“Kod sjellje” i përbashkët, i përcaktuar “nen për nen”

Hënë, 21 May 2018 19:20

Nga Qemal SAKAJEVA

Mirosllav Gavrillovia nga Çaçaku i Serbisë, i 45-ti Patriark i Kishës Ortodokse Serbe me emrin fetar  Irinej, pati ardhur në Tiranë si kleriku më i lartë serb, por qe shfaqur si politikani më kurajoz i Serbisë. Ndjekësit e tij shpalosën flamurin përpara Katedrales “Ngjallja e Krishtit”, në ngjarjen e shënuar të ortodoksisë shqiptare,  më 1 qershor  2014, ndërsa ai vet shqiptoi deklaratë kundërshqiptare, m’u në mes të Tiranës,  asisoj sa që asnjë zyrtar i lartë serb nuk e ka bërë para tij në Shqipëri. Ky ishte rast tejet i skajshëm ndaj pati dhe reagime të shumta. Mirëpo duhet sqaruar qysh në krye: Patriarku Irinej bëri punën e vet politike të zakonshme, kurse ne nuk bëmë punën tonë kombëtare të detyrueshme. Ai që të njëjtat fjalë i ka shqiptuar në Beograd, në Pariarkanën e Pejës ku u shugurua më 3 tetor 2010, dhe kudo tjetër gjithashtu, nuk mund të pritej të thoshte tjetërçka, a të heshte në kryeqytetin shqiptar, sepse në raport me Kosovën, ai nuk është Patriark i kishës, por Politikan përcaktues, madje edhe Gjeneral lufte, përderisa ka thënë që, Serbia do të presë edhe 2000 vjet për t’u kthyer në “Jeruzalemin e vet” dhe se për kthimin atje është e vlefshme edhe lufta.

Kjo ngjarje e pazakontë  shtronte në mënyrë të padiskutueshme bashkërendimin e Shqipërisë me Kosovën për një kod të sjelljes me shtete dhe individë, të cilët ende ngulin këmbë në qendrimet e tyre kundërshqiptare dhe shpërfillin Kosovën. Mënyrën e sjelljes me ta, nuk e ka për detyrë vetëm  Kosova,  e cekur drejtpërdrejt prej tyre, po aq përgjegjësi ka dhe Shqipëra, madje në një raport të dyfishtë: në mbrojtje të çështjes kombëtare gjithëshqiptare dhe ruajtjen e pacenuar të  marrëdhënieve me shtetin e Kosovës nga çështje me ndjeshmëri të lartë.

Mosnjohësit e pavarësisë së Kosovës, numerikisht janë shumë më pak se sa njohësit. Por vendet mosnjohëse nuk mund të trajtohen njëlloj dhe sjellja ndaj tyre nuk mund të jetë e njëjtë. Le të lëmë mënjanë Serbinë, pasi normalizimi i marrëdhënieve të saj me Kosovën është një çështje botërore, që i ka kapërcyer fuqitë e të dy vendeve të vogla,  fqinjë dhe armike. Ndërsa shtetet e tjera mosnjohëse ndoshta mund të renditen kësisoj: kreun e mban Rusia, qartësisht antishqiptare, duke  kryer edhe veprime, shpallur deklarata,  madje dhe pushtimi i Krimesë u justifikua prej presidentit Putin  me referencë Kosovën. Greqia dhe Qipro, dy shtete të BE me deklarime të forta kundër, ende mbeten të paepura, a thua se Kosova  është ndonjë ishull i vockël i Oqeanisë. Kina  gjigande nuk e njeh Kosovën, por shpallet me deklarime të rralla smooth. India e madhe mosnjohëse më shumë rri e heshtur në qëndrimin e saj. Brazili mosnjohës është i përfshirë në problematikat e veta të mëdha për t’u zhvilluar ndërsa e ka shqiptuar qendrimin kundër ndaj pavarësisë së Kosovës. Sllovakia e pafuqishme bën deklarata të fuqishme mosnjohjeje dhe ish-kryeministri i saj Fico pati shkuar nxitimthi në Beograd për t’i dorëzuar Serbisë  çelësin simbolik  të BE-së . Spanja, e tronditur nga përcaktimi i Katalonjës për pavarësi, i ka ashpërsuar  deklarimet dhe veprimet  mosnjohëse  ndaj Kosovës, nëpërmjet kryeministrit të saj Mariano Rajoi. Rumania ballkanase ende në dilemë, a më shumë se kaq, duke deklaruar se pati qenë në prag të njohjes së Kosovës. Nuk po bëjmë fjalë për shtete të vogla të largëta, si Venezuela, me cene të mëdha të moszhvillimit të vet demokratik edhe pas vdekjes së Çavez, apo Kuba e Fidel Kastros që,  përderisa nuk lejon lirinë e popullit të vet s’ka si të donte çlirimin e Kosovës nga NATO.

