Pas pak minutash pritet që të nisë në Vlorë mbledhja e qeverisë, ku të gjithë ministrat do të kenë një paraqitje të punëve të tyre në krye të dikastereve.
I pari që do të flasë pritet të jetë kryeministri Rama, nga i cili këto ditë priten dhe ndryshime të mëdha në radhët e kabinetit.
Me radhë në vilat qeveritare në Vlorë janë parë që të mbërrijnë sot makinat e një pjese të mirë të ministrave, ndërsa gazetarët mbahen larg rrethimit të vendit ku do të mbahet mbledhja.
Ajo që të bie në sy padyshim është prezenca e shtuar e forcave të sigurisë, duke ditur se gjithë ‘’kokat qeveritare” do të jenë sot në Vlorë.
Përveç ministrave në mbledhje pritet që të marrë pjesë dhe kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi, si dhe kreu i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla.
Edhe pse mund të ketë emra që mund të shkarkohen, gjithçka që do ndodhë me qeverinë Rama pritet të vuloset në Asamblenë që socialistët do të mbajnë në muajin shtator.
Zëra thonë se Rama pritet që të shtojë numrin e femrave në qeveri , duke vendosur kështu një rekord, jo vetëm për vendin tonë.
Po gjithçka ende mbetet në kuadrin e thashethemeve, pasi numri 1 i qeverisë na e ka vërtetuar se numrin e njerëzve me të cilët konsultohet për vendimet e tij e ka shumë të kufizuar, kështu që dhe burimet për mediat janë pothuajse zero.