Genc Pollo/Formula Hahn-Nuland dhe e ardhmja e vetingut

E mërkurë, 06 October 2021 09:51

Formula Hahn-Nuland dhe e ardhmja e vetingut

1-Ca nga unë e ca nga ti, e mirë për Shqipëri!

Deri në vitin 2017 më është dashur të sikletosem kur sqaroja ekspertë ndërkombëtarë se pse ligji shqiptar parashikonte njëfarë ballance mazhorancë/opozitë për këshillin e Autoritetit të Medias Audiovizive (AMA). Sikleti ishte sepse nuk gjëndej argument bindës se pse në Shqipëri nuk gje deshin dot, ashtu si në vende të rajonit, personalitete të pavarura, që të gëzonin besimin e publikut e grupeve të interesit e që të performonin arsyeshëm në ofiq. Jo se kjo nuk ishte e provuar: p.sh. KQZ e v. 2000 ishte formuar me anëtarë nga shoqëria civile, universitet e kështu me radhë. E megjithatë ata në zgjedhjet e v. 2001 e 2003 morën qartazi vendime jo thjesht të kundraligjshme por skandaloze në favor të partisë në pushtet. Ato vendime nuk do t'i kishin hije edhe një militanti partiak të mbizellshëm e të pandërgjegjshëm. Ndoshta kjo ndodhi sepse partitë arritën të kapin procedurën e emërimit e të kandidojnë vetëm kriptomilitantë të veshur me kostumin e intelektualit profesionist. Ndoshta shoqëria shqiptare nuk prodhon dot ende në sasinë e cilësinë e kërkuar personalitete me distancë të shëndetshme nga partitë për të drejtuar për 4-5 vjet siç duhet institucionet e pavarura të shtetit. Mbase ky është një debat i gjerë që lipset të zhvillohet gjetiu. Por shtetit (si dhe privatit) nuk i pret puna për përsiatje akademike afatgjata por i nevojitet zgjidhje e shpejtë e funksionale. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pas akuzave jo pa bazë kundër "bandës Celibashi-Subashi" u reformua me konsensus PS-PD në vitin 2003. Formula ishte ballanca midis përfaqësuesve të mazhorancës e të opozitës. Kjo e fundit kishte një anëtar më pak se mazhoranca si dhe pakicën bllokuese për një numër çështjes të rëndësishme: kështu garantohej kompromisi, konsensusi dhe besimi në këtë institucion kyç për interesat politiko-partiake e më gjerë për ato demokratike. Që pakica bllokuese të mos keqpërdorej ishte parashikuar edhe apelimi në gjykatë për çështje madhore. Kjo formulë në KQZ kontribuoi që të restaurohej besimi midis palëve dhe mbase edhe i publikut tek ky institucion. Fakt është që KQZ e reformuar nuk e pengoi (nuk mundi? nuk deshi?) rotacionin politik që solliën zgjedhjet parlamentare të vitit 2005.
Formulën e KQZ të bazuar në konsensusin politik dhe me performancë pak a shumë pozitive e aplikuam në ligjin për median edhe në emërimin e Këshillit të AMA-s e të RTSh ku për herë të parë opozita përfaqsohej në këtë masë.
Gjatë qeverisë së PD-së (2005-2013) kësaj formule i kishte paraprirë një marrëveshje xhentëllmenësh e pashkruar në ligj: opozita (PS) kishte propozuar e mazhoranca miratuar nga një anëtar në Këshillin Drejtues të KKRT-së (pararendësi i AMA-s) e të AKEP-it (rregullatori i telekomunikacionit e i domenit .al).

2-Fiton formula Hahn-Nulan

Një nga fitoret e pafestuara të Partisë Demokratike në opozitë ishte se bindi faktorin ndërkombëtar për një formulë të arsyeshme të ngritjes së organeve të vetingut. Së pari e bindi se refuzimi opozitar ndaj formulës së propozuar nga mazhoranca ishte i arsyeshëm: kjo formulë prodhonte jo vetëm organe pa llogaridhënie por ishte gjithashtu në traditën më të keqe të kapjes politike indirekte përmes "personave të pavarur". Gjithashtu e bindi se një formulë e saj, e bazuar në meritë personale por edhe ballancë parlamentare do të ishte e dobishme për reformën përveçse e pranueshme për opozitën. Kjo formulë e propozuar nga PD dhe e dakorduar në korrik 2016 u pagëzua publikisht si "formula Hahn-Nuland". Asokohe Johannes Hahn ishte Komisioneri Europian për Zgjerimin kurse Victoria Nuland Ndihmës Sekretare për Europën në Departamentin e Shtetit të ShBA-së; që të dy u angazhuan intensivisht me reformën në drejtësi dhe pranuan propozimin e opozitës. Siç është bërë zakon në anët tona Hahn e Nuland më pas e "bindën" edhe qeverinë.
Sipas formulës së opozitës, kandidatët për postet e vetingut të cilët në çdo rast i nënshtroheshin një verifikimi kompleks edhe nga ndërkombëtarët do të përcaktoheshin në një komision parlamentar të posaçëm ku mazhoranca e opozita kishin përkatësisht gjysmën e anëtarëve. Në përfundim të emëruarit në organet e vetingut do të kishin gjysma besimin e mazhorancës e gjysma atë të opozitës.