Kryesisht për këto shtete, diplomacia dhe politika e të dy vendeve - Shqipërisë dhe Kosovës - duhet të bashkërendohen në mënyrën me të plotë, sepse rrethanat mes dy republikave nuk janë si para vitit 2008, apo ca më tepër si para vitit 1999. Të dy shtetet shqiptare, që arritën të kenë abetare të njëjtë, nuk mund të lejohet të mos e kenë  të njëjtë  “abetaren e çështjes kombëtare”. Më shumë se sa  tre - katër konsullata të përbashkëta,  apo mbledhje të parbashkëta qeveritare, duhet politikë e përbashkët ndaj vendeve mosnjohëse. Shtetet tona  të vogla nuk janë asfare përcaktuese në politikën ndërkombëtare, por dinjitoze duhet të jenë.

Ashtu siç ka shtete mosnjohëse, ka dhe individë të njohur kundër pavarësisë së Kosovës. Lidhur me këta, përcaktimi i kodit të sjelljes, përveçse i domosdoshëm është edhe më i thjeshtë, nëse shteti dhe organizmat joqeveritare braktisin kompleksin e inferioritetit, lënë menjanë simpatitë vetjake, shuajnë interesat politike dhe përfitime të tjera. Kështu, ardhja e Patriarkut serb Irinej nuk përbënte domosdoshmëri në ceremoninë e Katedrales “Ngjallja e Krishtit”, sidomos ai nuk duhet  të vinte nëse Kosova s’do të ishte dakort. Këtu nuk kemi të bëjmë me paternalizëm apo kushtëzim të njërës palë ndaj tjetrës, por Shqipërisë i vlejnë më shumë marrëdhëniet e pacenuara me Kosovën se sa “konstruktiviteti  mbresëlënës” i politikës së Shqipërisë me Serbinë,  i realizuar edhe nëpërmjet ftesës për Patriarkun Irinej. Muzikanti  Goran Bregoviç nuk duhej përdorur për të cenuar kodin e sjelljes mes nesh, sepse ndaj shqiptarëve të Kosovës ai nuk qe muzikant, por “kallashnikov”  i Sllobodan Millosheviç, nëse huazojmë titullin e këngës së tij “Kallashnikov”, të kënduar në Pallatin e Kongreseve në Tiranë. Madje, “nenet e kodit të sjelljes” nuk mund të lënë jashtë as figura të tjera, në dukje krejt të paqortueshme nga ne, nisur nga  vlerat e spikatura të tyre, simpatitë vetjake, kompleksi i inferioritetit apo dhe llogari të tjera. Për shembull, nobelisti rus Aleksandër Sollzhenicin, në kohën me dramatike të Kosovës, dënoi goditjen ushtarake të NATO-s kundër Jugosllavisë, e krahasoi me sulmet hitleriane, e kritikoi shpalljen e pavarësisë dhe pas kësaj u drejtoi një letër vëllazërore serbëve, të cilëve u kërkoi të qendrojnë përballë shkatërrimit që po u sillnin atyre shqiptarët. Vepra të këtij shkrimtari rus janë përkthyer në shqip, filmi sipas romanit të tij “Arkipelagu gulag” është transmetuar nga televizione në Shqipëri , por disidenti rus që kaloi shumë kohë në gulagët stalinistë, që u dëbua nga Bashkimi Sovjetik i Leonid Brezhnjevit, që bëri jetën e emigrantit në SHBA, që mori çmimin Nobel në vitin 1970 me motivin “për forcën etike me të cilën ruajti traditat e mëdha të letërsisë ruse”, nuk zotëroi kurrë  forcë etike për të dënuar terrorizmin shtetëror serb,  që e pati shndërruar tërë Kosovën në Gulag të tmerrshëm. Është e domosdoshme që, kur në letërsi të studiohet krijimtaria e tij më e mirë, jo vetëm në Kosovë por edhe në Shqipëri, duhet të jetë detyruese që nxënësve e studentëve t’u  bëhet me dije  se nobelisti rus Aleksdandër Sollzhenicin pati kufizimet e veta nacionaliste sllave mbi çështjen e lirisë së Kosovës, dhe vdiq pa shfaqur pendesë për letrën e tij të gabuar. Por ka raste më delikate se sa ky, madje deri për të ardhur keq: më 17 prill 2014 vdiq një nga gjenitë e letërsisë botërore, nobelisti Gabriel Garcia Marquez. Mjaft vepra të shkrimtarit të madh janë përkthyer në shqip,  ai adhurohet nga lexuesit shqiptarë. Pasi vdiq, tek i numëroheshin vlerat që i la trashëgim njerëzimit, kritikët në perëndim ia kujtuan në mënyrë qortuese miqësinë e tij të përjetshme më Fidel Kastron, njeriu që e mbajti Kubën në muze të dalë boje të komunizmit. Një vit para marrjes së çmimit Nobel, në intervistën dhënë gazetarit italian Enzo Biagi, pyetjes për këtë miqësi të pazakontë, ai iu përgjigj kështu: “Miqësia ime me Fidel Kastron? Bazohet tek letërsia. Lider Maximo është një lexues i jashtëzakonshëm”. Por janë shumë të paktë, në Shqipëri e Kosovë, ata njerëz që të dinë se, kur NATO sulmoi Jugosllavinë ushtarakisht për të mbrojtur Kosovën, Gabriel Garcia Marquez  qe kundër: në esenë e tij të botuar në “Allgemaine Zeitung”, 14.4. 1999, nr. 86, faqe 53, me titull “Shokët e mi në NATO”, stigmatizoi ashpër sekretarin e  Përgjithshëm të NATO-s  Havier Solana dhe  Wesley Clark, kryekomandant i forcave të NATO-s, sepse “… që të dy këta tipa, me veprimet e tyre promovojnë Luftën e Tretë Botërore” dhe se “… agresioni kundër Serbisë mund të zgjerohet tmerrësisht shpejt në të gjithë rajonin”.  Kurse  në Shqipëri, të gjithë ata që kanë folur e shkruar, para apo  pas vdekjes, nuk ia kujtuan këtë Gabos, siç bëri perëndimi për miqësinë me Kastron,  që ia ndërmendën, madje edhe në lajmin për  vdekjen e tij. Marquez jetoi edhe plot  14 vjet të tjerë  pas vitit 1999, pa që Lufta e Tretë Botërore  nuk nisi dhe se goditja e Serbisë qe e vetmja rrugë për të shpëtuar popullin e Kosovës nga spastrimi etnik.

