Presidenti i Republikës, Ilir Meta i bashkohet zërave kundër ndryshimit të kufijve mes Kosovës e Serbisë. Meta ka reaguar për debatin mbi korrigjimin e kufijve mes Kosovës dhe Serbisë të nxitur nga Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi.
Në një intervistë për “Albanian Daily News” Meta ka deklaruar se dialogu Serbi-Kosovë është ndërtuar jo për të ndryshuar realitetin.
“Dialogu Serbi-Kosovë është për të udhëhequr procesin e pranimit të realitetit, në emër të paqes e stabilitetit. Çdo debat që ndihmon në kuptimin dhe pranimin e këtij realiteti është i mirëpritur. Çdo devijim nga ky realitet, përveçse provokon emocione dhe retorika populiste nuk sjell dobi.
Marrëveshja që mendohet të arrihet mes palëve është e rëndësishme të çlirojë energji pozitive. Marrëveshja të ndihmojë frymën e bashkëjetesës, harmonisë dhe të shërojë ndjenjën e urrejtjes të mbjellë nga e kaluara”, është shprehur Meta.
INTERVISTA
Zoti President, kohët e fundit është hapur një debat i madh mbi ndryshimin e kufijve mes Serbisë dhe Kosovës, debat në të cilin janë përfshirë politikanë vendas dhe të huaj dhe shumë analistë. Cili është qëndrimi juaj lidhur me këtë debat?
Dialogu Serbi-Kosovë është ndërtuar jo për të ndryshuar realitetin, por për të udhëhequr procesin e pranimit të tij, në emër të paqes e stabilitetit. Ai është parakusht për integrimin evropian të të dy vendeve.
Çdo diskutim dhe debat që ndihmon në kuptimin dhe pranimin e këtij realiteti është i mirëpritur. Çdo devijim nga ky realitet, përveçse provokon emocione dhe retorika populiste nuk sjell dobi.
Ballkani ka pësuar transformime të thella në dy dekadat e fundit në të cilat janë investuar seriozisht SHBA dhe BE-ja. Një nga investimet më të mëdha dhe të suksesshme ka qenë Pavarësia e Kosovës dhe në vijimësi vendosja e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë në dobi të normalizimit të marrëdhënieve dhe të stabilitetit, paqes dhe sigurisë afatgjate në rajon.
E kaluara historike e Ballkanit është fatkeqësisht e lidhur me ndryshime kufijsh, spastrim etnik dhe shpërngulje të dhunshme të popullsive të cilat janë shoqëruar me probleme të mëdha, armiqësi, luftëra e urrejtje.
Marrëveshja që mendohet të arrihet sot mes palëve është e rëndësishme të çlirojë energji pozitive, të ndihmojë frymën e bashkëjetesës dhe harmonisë dhe të shërojë ndjenjën e urrejtjes të mbjellë nga e kaluara dhe historia.
Ju mendoni se historia po përsëritet, ky proces duket se është i mirë koordinuar nga të dy palët?
Është jetike që jo vetëm të mos rikthehen më kurrë pamje të shpërnguljes ose lëvizjes me dhunë të familjeve, qofshin këto serbe apo shqiptare, por edhe asnjë familje e vetme nuk duhet të mendojë shpërnguljen për shkak të pasigurisë që sjell debati i ndryshimit të kufijve.
Cili është roli i Shqipërisë në këtë çështje të rëndësishme?
Shqipëria gjithmonë ka qenë dhe mbetet një mbështetëse e fortë e procesit të dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuar nga BE dhe mbështetur nga SHBA dhe përfundimi i këtij dialogu duhet ta bëjë rajonin më të qetë dhe qytetarët tanë më të sigurtë për të ardhmen e tyre.
Për Shqipërinë është i një rëndësie të veçantë respektimi i parimeve bazë të sanksionuar në Kartën e Helsinkit dhe të Parisit të OSBE për sigurinë në Europë, veçanërisht parimi i mos-ndryshimit të kufijve.
Çfarë fiton Serbia nga kjo marrëveshje?
Bashkimi Evropian me Strategjinë e re të zgjerimit për Ballkanin Perëndimor, u ka ofruar perspektivë të qartë integruese vendeve të këtij rajoni.
Unë besoj se përmes një marrëveshjeje me Kosovën Serbia fiton të ardhmen e saj evropiane, pasi dihet se marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë janë kusht i domosdoshëm dhe i pashmangshëm për çdo vend të rajonit, përfshirë dhe Serbinë.
Të mos harrojmë që në dokumentin hyrës të BE-së në janar të vitit 2014, kur u hapën negociatat me Serbinë theksohet se ky proces duhet të sigurojë që të dyja palët të ecin në rrugën e tyre evropiane, pa mundësinë që ta bllokojnë njëra-tjetrën në këtë përpjekje dhe kjo gradualisht duhet të çojë në një normalizim gjithëpërfshirës të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
BE-ja dhe SHBA janë garant që përfundimi i kësaj marrëveshjeje i siguron Serbisë rrugën e saj drejt integrimit në BE. Autoritetet e larta serbe kanë deklaruar shpesh se antarësimi i vendit të tyre në BE është shumë i rëndësishëm dhe janë angazhuar seriozisht në këtë proces. Shtoj se ky përfitim është në të mirë e dobi jo vetëm të Serbisë por edhe të serbëve që jetojnë në Kosovë, është në interes të të gjitha vendeve të rajonit.
