Rama dhe Tahiri, barriera që 6 vendet janë pesimistë për hapjen e negociatave

E Enjte, 19 Prill 2018 14:47

Fjala e kryetarit të Partisë Demokratike në parlament

“Për shqiptarët, dielli lind nga perëndon”, këto fjalë Naim Frashëri i pat thënë mbi një shekull e gjysëm më parë, kur Shqipëria gjendej në errësirën e pushtimit dhe të prapambetjes. Edhe në ditët e tyre më të vështira, edhe kur ishin nën zgjedhat dhe ideologjitë lindore, edhe kur u vetizoluan nga diktatura komuniste, shqiptarët gjithmonë gjenin një dritare, një shteg për të parë drejt perëndimit, drejt Europës.
Në fillim të shekullit, në vitet 20-të, në vitet 30-të, në arratinë nga diktatura komuniste, në vitet 90-të, në vitet 2000, shqiptarët e kanë mbajtur frymën në Itali, në Austri, në Francë, në Gjermani, në Britani, në Amerikë për të gjetur dije, për të gjetur mundësi, për të gjetur shpresë.
Kurdo dhe kudo, aspirata më e madhe e shqiptarëve ka qenë perëndimi, ka qenë Europa. Pavarësisht krahinës, pavarësisht fesë, pavarësisht bindjeve, çdo gjë që i ndan në jetën e përditshme, shqiptarët kanë kërkuar Europën. Përpara se të jenë demokratë apo socialistë, përpara se të jenë të djathtë apo të majtë, përpara se të jenë muslimanë apo të krishterë, shqiptarët janë europianë dhe duan të jenë europianë.
Kjo aspiratë e shqiptarëve gjen një tjetër mundësi në rekomandimin që Komisioni Europian i bëri Këshillit Europian për hapjen e negociatave me Shqipërinë.
Por mbi të gjitha ky rekomandim tregon diçka tjetër shumë të rëndësishme: tregon se jo vetëm ne aspirojmë Europën, por edhe që Europa mbetet e vendosur të na bëjë pjesë të saj.

Është diçka që nuk as nuk mund të imagjinohej më pak se tre dekada më parë. Përveç Shqipërisë edhe Maqedonia mori rekomandimin, ndërkohë që Serbia dhe Mali i Zi që janë duke negociuar me BE-në, shpresojmë të lëvizin më shpejt, ndërsa Kosova shumë shpejt do të marrë lëvizjen pa viza.
Ky realitet është i jashtëzakonshëm dhe frymëzues. Ballkani në Bashkimin Europian është ndoshta pjesa më e guximshme dhe largpamëse, por më domethënëse e vizionit dhe projektit europian. Europa e bashkuar po tregon se është e vërtetë në vlerat e saj dhe e vendosur në veprimet e saj. Ajo po tregon se është e vendosur që ta bashkojë të gjithë Europën rreth këtyre këto vlerave.
Nuk ka shembull më domethënës të këtij vullneti dhe kurajoje europiane se sa rasti i Shqipërisë: Komisioni Europian dha rekomandimin dhe ne shpresojmë që Këshilli do të japë miratimin edhe pse qeveria jonë ka dështuar jo vetëm në përmbushjen e kritereve për hapjen e negociatave, por ka braktisur edhe vlerat themelore europiane të demokracisë, lirisë dhe dinjitetit njerëzor. Edhe pse vizioni dhe frymëzimi i Kryeministrit vjen nga Lindja dhe jo nga Perëndimi.
Në këto kushte, me këtë qeveri dhe këtë kryeminsitër, rruga europiane është më e domosdoshme se kurrë për shqiptarët.
Sepse rruga Europiane është i vetmi instrument për të ngritur institucione të besueshme dhe të përgjegjshme.
Integrimi në BE është e vetmja mënyrë që ne kemi sot për të ndërtuar një demokraci të vërtetë dhe shtet të së drejtës
Rruga europiane është sot e vetmja rrugë që ne kemi për të ndarë politikën nga krimi dhe për të çliruar Shqipërinë nga droga.
E vetëdijshme për këtë, Partia Demokratike ka kërkuar me forcë kudo në Europë prej shumë muajsh hapjen e negociatave me BE-në.

