Fati i prokurorit që hetoi serverin e Tatimeve

Saturday, 23 June 2018 11:46

Pak ditë pas shkarkimit të Gentian Trenovës nga detyra e prokurorut të Apelit, ka ardhur një reagim nga deputeti demokrat Oerd Bylykbashi.

Deputeti i ka dalë në krah Trenovës, duke  kujtuar se ka qenë pikërisht ai prokurori që ka çuar në burg Aldo Baren.

Bylykbashi thotë se Trenova është prokurori që ka hetuar mbi ‘skandalin e serverit’ të Tatimeve, ku u zhdukën miliona të dhëna tatimore.

“Por duket që Gentian Trenova pati fatin e keq të ishte prokurori që hetoi një nga skandalet më të mëdha, atë të “serverit të tatimeve” ku u vodhën e u zhdukën miliona të dhëna tatimore për të mbyllur borxhet e qeveritarëve socialistë apo për t’i bërë shantazh bizneseve, një skandal që implikon Ramën e Co, dhe që një ditë do t’u kushtojë burgun maskarenjve që e ideuan.”, shkruan Bylykbashi, i cili thotë që pas këtyre lëvizjeve me Vettingun që po bëhen qëndron Rama.

Sipas Bylykbashit, Rama kërkon të bllokojë KED edhe t’i zgjedhë vetë anëtarët e tij.

KOMENTI I BYLYKBASHIT

“Unë nuk e njoh personalisht Gentian Trenovën, nuk kisha dëgjuar asgjë negative për të, por di që ishte një nga prokurorët që në 2010, kur Rama kërkonte bllokimin e liberalizimit të vizave me devizën “hap kutitë ose largohu”, mbrojti akuzën kundër Aldo Bares dhe e çoi në burg.

Pra ai është një nga ata prokurorë e gjyqtarë që pas vitit 2005 e deri në vitin 2013 kur qeveriste PD, përplasën pas hekurave kriminelët dhe bandat më të mëdha në vend. Ato banda, kapot e të cilave sot janë liruar apo po lirohen nga burgime për jetë pasi erdhi në pushtet PS me reformën në drejtësi dhe vetingun e saj‎.

Por duket që Gentian Trenova pati fatin e keq të ishte prokurori që hetoi një nga skandalet më të mëdha, atë të “serverit të tatimeve” ku u vodhën e u zhdukën miliona të dhëna tatimore për të mbyllur borxhet e qeveritarëve socialistë apo për t’i bërë shantazh bizneseve, një skandal që implikon Ramën e Co, dhe që një ditë do t’u kushtojë burgun maskarenjve që e ideuan.

Gentian Trenova pati fatin e keq që nuk iu dha shansi të votonte për të quajtur kushtetues ligjin e vetingut apo ndonjë nga ligjet e tjera antikushtetuese të reformës në drejtesi e, me atë rast, të provonte bindjen ndaj Edi Ramës duke rrëzuar kërkesat e opozitës.

Por Gentian Trenova pati edhe një fat tjetër të keq. Ai u përzgjodh me short që të ‎ishte anëtar i një organi kushtetues që ka mbetur si zombi: Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. KED duhet të përzgjedhë kandidatët për Gjykatën Kushtetuese që do shqyrtojë ligjet e Ramës dhe Inspektorin e Lartë të Drejtësisë (ILD), atë që do të çojë për ndëshkim disiplinor gjyqtarët dhe prokurorët që do të emërojë Rama pas vetingut.

KED ka mbetur si një i vdekur i pakallur sepse Ramës nuk i pëlqeu përbërja e KED që doli nga shorti në janar 2018. Ky nuk ishte short i kontrolluar nga filtrat e Xhafës siç ndodhi me shortet e KLGJ dhe KLP ku mjaftonte veç të fusje dorën në kosh sepse ishte e sigurt se sa herë ta hapje Kinder Surprizën, gjithmonë Ramën në miniaturë do të gjeje brenda. Fatmir Xhafaj i kërcënoi anëtarët e KED me hyqëm të Ramës, që të mos bënin asnjë veprim për të mbushur vakancat në Gjykatë Kushtetuese dhe ILD derisa të bëhej vetingu. Ky kërcënim bie ndesh me Kushtetutën që përcakton se KED funksionon dhe kryen detyrën e saj ndërkohë që vetingu kryhet paralelisht, me qëllim që të mos bllokohet ‎ngritja e organeve të drejtësisë duke bllokuar KED derisa të mbarojë vetingu.