3-Dështon formula Hahn-Nuland

Një vit më vonë, nëqershor 2017, deputetët e PD lanë Çadrën e Lirisë për t'u kthyer në Kuvend; aty i priste votimi për organet e vetingut. Në listat e filtruara të kandidatëve dalloheshin qartë të preferuarit e qeverisë: lidhje familjare me minstra e deputetë, ish kandidatë partiakë në lista rilindiste, ofiqarë në poste politike përreth qeverisë etj. Një pjesë syresh mori votat e mazhorancës dhe u emërua; lidhjet politike të secilit prej tyre janë ekspozuar nga media e faktorë të tjerë.
Ndërkohë deputetët e opozitës vazhdonin e qëmtonin listat për të gjetur kandidatë të cilëve mund t'u besonin votën. E në fund kuptuan atë që nuk u a merrte mendja e që nuk guxonin t'a pranonin si fakt: se në lista nuk kishte kërkënd të njohur e të besuar! Për arsye të panjohura, të pashjeguara e të pashpjegueshme drejtuesit titullarë të PD gjatë 12 muajve (korrik 2016-qershor 2017) neglizhuan të inkurajonin juristë eminentë të afërt me opozitën që të kandidonin; duke i siguruar se kishin një shans të mirë e të arsyeshëm per t'u zgjedhur. Shqetësimi se mos nuk kishte kandidatë afër opozitës u ngrit në mbledhje të grupit parlamentar. Por reagimi i drejtuesve ishte ose i heshtur ose me fjalë të përgjithshme e gjithmonë me nënkuptimin se po punohej për gjënë. Fakti i hidhur ishte se në sallën e Kuvendit deputetët votuan "derr në thes" si ju a mori mendja mbasi pyesnin njëri tjetrin a e njeh kush filanin e filanen. Për këtë fiasko të paimagjinueshme asnjeri nuk mbajti përgjegjësi. Si edhe lopa që mbushi kovën me qumësht dhe pastaj me shkelm e përmbysi dhe e derdhi.
Pasojat më të rënda i vuajti procesi i vetingut. Padyshim që deri tashti janë larguar nga sistemi i drejtësisë persona që duhej të ishin flakur tutje me kohë.
Por organet e dominuara në mbi 90% nga njerëz të afërt me pushtetin nuk u tutën para spastrimeve politike të të padëshiruarve dhe as para dopio standarteve për shërbëtorët e zellshëm. Kështu p.sh. me arsyetime të harlisura bazuar mbi vogëlsira pa domethënie por të servirura si prova u eliminua një konstitucionalist me emër në Europë si profesor Xhezair Zaganjori (Komisioni i Venecias në projekt-opinionin e tij mbi vetingun fliste për instrumentalizim politik nisur nga këto raste); po kështu u veprua me prokurorin Anton Martini, i sprovuar më shumë se një herë përballë krimit të rrezikshëm. Po këtë fat patën edhe prokurorë që hetuan pa frena kanabizimin e votë-manipulimin rilindist.
Nga ana tjetër për të zellshmit u mbyllën një e dy sy edhe kur provat ishin më të rënda se ato që në raste të tjera kishin çuar në shkarkim. Rasti flagrant i prokurores së Tiranës, e cila u konfirmua me porosi politike edhe kundrejt provave shumë rënduese shkaktoi një reagim publik me tone të ashpra nga monitoruesit ndërkombëtarë, Delegacioni i BE-së e Ambasada amerikane. Por ky ishte dukshëm një reagim i vonuar para majës së ajsbergut. Domethënia e këtij reagimi është se vetingashët e pushteti gradualisht kaluan çdo cak të abuzimit, mospërmbajtjes, arrogancës e sensit të pandëshkueshmërisë.

4- Rekomandim i pjesshëm në vend të epilogut

Përfaqsues të mazhorancës kanë propozuar prej tre muajsh që organeve të vetingut, të cilëve u mbaron mandati së afërmi, tu jepet një mandat shtesë. Pra me një fjalë vetingashëve, përgjegjës të drejtpërdrejtë
për paudhësitë e deritanishme, duhet t'i jepet mundësia që t'i vazhdojnë ato. Për këtë duhet amenduar Kushtetuta gjë që nuk bëhet pa votat e deputetëve demokratë. Jam i sigurt që këta të fundit me mendje e zemër e konsiderojnë të papranueshëm këtë skenar. Një votë pro do të ishtë shumë më e rëndë e më ligë sesa votat e deputetëve socialistë për shembjen e Teatrit Kombëtar.
Por nga ana tjetër edhe vetingu duhet të vazhdojë e përfundojë. Me shpresë (duhet të kemi shpresë edhe kur duket keq) se vazhdimi do të jetë më i ndershëm për gjyqtarë e prokuroreë dhe më i dobishëm për drejtësinë.
Prandaj duhen konsideruar rrugë të tjera me organe te vetingut me emërime ex novo apo edhe siç parashikon Kushtetuta (e siç rekomandoi Komisioni i Venecias) që kompetencat të përcillen tek këshillat e prokurorisë dhe të gjyqësorit (ku të emërohen persona me integritet e besim publik).
Mungesa e debatit profesional, publik e gjithëpëfshirës për këtë çështje si dhe heshtja e opozitës është për momentin gjëja më shqetësuese.

Genc Pollo
Ish ministër e deputet
6 tetor 2021

Modifikuar më E Enjte, 07 October 2021 10:10
Login to post comments

Lajmet e fundit

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

Politikë

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

  “Përshkallëzohet drama në portin e Durrësit. Detaje të reja mbi kompaninë fiktive kroate dhe lidhje të mundshme kriminale”. Me këtë titull e përditshmja gjermane “Focus Online” i ka kushtuar vëmendje...

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...