Qeveritarët e sotëm, ithtarët e diktaturës

Premte, 20 Prill 2018 15:05

Nga Bujar Nishani 

Para pak ditësh ithtarë të diktatorit dhe të diktaturës në Shqipëri artikuluan publikisht, me një agresivitet biologjik, shantazhimin ndaj kurimit të memories historike.

Agresiviteti i tyre kundër muzeut të Kampit të Përqendrimit komunist në Tepelenë nuk është as i rastësishëm, as spontan dhe as vetëm emocional.

Ky prezantim është një prej konfirmimeve të ringjalljes së modelit dhe platformës politike ; “varfëroje, shantazhoje, përçaje, shtype, linçoje, sundoje duke e përbuzur”.

Në vitin ‘90 kur shqiptarët u ngritën në protesta kundër regjimit shtypës dhe represues më të egër në Evropën e pas luftës, reagimi i parë që doli nga pas kangjellave rrethuese të Bllokut komunist ishte pasthirrma “....u zgjuan kafshët...!!!!”.

Kjo retorikë barbare vinte natyrale nga ai grup individësh që kishin sunduar shumicën, herë me ligje diktatoriale e herë pa ligj fare.

Sot, brezi i dytë i elitës së atij regjimi është i tëri në drejtim në zyrat dhe institucionet publike të shtetit.

Nuk i perifrazojnë më shqiptarët si “kafshë që u zgjuan nga gjumi”, por ca më rëndë, ca më pisët, madje me gojën e kryeministrit, madje, madje publikisht nga foltorja e Parlamentit.

Po njësoj i trajtojnë shqiptarët.

Ca me ligje që hapur janë në dhunim të Kushtetutës e ca pa ligje fare.

Ithtarët e diktaturës ishin mekanizmi me të cilët regjimi realizonte synimet e tij.

Me ta, i arrestonte, internonte, pushkatonte dhe groposte shpesh edhe pa një shenjë mbi krye, shqiptarët.

Me ta, ju grabiti pronën shqiptarëve, i varfëroj, i rreckosi, as pulën e as vezën nuk ja u lejonin ta kishin.

I izoloj, i veçoj dhe i la në injorancë, ju tkurri shpirtin, mendjen dhe zemrën.

Përkundër asaj, me pasuritë e grabitura të tjerëve dhe vetë Shqipërisë, ndërtonin për grupin e tyre vila në bllok, jetë luksoze në perëndim, hargalisje pervese tek njëri tjetri.

Sot, po të njëjtët, tenderojnë dhe konçensionojnë për veten e tyre paratë dhe pasuritë publike, ndërkohë pagat, pensionet, shërbimet për të tjerët pakësohen e shkurtohen, varfëria thellohet.

E pastaj qeshin, qeshin e tallen me shqiptarët. I tregojnë me gisht si njerëz shpellash që nuk e kuptojnë dot modernitetin e “parisë”.

Shantazhimi ndaj kurimit të memories duke dhunuar krijimin e muzeut në Kampin e Përqendrimit të Tepelenës, nuk është çështje urrejtje ndaj fëmijëve të vdekur në atë ferr, sepse ata i urrenin këta fëmijë të pafajshëm që sa ishin gjallë.

Fyerja që ata bëjnë nuk është çështje e injorimit të jetëve të shkatërruara dhe vuajtjeve çnjerëzore të mijëra burra dhe grave që lanë jetën e tyre pas rrethimit me tela të kampit, sepse ato jetë u shkatërruan dekada më parë.

Hipokrizia e tyre malinje nuk është kauzë në mbrojtje të integritetit të një krahine si Tepelena, sepse Tepelena është trashëgimia e Selam Musait, Tafil Buzit, Rrapo Hekalit, Zenel Gjolekës, Baba Ahmet Turanit, Bajram Kamberit e shumë patriot?ve të tjerë dhe jo e çizmeve të Sigurimit të Shtetit, jo e xhahilëve injorantë që përgjakën shqiptarët në shërbim të diktaturës.

Egërsia, e mohuesve të krimeve në Kampin e Përqendrimit të Tepelenës nuk është se janë prekur nga thirrjet “Enver-Hitler”, se diktatorin shqiptar e ka shpallur si Hitlerin e pas Luftës, Rezoluta e Këshillit të Evropës.

E vërtetë që antikomunizmi nuk është më një tezë elektorale në Shqipëri.

Ajo nuk funksionon më si e tillë. Për një sërë arsyesh.

Ajo nuk po tingëllon më as si ndjesi morale në raportin me padrejtësinë. Kjo edhe për shkak të harresës pa u ndëshkuar të krimeve të kryera.

Por arroganca e rikthyer, si sfidë e dhunuesve mbi viktimat tashmë nën dritën e diellit tregon nevojën për rizgjim.

Arroganca e shantazhimit prej ithtarëve të diktaturës është pjesë e REVANSHIT.

Revansh, i një grupimi politik të rikthyer në pushtet mbushur me urrejtje të dyfishtë.

“Nuk keni parë gjë akoma” u kanë thënë shqiptarëve, apo jo?

Madje publikisht e pa ju dridhur qerpiku.

Ky revansh, për të mbrojtur rikthimi jo vetëm të, të njëjtëve njerëz që u qëndruan mbi qafë shqiptarëve për 50 vjet, por revansh për të rindërtuar të njëjtën filozofi por me mjete të tjera.

Nuk është çështje provokimi, është çështje ndijimi.

Ata ndihen të pushtetshëm, të mbështetur, të pandëshkueshëm, të përjetshëm në zullumin e tyre.

Unë, shpreh të gjithë respektin tim ndaj atyre zërave civilë që reaguan ndaj këtij agresioni, Kastriot Dervishi, Jonila Godole, Agron Tufa, Simon Miraka, Kurt Kola, Uran Butka, Ipeshkvi Gjergj Meta.

Por këto zëra janë shumë pak.

Shumë pak krahasuar me atë linçim dekadash që ju bë shqiptarëve mbarë dhe sot kërkohet të mohohet.

Mohohet, madje në emër të shqiptarëve, mohohet me varfërimin e shqiptarëve, mohohet duke u sponsorizuar me paratë që vijojnë tu grabiten shqiptarëve.

Një sagë që vijon ndër sy dhe kurriz të shqiptarëve.

Mbi kurriz të tyre që të mos mundin të nxjerrin zërin.

Ndaj zëri i vetëm atyre që reaguan është shumë pak krahasuar me dinjitetin, integritetin, përgjegjësinë dhe përgjegjshmërinë e secilit shqiptar që u mundua apo ju mohua minimumi i asaj çka i takonte.

Ato zëra nuk duhen lënë vetëm !

Login to post comments

Lajmet e fundit

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

Politikë

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

  “Përshkallëzohet drama në portin e Durrësit. Detaje të reja mbi kompaninë fiktive kroate dhe lidhje të mundshme kriminale”. Me këtë titull e përditshmja gjermane “Focus Online” i ka kushtuar vëmendje...

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...