Deputeti i PD-së, Luçiano Boçi, e quan tallje hapjen e panairit të punës në Elbasan. Ky reagim i deputetit demokrat erdhi pas ndërhyrjes së policisë, gjatë protestës së qytetarëve të Elbasanit.
“Është e papranueshme të tallesh”, u shpreh Boçi duke theksuar faktin se Rama e meritonte një pritje të tillë.
Partia Demokratike lëshoi një deklaratë lidhur me ngjarjen ku shprehej se protestuesit detyruan Ramën të ndryshonte drejtimin e vizitës. “Demokratët e presin me protesta Ramën në Elbasan, por policia e shtetit sillet si polici private dhe tenton të sekuestrojë pankartat kundër Edi Ramës. Takimi i parë i Edi Ramës në Elbasan duhet të niste në Prefekturë, por për shkak të protestuesve demokratë, ai ndryshoi drejtim për tek Kalaja. Protestuesit me pankartat që e cilësojnë Ramën si Pasha të Drogës, e kanë ndjekur edhe aty. Por policia, në shkelje të ligjit, siç shihet në video, ka ndërhyrë për të larguar protestuesit nga Edi Rama. Në një akt të paprecedentë, policët kanë tentuar t’u marrin atyre pankartat. Protestuesit demokratë nuk janë tërhequr dhe e sigurt është se turi i Ramës në qarkun e Elbasanit sot nuk do të jetë i qetë” tha deputeti.