Sot, për ne, BE-ja nuk është vetëm përmbushje e një aspirate shekullore të shqiptarëve, por edhe shpëtim nga katastrofa ekonomike, sociale, politike, që na pret me këtë qeverisje.
Duke shprehur mirënjohjen për Komisionin Europian për vendimin që ka marrë, është e qartë se sot nuk është momenti për festë. Është momenti për vetëdijësim dhe reflektim të të githë shqiptarëve për gjendjen ku jemi dhe hapat që duhet të ndërmarrim për çeljen e negociatave.
Mbi të gjitha sot politikanët shqiptarë duhet të reflektojnë dhe të kuptojnë mirë se çfarë duhet bërë që edhe ky rekomandim të mos mbetet vetëm një copë letër si para dy vjetësh.
Problemet e rëndësishme që ka sot vendi, ky realitet nuk mund t’i fshihet vendeve anëtare. Në Gjermani, në Francë, në Hollandë, në Britani, në Belgjikë, Danimarkë dhe shumë vende të tjera të BE-së ndihen shqetësime serioze dhe ka pesimizëm për përgatitjen e Shqipërisë për të negociuar me BE-në.
Në muajt e ardhshëm duhet të provojmë se jemi seriozë në përgjegjësitë tona. Sjellja si europianë, qeverisja si europianë është zgjidhja e vetme. Gënjeshtra, manipulimi dhe propaganda nuk çojnë asgjëkundi. Gjëja e parë që duhet të bëjmë është ndalojmë rrëshqitjen e vendit në autokraci.
Edi Rama sot kontrollon të gjitha pushtetet në vend, sikurse kontrollon median dhe ekonominë. Para pak ditësh, duke iu referuar BE-së, në Parlamentin Europian në Strasburg, Presidenti francez Macron u shpreh: “Demokracia europiane është mundësia jonë e vetme. Shohim autokratë përreth nesh por përgjigjia jonë nuk duhet të jetë demokracia autoritariste por autoriteti i demokracisë.”

Më shqetësues nga gjithçka është vënia nën kontroll prej tij e prokurorisë dhe sistemit të drejtësisë, të cilat janë kthyer në institucione politike në shërbim të interesave dhe anktheve private të Edi Ramës dhe klanit të tij.
Kjo duhet ndalur, ky përqëndrim i pushtetit duhet zhbërë. Së dyti duhet të kthejmë shpresën dhe mundësitë se në Shqipëri ka të ardhme. Është paradoksale, por marrja e rekomandimit e ka gjetur Shqipërinë më të izoluar se kurrë më parë në dekadën e fundit: Në Shqipëri nuk ka më investime perëndimore, nuk ka investime europiane dhe amerikane, në Shqipëri nuk ka më shkëmbime me ekonomitë e perëndimit si më parë; ndërkohë disa vende europiane po mendojnë të rikthejnë vizat ndaj shqiptarëve.
E vetmja marrëveshje që ka nënshkruar me BE-në qeveria Rama është ajo për ruajtjen e kufijvë tanë nga policë Europianë që të mos lënë shqiptarët të largohen nga vendi.
E vetmja marrëveshje që ka nënshkruar me Francën është që të vijnë policë francezë në kufijtë tanë për të mbajtur shqiptarët brenda vendit.

