Matteo Salvini, në qeverinë e Guiseppe Contes do të drejtojë Ministrinë e Brendshme. Në këtë moment delikat për Shqipërinë, kur na ndajnë edhe 1 muaj nga vendimi për “Hapjen e Negociatave”, emërimi i Salvinit është një minus. Historiku i deklaratave të hershme të tij kundër emigracionit është i pasur, por në një rast komenton drejtpërdrejtë Shqipërinë dhe shqiptarët.
“Shqipëria është vendi i ri kandidat për të hyrë në Bashkimin Europian. Për hir të historisë, ekonomisë, për të shkuarën dhe të ardhmen, t’i themi jo Europës si një supermarket. Betejë e vështirë? Ndoshta, por për t’u luftuar deri në fund. P.S: Bëjmë një shkëmbim? Ata hyjnë (në BE), ne dalim? Si thoni?”, u drejtohet ai ndjekësve të vet në Facebook në 2014, një ditë pasi vendi ynë kishte marrë statusin e kandidatit.
Por nuk mjafton vetëm kjo. Salvini ka për homolog Fatmir Xhafajn. Ministri i Brendshëm Italian zor se do të pranojë që të mbështesë një vend si Shqipëria për faktin se ministër i Brendshëm i saj është i emëruar vëllai i një trafikanti të dënuar me 7.2 vite burg.