Por mësuesit,  si në Kosovë dhe Shqipëri, kur të shpjegojnë letërsinë e madhe të lënë trashëgim nga Gabriel Garcia Marquez, nuk ia zbehin aspak vlerat  nëse u thonë nxënësve e studentëve se ai qe kundër luftës për lirinë e Kosovës. Në shoqërinë komuniste kryheshin retushime e redaktime të hatashme, kur nuk i interesonte ideologjisë - u krye redaktimi  i Naim Frashërit e u varros  vepra e Gjergj Fishtës me gjithë emër. Por në kohën e lirisë, nuk përbën zhvlerësim të vlerave kur thuhet një e vërtetë për Aleksandër Sollzhenicin, i rreshtuar si sllav dhe intelektual në krah të nacionalizmit radikal serb, apo mbështetjen e Gabriel  Marquez për Serbinë, le më për figura si Goran Bregoviç, Zdravko Çoliç për të cilët s’duhet të kishte ftesa e ndere në Shqipëri, apo regjizori i njohur boshnjak  Emir Kosturica, të cilit, ndërsa ne ia shihnim dhe mburrnim filmin “Shitësi i puplave”, luajtur mjeshtërisht nga Bekim Fehmiu, ai i jepte zemër Sllobodan Millosheviç dhe shpallej kundër pavarësisë së Kosovës.

Nëse themi, si të sillemi me ta, nuk do të thotë të mbetemi armiq a të bëjmë armiq, por “kodi i sjelljes” të jetë i përbashkët  dhe i përcaktuar “nen për nen”, në mënyrë që, për çështjen e madhe të Kosovës, Prishtina të mos i bjerë gozhdës e Tirana patkoit.

.

Login to post comments

Lajmet e fundit

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

Politikë

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

  “Përshkallëzohet drama në portin e Durrësit. Detaje të reja mbi kompaninë fiktive kroate dhe lidhje të mundshme kriminale”. Me këtë titull e përditshmja gjermane “Focus Online” i ka kushtuar vëmendje...

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...