Partia Demokratike, denoncoi lidhjet dhe pazaret e fshehta të kryeministrit Edi Rama me kompaninë Fusha, e cila do të ngrejë kullat mbi truallin e Teatrit Kombëtar, bëri të ditur në morinë e fakteve se kjo kompani ishte ndërtuesja e shtëpisë bunker të kryeministrit Edi Rama në Surrel.
Në deklaratën e selisë blu thuhet :
"Pazaret e pista të Ramës me Fusha shpk nuk filluan sot dhe me këtë projektligj. Historiku i tyre është i pasur, por asnjëherë i hetuar nga organet e drejtësisë së kapur. Ishte kompania Fusha shpk që Edi Rama ngarkoi për të kryer në të zezë punimet për të shndërruar godinën e kryeministrisë në një mjedis luksi. Janë rreth 5 milionë euro që Fusha shpenzoi në favor të Edi Ramës tek kryeministria pa asnjë faturë, me para që askush nuk ia di burimin, ndërkohë që bizneseve të tjera u tregohet burgu dhe gjoba për mungesën e faturave.
Edi Rama nuk u tha kurrë shqiptarëve çfarë pazari bëri më Fusha shpk, kur ndërtoi shtëpinë superluksoze në Surrel, të deklaruar prej tij vetë se ka kushtuar 400 mijë euro.
Çdo punim për të cilin Edi Rama nuk ka paguar faturë, e kemi paguar ne të gjithë disa herë më shtrenjtë me favoret që i janë bërë më pas kompanisë Fusha shpk.
Në më pak se 4 vjet, kompania Fusha ka marrë 127 tendera publikë nga Edi Rama, me një vlerë rreth 80 milionë euro."