Por Ramës i intereson pikërisht bllokimi i Gjykatës Kushtetuese që të mos shqyrtohen ligjet antikushtetuese të sistemit të drejtësisë, ato që shpronësojnë pronarët apo i detyrojnë t’i falin shtetit 3% të pronës si tatim i jashtëzakonshëm, ligjin që i fal tokën e Teatrit Kombëtar privatit që më pas fitimin ta ndajë me Ramën dhe Veliajn. Ramës i intereson të mos ketë Gjykatë Kushtetuese që t’i bllokojë atij marrëveshjen me të cilën po i shet Greqisë detin dhe pasuritë nën të.

KED u zgjodh me short dhe shorti i ra ndër të tjerë edhe Gentian Trenovës që të jetë anëtar i KED gjatë vitit 2018 dhe për shkak të këtij shorti “fatkeq”, vetingu politik i Ramës ‎e qëroi atë nga sistemi. Të tjerë e kanë radhën pas tij dhe KED do të mbetet e “ngrirë” nga frika e vetingut, derisa KED të zëvendësohet në janar 2019 me një short të ri, të cilin Rama shpreson ta ketë të favorshëm atëhere. E pas kësaj, të zgjedhë gjyqtarët kushtetues që i duhen apo Inspektorin e Lartë të Drejtësisë që do ta ketë një lloj polici apo një “artamark” tjetër në sistemin e Drejtësisë për të shpëtuar atagjyqtarë e prokurorë që do e për të ndëshkuar ata që nuk do.

Deri më sot kemi parë magjistratë që kanë humbur vendin e punës për gjysëm apartamenti apo të tjerë ta kalojnë lumin për shumë më tepër se aq. Do vazhdojmë të shohim të tjera raste standarti të dyfishtë. Madje nga frika se po të konkurosh për ndonjë nga organet e Drejtesisë e ndërkohë të mos jesh favorit i Ramës, mund të të këpusë këmbët me prioritet vetingu, do të rrezikojmë të mos kemi më as ‎kandidatë për KLGJ, KLP, Gjykatë Kushtetuese, Gjykatë të Lartë, Prokuror të Përgjithshëm, Inspektor të Lartë Drejtesie apo SPAK. E kush është ai që do të prenotojë me prioritet pushimin nga puna?

Sa për ORMN-në e Drejtësisë (apo Oficinen e Riparimit të Mjetevë të Ndërtimit ) do hyjë në punë sa herë ngec makina e Reformës Politike në Drejtësi për ta vajisur e dhënë ndonjë dorë me ndonjë memo apo deklaratë, sa herë kapërcehet ndonjë afat apo duhet sajuar ndonjë nen kushtetues që nuk egziston.

Dhe ky është vetëm fillimi i Kolapsit në Drejtësi. Ditë më të këqia do vijnë për ata shqiptarë të thjeshtë që shpresojnë se mund t’i drejtohen gjykatës për të kundërshtuar ‎padrejtësitë e policëve, tatimorëve, inspektoriateve, agjencisë së pronave të Ramës. Ta harrojnë ata se mund të fitojnë drejtësi kur burimi i padrejtësisë është administrata e Ramës që kontrollon edhe filtrin e padrejtësive, Sistemin e Drejtësisë.

Login to post comments

Lajmet e fundit

‘Ajo që ndodhi të enjten, puç parlamentar’, Vokshi: Vutë grupin parlamentar mbi Gjykatën Kushtetuese

Politikë

‘Ajo që ndodhi të enjten, puç parlamentar’, Vokshi: Vutë grupin parlamentar mbi Gjykatën Kushtetuese

  Deputetja e Partisë Demokratike Albana Vokshi, ka deklaruar se me vendimin e marrë të enjten në Kuvend për mos dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të mandatit të Olta Xhaçkës, ka rënë...

Kalaja kallëzon në prokurori Ballën: SPAK t'i sekuestrojë telefonin dhe...

Politikë

Kalaja kallëzon në prokurori Ballën: SPAK t'i sekuestrojë telefonin dhe...

    Anëtarja e Komisionit të Apelimit në PD, Adriana Kalaja ka bërë një kallëzim penal për Taulant Ballën dhe individë të tjerë, të cilët sipas Kalasë kanë kryer shkelje nga më të rëndat...

Aksident në Santorini, humb jetën 29-vjeçari shqiptar

Kronikë

Aksident në Santorini, humb jetën 29-vjeçari shqiptar

  Një aksident rrugor ka ndodhur në ishullin grek të Santorinit, ku viktima është një 29-vjeçar me origjinë shqiptare. Sipas informacioneve të para, ngjarja ka ndodhur kur motori që drejtohej nga 29-vjeçari...