Diskutimet e Qeverisë me koncesionarin për tarifën e kalimit në Rrugën e Kombit janë drejt fundit. Por, edhe tarifat e reja, të cilat pritet të prezantohen gjatë javës tjetër, kundërshtohen nga banorët e zonës së Kukësit, cilado qofshin ato.
Qeveria duket se ka arritur një marrëveshje me koncesionarin në lidhje me tarifat që do të aplikohen në Rrugën e Kombit për banorët e zonës së Kukësit.
Kryetari i Bashkisë së Kukësit, Bashkim Shehu, ka thënë se banorët e zonës nuk do të pranojnë kurrfarë tarife.
I kontaktuar me telefon, Shehu ka deklaruar për Ora News se ai nuk di asgjë në lidhje me negociatat, pasi nuk kanë qenë pjesë e tyre dhe nuk i është kërkuar mendim.
Sidoqoftë, ai ka theksuar se kërkesa e Bashkisë së Kukësit mbetet e pandryshueshme: për banorët e zonës tarifa e rrugës të jetë zero.
Tarifa e Rrugës së Kombit u pezullua pas protestës së dhunshme që u zhvillua rreth një muaj më parë ku pothuajse u shkatërrua e gjithë pika e kalimit. Në terminalin e dëmtuar tani po vazhdojnë punimet, të cilat pritet të përfundojnë së shpejti.
Aktualisht kalimi në Rrugën e Kombit po bëhet pa pagesë. Javët e fundit është konstatuar një rritje e fluksit të automjeteve, pasi ka filluar periudha e pushimeve të verës dhe shumë pushues vijnë nga Kosova.
Tarifat e vendosura për këtë rrugë kanë qenë 2.5 euro për motorë, 5 euro për vetura, 11,2 euro për autobusë e kamionçina dhe 22.5 euro për kamionë të rëndë.
Sipas Qeverisë, këto tarifa janë të domosdoshme për mirëmbajtjen e këtij segmenti rrugor