E vetmja marrëveshje që ka nënshkruar me Gjermaninë, me Hollandën për të kthyer sa më shpejt në Shqipëri shqiptarët që provojnë të ikin nga regjimi i tij.
Edi Rama e vuri Shqipërinë dhe shqiptarët në funksion të pasurimit të tij dhe klienteve së tij.
Rruga më e shkurtër për të arritur këtë ishte grabitja e vendit dhe kthimi i Shqipërisë në një zonë të lirë për krimin. Paratë dhe pushteti që merr nga ata që grabisin vendin dhe ata që trafikojnë drogë, janë i vetmi motiv i Edi Ramës. Si rezultat, Shqipëria eksporton vetëm drogë, krim dhe emigrantë.
Nëse duam të bëhemi pjesë e BE-së, detyra jonë e parë është të shkëpusim politikën nga krimi. Fatkeqësisht, kjo gjë do të jetë e vështirë dhe më mirë se çdo ditë tjetër kjo u pa dje. Jo në një ditë çfarëdo por në ditën e rekomandimit të hapjes së negociatave, Edi Rama pati pafytyrësinë dhe kurajon të mbronte trafikantin e drogës Saimir Tahiri.

Madje e mbrojti duke thënë se mosarrestimi i tij është standard i Komisionit të Venecias. Mos vallë nesër do na thotë që Damian Gjiknurin dhe lidhjet e tij kriminale, i mbron standardi amerikan dhe Donald Trump? Që Vangjush Dakon dhe Qazim Sejdinin e mbron standardi i OKB-së?
Shqipëria duhet të luftojë seriozisht krimin dhe korrupsionin. I vetmi tregues i kësaj lufte nuk është numri i ligjeve të miratuara por numri i kriminelëve dhe politikanëve të korruptuar dhe të lidhur me krimin, në burg. Kjo është sfida jonë kryesore për të bërë të mundur që në qershor të hapen vërtet negociatat.
Ndaj rekomandimi i Komisionit nuk është një rast për fizhekzjarre dhe shashka, por një rast për të ndezur një qiri në natën tonë të krimit, korrupsionit dhe të papunësisë.
Sot është dita që të zgjedhim të sillemi dhe qeverisimi si europianë. Është koha jo vetëm ta duam, por edhe ta meritojmë të jemi europianë.
Dhe sot kjo sallë me Saimir Tahirin, brenda dhe kuksianët në burg, është shprehja më e qartë se ky Parlament, i dalë nga shit-blerja e votës dhe kjo qeveri dhe ky kryeministër të dalë nga paratë e drogës dhe të krimit, janë pengesa dhe barriere kryesore për Shqipërinë europiane.
Largimi sa më parë i këtij regjimi të korruptuar dhe një qeverie që buron nga vota e lirë e qytetarëve shqiptarë, një qeveri antimafia që përgatit zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Një përkushtim i vërtetë në luftën kundër krimit dhe korrupsionit me rezultate të prekshme, janë rruga dhe zotimi i Partisë Demokratike dhe i opozitës së bashkuar si kurrë më parë, për të mbështetur reformat dhe rrugën europiane të Shqipërisë, ëndrrën europiane të të gjithë shqiptarëve.

Modifikuar më E Enjte, 19 Prill 2018 15:05
Login to post comments

Lajmet e fundit

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sport

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sonte në mbrëmje do të mësohen dy “biletat” e tjera gjysmëfinale të Champions-it.   Në orën 21:00 do të luhen Manchester City-Real Madrid dhe Bayern Munchen-Arsenal. Manchester City duket disi më favorit pas...

Nderimi i Patti Smith-it për Dua Lipën

Show-biz

Nderimi i Patti Smith-it për Dua Lipën

Tre vjet pas pasi filloi të publikohet lista me 100 pionierët revolucionar të revistës TIME në fusha të ndryshme të jetës, Dua Lipa zbukuron kopertinën e saj të re si një nga njerëzit më...

“Markat, ndikimi kryesisht nga Perëndimi”

Media

“Markat, ndikimi kryesisht nga Perëndimi”

Flet Era Xhabafti, zv.menaxhere e përgjithshme e kompanisë “Mini Invest Albania”   Ndonëse pandemia ka ndikuar në kërkesën për më shumë komoditet, kërkesat janë që edhe rehatia të jetë me marka. Kështu shprehet...