Katër deputetët e Partisë Socialiste Ilir Beqaj, Sadri Abazi, Xhemal Qefalia dhe Pjerin Ndreu, kanë përfituar në total tendera në shumën prej 78 milionë eurosh nga buxheti i shtetit.
Partia Demokratike ka publikuar dokumentin i cili vërteton se kryeministri Edi Rama ka nxjerrë fitues tenderi kolegët e tij të partisë.
“Janë të paktën 4 deputetë të tij që përfitojnë para publike nëpërmjet kompanive të tyre, në shumicën dërrmuese të rasteve pa garë.
Ilir Beqaj është njeriu më i afërt i Edi Ramës, i cili, edhe pse nuk është më ministër vzhdon të marrë me qindra milionë lekë nga taksat e shqiptarëve.
Rasti më i fundit është ai i shpalljes fituese të kompanisë “Intech+”, e zotëruar de facto prej Beqajt. Në një tender pa asnjë konkurent, shoqëria e ish ministrit që rrënoi shëndetësinë, u shpall fituese për 1 mld e 362 mln lekë ose 1,1 mln euro, duke patur ofertë gati të njëjtë me fondin limit, pa i kursyer buxhetit gati asnjë qindarkë.”, lajmëronte PD një ditë më parë.
Sipas kësaj force politike, 1.1 milionë euro, të fituara së fundmi nga taksat e shqiptarëve, i shtohen pasurisë së Ilir Beqjes, i cili, që kur Rama është bërë kryeministër, ka përfituar tedera me vlerë 29 milionë euro.
Po ashtu, flitet edhe për Sadri Abazin, i cili ka fituar tendera me vlerë 34 milionë euro nga paratë publike.
Xhemal Qefalia dhe Pjerin Ndreu, janë dy deputetët e tjerë të cilët kanë përfituar secili nga tenderat publikë prej 8.1 dhe 7 milionë euro.
Sipas PD-së, në total të 4 deputetët e Edi Ramës, Ilir Beqja, Sadri Abazi, Xhemal Qefalia dhe Pjerin Ndreu kanë përfituar së bashku 78 milionë euro nga paratë publike të shqiptarëve.