Presidenti i Kosovës Thaçi ka deklaruar disa herë se ndryshimi i kufijve do të jetë në të mirë të të ardhmes së Kosovës?
Së pari do të uroja për Kosovën të kishim një bashkim forcash dhe energjish që promovojnë dhe mbështesin në unison interesin më të mirë të të gjithë qytetarëve të Kosovës.
Kam vënë re se Presidenti Thaçi ka përsëritur rëndësinë e integritetit territorial të Kosovës, rëndësinë e multietnicitetit të saj dhe rëndësinë e stabilitetit të rajonit. Këto janë parime shumë të rëndësishme të cilat garantojnë një proces të pakthyeshëm dhe të qëndrueshëm.
Si e shikoni ju të ardhmen e Kosovës?
Sovraniteti dhe integriteti territorial i Kosovës është realitet i njohur dhe i pranuar tashmë nga një shumicë bindëse e vendeve anëtare të OKB-së. Kosova është sot anëtare e shumë organizatave ndërkombëtare dhe rajonale.
Ajo është futur në një proces asociimi të Bashkimit Evropian dhe qytetarët e saj janë në pritje të lajmit të lëvizjes së lirë të qytetarëve të saj në vendet e Bashkimit Evropian.
Shqipëria është krenare që ka kontribuar në këto arritje të rëndësishme dhe mbetet e vendosur në angazhimin e saj për anëtarësimin e plotë të Kosovës në OKB dhe në BE.
Keni ndonjë koment ndaj intervistës së Ministrit Bushati?
Unë mbështes qëndrimin e qeverisë së Shqipërisë në përkrahje të përpjekjeve të qeverisë së Kosovës për ruajtjen e stabilitetit, integritetit territorial, karakterit multietnik të shtetit të Kosovës dhe garancive të rëndësishme ndërkombëtare, Plani Ahtisari e Vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të Hagës, i cili legjitimoi të përputhshëm me të Drejtën Ndërkombëtare Pavarësinë e Kosovës.
Bashkimi Evropian ka qenë deri tani jo shumë i qartë lidhur me çështjen e kufijve. Mendimi juaj zoti President?
Modeli dhe parimet e bashkëjetesës, harmonisë dhe paqes mes vendeve të Bashkimit Evropian është modeli i shkrirjes dhe zhdukjes së kufijve shtetërorë, veçanërisht atyre etnikë.
Kështu e shikoj edhe unë procesin e integrimit të rajonit tonë në BE: drejt bërjes të parëndësishëm të kufijve dhe jo drejt imponimit të kufijve të rinj.
Çdo tentativë për të imponuar modele të ndryshimit të kufijve, jo vetëm do të cenonte stabilitetin e rajonit por do të vinte në rrezik edhe frymën dhe parimet e BE-së për të cilat ajo është investuar nga themelimi i saj deri sot.
Më 30 shtator Qeveria Zaev do të organizojë referendumin lidhur me marrëveshjen e arritur me Greqinë për emrin e ardhshëm të saj, rezultati i të cilit është ende një dilemë. Sa i rëndësishëm është për Shqipërinë e rajonin ky rezultat?
Integrimi i rajonit në BE dhe në NATO është një proces i rëndësishëm dhe jetik për të ardhmen e tij. Maqedonia ndodhet në një moment shumë të rëndësishëm, të favorshëm dhe optimist, pas një periudhe të gjatë stanjacioni në marrëdhëniet me Greqinë, me Bashkimin Evropian dhe me NATO-n.
Pa asnjë mëdyshje ne kemi mbështetur dhe nxitur dialogun e drejtpërdrejtë mes Athinës e Shkupit me bindje të plotë se kjo është rruga më e mirë për të çuar përpara dhe për të gjetur zgjidhjen e duhur të procesit të tejzgjatur integrues të Maqedonisë.
Marrëveshja e arritur me Greqinë për emrin hap një perspektivë të re, është një hap pozitiv i Maqedonisë drejt anëtarësimit të saj në NATO, integrimit në BE dhe ndikon drejtpërdrejt në paqen, sigurinë dhe stabilitetin e rajonit tonë.
Faktori politik shqiptar në Maqedoni ka një rol të pazëvendësueshëm si në procesin e ndryshimeve të brendshme e kohezionit politik e social ashtu edhe në procesin euroatlantik të Maqedonisë.
Ai ka sërish mundësinë të rikonfirmojë qëndrimin e palëkundur të tij pro anëtarësimit të Maqedonisë në NATO dhe në BE duke u angazhuar seriozisht dhe me të gjitha energjitë për suksesin e këtij referendumi.
Suksesi i këtij referendumi është një fitore e forcave dhe frymës integruese, europianiste dhe euroatlantike kundrejt tendencave arkaike, anti-evropiane dhe anti-NATO jo vetëm në Maqedoni por në të gjithë rajonin tonë.
Ndaj besoj e njëkohësisht u bëj thirrje të gjithë shqiptarëve të Maqedonisë që të marrin pjesë në referendumin e datës 30 shtator dhe të votojnë pro marrëveshjes, për të çelur një kapitull të ri jo vetëm në dobi të integrimit të Maqedonisë, por edhe në të mirë të ardhmes së tyre në këtë vend.