqipërinë, duke mos e fshehur mosnjohjen nga ana e tyre e Shqipërisë dhe një neveri të lehtë qesëndisëse për gjithçcka vulgare që populli i saj përfaqëson, në studiot televizive edhe njerëz që kanë jetuar në Shqipëri në kohë të vështira, nuk e kanë përmbajtur kundërshtinë revolucionare për paternalizmin e Shqipërisë dhe pretendimet e saj për të dhënë mend e për të kërkuar llogari.

Klasa politike kosovare, segmente te grupimeve elitare kulturore e artistike, diplomatike e akademike, tanimë nuk e fshehin se janë gati të mbretërojnë të parët në katund dhe të mos hynë në një konkurrim vlerash e në një bashkëjetesë konstruktive apo rivaliteti të shëndetshëm me shqiptarët në zonat shqipfolëse, ku më kërcënues rezultojnë për ta njerëzit e Shqipërisë.

Shqipëria vazhdon të portretizohet nga opinion-bërës të njohur të Kosovës, si një vend që më shumë i prish punë Kosovës, sesa mund ta ndihmojë atë.

Politikëbërësit e Shqipërisë kanë ndihmuar gjithashtu për krijimin dhe fuqizimin  një sentimenti të tillë. Që të jemi të ndershëm, do të duhet të themi se klasa politike e Kosovës është po aq e korruptuar dhe injorante, sa ajo e Shqipërisë. Por, ndërsa kjo e fundit maninë e madhështisë dhe mosshërbimin inteligjent ndaj vendit të saj e mbyt me arrogancë e narcizizëm, si dhe një gjuhë skandaloze, politikanët dhe drejtuesit e institucioneve kosovare kanë përshtatur një sjellje kundërshtuese pasive, agresive dhe të drunjtë.

Ata qartësisht duken më me etiketë se pushtetarët e Shqipërisë, por me një vëzhgim sadopak të kujdesshëm, kuptohet se janë po aq lokalistë e klanorë, dyshues e arrivistë dhe të interesuar ndaj trafikut të influencave, përtej interesave imediate të vendit.

Kështu, në një Moskuptim të Madh që ka nisur herët me kujdesin e shërbimeve të fshehta e ushtrive armike, Kosova e trajton Shqipërinë me një lloj mosbesimi, ndërsa Shqipëria kur harron të bëjë paternalisten e pasjellshme, i kthehet indiferencës së vendit që pati fat të bëhej i pavarur më shumë se 100 vjet më parë. Natyrisht nga të tjerët dhe pa ndonjë meritë.

Fakt është që qeveritë e Shqipërisë dhe Kosovës, nuk arritën të unifikonin abetaren, as cilësitë e arsimit në të gjitha nivelet. Përtej shfaqjes me dekor, duket se politikanet me pampers ishin te interesuar më shumë të kënaqnin interesat e sekteve të rrezikshme ndërkombëtare, asgjë më shumë se ajo që Esad Pashë Toptani e të tjerë shitës të interesave kombëtare, kanë bërë gjatë gjithë historisë.

Shqipëria është pa dyshim një vend i çudirave. Në Shqipëri dëgjohet pa problem muzika sllave, çka shkakton me të drejtë një shqetësim të njerëzve të Kosovës, kur janë këtu. A mundet një shqiptar i Shqipërisë të tregohet i ndjeshëm për të mos dëgjuar me zë të lartë biello dugme, vetëm sepse pranë tij është një familje kosovare, të cilës i janë vrarë gjyshër e nipër gjatë luftës? Ky do ishte një gjest elementar i ndjeshmërisë kombëtare.

Titulli “Dynden kosovarët për pushime në Jug” është i pavlefshëm dhe jo profesional, edhe sikur ta shohësh si sensacionalist, nuk vlen më. Ata vijnë, ne shkojmë. Dyndja është fjalë me konotacion të shëmtuar. T’i kërkosh një editori të tregoje kujdes në gjetjen e fjalës së duhur, nuk është luks. Në Shërbimin Botëror të BBC-së, një filtër shumë i ndjeshëm etik i zgjedh fjalët kur flitet për irlandezët, skocezët apo edhe për shqiptarët në formulime lajmesh. 

Ministria e mungesës së Kulturës së Shqipërisë dhe ajo e mungesës e turizmit e ushqimit, do të duhej shumë herët të kishin aplikuar programe për ndryshimin e mentalitetit dhe sjelljes së njerëzve të shërbimeve në Jug, për të treguar kujdes e edukate me të gjithë klientët, por në veçanti për shqiptarët e veriut të saj, deri në Mitrovicë.

Lavazhot duhej të ndryshonin në Larje dhe përdorimi i gjuhës greke të zbutej nga inati, e t’i linte vendin përdorimit të gjuhës shqipe, shoqëruar me elegancë, pastërti dhe uniforma të lara.

Shqipëria ndoshta ka shumë pasaktësi në konstruktin e saj të sjelljes e komunikimit. Por është më e mira alternativë që Kosova të mos mbetet e vetmuar.

Grenell dhe Trump, Biden dhe Ursula van der Lejen, Josep Borell nuk japin garanci se skenarët për pavarësi të kollajshme dhe integrimi në Europë, do të ndodhin shpejt. Autostrada lidhëse me Beogradin dhe dalja e Serbisë në detin Adriatik, nuk duhet të jetë shqetësim për shqiptarët.

Kosova ka 400 kilometra në det. Ajo është e lidhur natyrshëm me pjesën tjetër të kombit. Të dy klasat politike të dy vendeve, duhet të kuptojnë se zgjidhjet janë këtu. Komunikimi i përditshëm, planet e përbashkëta urgjente të arsimimit, punësimit, doganave, tatimeve, monedhës, do të duhej të ishin jetësuar shumë më parë.

Çdo ditë që kalon, e bën Shqipërinë dhe Kosovën më të dobët e më të përçarë. Nëse i lëmë emocionet e narrativës nacionaliste dhe e shohim këtë panoramë nga larg, vetëm në mënyrë pragmatiste, le t’i lëmë trapllëqet e parëndësishme dhe të bëhemi një sa më parë që të jetë e mundur.

Një komision i përbashkët e i qëndrueshëm politikanësh, akademikësh, njerëzish të kulturës dhe artit, duhet të dalin me një Platformë të Madhe dhe të realizueshme. Ata dihet të punojnë me sinqeritet dhe pa u lodhur e mërzitur. Kështu, do mund të arrihet ajo që mendjet e mençura të Rilindjes së parë kishin dëshiruar gjithmonë.

*Monologu i emisionit të parë të sezonit të ri në A-Show

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...