Deputeti i PD-së, Nard Ndoka ka komentuar debatin e Ministrit të Diasporës, Pandeli Majko me kryeministrin Edi Rama gjatë seancës parlamentare në lidhje me miratimin e projektligjit që i hap rrugë shembjes së godinës së Teatrit Kombëtar dhe ndërtimit të një ndërtese të re me 6 kulla nga kompania ‘Fusha sh.p.k.”
Në studion e emisionit “Politika Online” të gazetares Marsela Karapanço, Nard Ndoka e ka krahasuar Majkon me një qen të tredhur.
“Iku si një qen i tredhur me bisht ndër shalë. U largua nga Kuvendi i Shqipërisë, pa dhënë një deklaratë për arsyen e ikjes. Në fund të fundit ai është ministër, është politikan është ish-kryeministër. Mund të jepte një prononcim”, deklaroi Ndoka.
Sipas tij largimi nga Kuvendi nuk ishte gjë tjetër për Majkon, veçse një vetëvrasje politike. “Ai ka bërë vetëvrasje, do ishte më mirë që ai ta votonte njësoj si shokët se sa u përpoq të merrte rolin e protagonistit dhe përfundoi në një çalaman që nuk ka guximin nuk ka kurajo jo vetëm që të votojë kundër. Por nuk ka guximin të thotë dhe një fjalë publike”.