Çmimi 'kryebashkiaku më miqësor me komunitetin rom’, i bërë public nga Erion Veliaj me anë të një postimi në facebook, nuk u dha nga Komisioni Europian por nga një OJF, ndërsa të njëjtin vlerësim e morën edhe 7 kryetarë të tjerë bashkie nga Ballkani Perëndimor dhe Turqia.
Kreu i bashkisë së Tiranës Erion Veliajsh shprehu falenderimet e tij për gjithë ata që bënë të mundur që ai të nderohej me çmimin ‘kryebashkiaku më miqësor me komunitetin rom.”
“Marrja e çmimit “kryebashkiaku më miqësor me komunitetin rom” nga Komisioni Europian, më frymëzon për të vazhduar edhe më tej në këtë fushë të madhe të emancipimit, që të gjithë kemi nevojë,” shkroi Veliaj në rrjetin social facebook.
“Tirana sot krenohet si kryeqyteti më miqësor me komunitetin rom dhe besoj që ishte mënyra më e mirë për të shpërblyer punën e të gjithë atyre aktivistëve rom dhe jo rom në bashkinë e Tiranës, që kanë punuar për të zgjidhur disa tema shumë të rëndësishme në qytetin tonë,” shtoi ai në një video gjithashtu e postuar në facebook.
Ky çmim është pjesë e një projekti në Ballkanin Perendimor dhe Turqi, i cili ka si qëllim të mobilizojë komunitetet rome dhe të forcojë kapacitet e tyre në dialog me autoritet publike.
Ndryshe nga ç’tha dhe nga sa pretendon Veliaj, ky çmim nuk ka lidhje me Komisionin Europian, por jepet nga një OJF shqiptare në bashkëpunim me një rrjet organizatash simotra në rajon. Çmimi jepet nga organizata ‘Roma Active Albania’ dhe rrejti i organizatave ‘European Roma Grassroots Organization’, ERGO.
Kërkesës së BIRN në lidhje me deklaratën e kryetarit Veliaj se çmimi i ishte dhënë nga Komisioni Europian bashkia e Tiranës nuk i ktheu asnjë përgjigje.
Veliaj nuk është i vetmi që ka marrë këtë çmim, pasi atë e kanë marrë edhe kryebashkiaku Mico Micićc nga bashkia e Bijeljinas në Bosnje Herzegovinë; kryebashkiaku Blagoj Bochvarski i qytetit Stip në Maqedoni; Burim Berisha, kreybashkiaku i qytezës së Fushë-Kosovës; Snežana Matijevic, kreybashkiake e Tivatit në Mal të Zi; Latinka Vasiljković nga bashkia Odžaci në Serbia; si dhe Osman Genç, nga bashkia Canik dhe Hayri İnönü nga bashkia Şişli në Turqi.
Siç shkruhej edhe në njoftimin për shtyp të ERGO për shpërndarjen e çmimeve, përzgjedhja e fituesve ishte bërë nga 7 juritë e pavaruara të cilat përzgjodhën fituesit nga 49 aplikime.
Ceremonia e dhënies së çmimit u organizua në Parlamentin Europian si pjesë e ‘Javës Rome 2018.”
Marrëdhënia e Veliaj me komunitetin rom nuk ka qenë gjithmonë e qetë, Bashkia e Tiranës është akuzuar për zhvendosjen e dhunshme të komunitetit rom nga zona e Liqenit Artificial në vitin 2015.
Projektet e bashkisë për zonën e Bregut të Lumit – zonë e populluar nga komunitetit rom, si dhe fushata kundër ricikluesve individual në Tiranë, një pjesë e mirë e të cilëve janë anëtarë të komuniteti rom janë shoqëruar me shqetësime për shkeljen e të drejtave të njeriut.