Dosja 'Shullazi'/ “Noj gjë serioze?”, zbardhet përgjimi i deputetit të PS-së me Gilmando Danin

E mërkurë, 22 August 2018 10:26

Pak ditë më parë u zbulua se deputeti i Partisë Socialiste, Jurgis Cyrbja është përgjuar duke folur në telefon me Gilmando Danin, një prej të dyshuarve si anëtar i grupit kriminal që sipas prokurorisë drejtohet nga Emiljano Shullazi.

Deputeti reagoi menjëherë duke pretenduar se këtë çështje e ka sqaruar në prokurori, por pa mohuar faktin që kishte biseduar në telefon me Danin.

News 24 zbardh detaje të reja, për mënyrën sesi ra në rrjetën e përgjimit ish-zyrtari i lartë i Hipotekës në Durrës dhe bisedat që zhvilloi me të pandehurin Dani.

Referuar dokumenteve rezulton se me vendimin nr.10 të datës 7 janar 2016, gjykata për Krime të Rënda autorizoi përgjimin e disa numrave telefonike, njëri prej të cilëve i përkiste Gilmando Danit, pasi kishte dyshime se ishte i përfshirë në aktivitet kriminal në fushën e gjobëvënies.

Dy prej bisedave të përgjuara rezulton se janë zhvilluar mes të pandehurit Dani dhe deputetit Cyrbja. Bisedat janë zhvilluar në muajin shkurt dhe janë transkriptuar në procesverbalin e datës 27 të po të njëjtit muaj me numrat rendor 409 dhe 411.

Bisedat janë zhvilluar brenda së njëjtës dite me diference të shkurtër kohore nga njëra-tjetra. Një njërën prej tyre Dani e pyet Cyrbjan, nëse kishte ndonjë gjë serioze andej nga puna e tij, pra në hipotekën e Durrësit, ku ai mbante postin e kryeregjistruesit.

Përpara bisedës, oficerët e policisë gjyqësore kishin sekuestruar praktikën e regjistrimit të ish-hotel Vollgës, në kuadër të një hetimi të çelur kryesisht.

Ja dialogu që zhvillohet mes tyre:

Dani: O vlla ça bane?

Çyrbja: Mirë, ça ban ti?

Dani: Me ta ba një pyetje kshu kot, ore ka noj gja ku ke punu ti apo si?

Çyrbja: Ëhë, ëhë

Dani: Noj gjë serioze?

Çyrbja: Jam rrugës, jam rrugës

Dani: E mirë ndonjë gjë serioze apo kshu?

Çyrbja: Emm, duket se po…

Biseda zhvillohet gjatë kohës kur deputeti është duke udhëtuar për tek vendi ku e pret Gilmando Dani, të cilit më herët i kishte kërkuar takim. Përgjimet ndodhen në prokurorinë për Krime të Rënda, e cila në fillim të shtatorit pritet të shpallë pretencën e saj për Emiljano Shullazin dhe të pandehurit e tjerë.

Modifikuar më E mërkurë, 22 August 2018 10:29
Login to post comments