Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, tha se caktimi i kandidatëve për zgjedhjet vendore do të kalojë përmes një procesi dhe do të jenë anëtarët e PD ata që do të vendosin.
Në emisionin ‘Fakt’, kreu i opozitës u shpreh se caktimi i emrave është i parakohshëm dhe sipas tij aspak i vlefshëm.
LSI e ka bërë të qartë se do të jetë në koalicion zgjedhor me Partinë Demokratike, në mos gaboj edhe nga PD kam lexuar të njëjtin qëndrim. Në media po qarkullojnë disa emra. Dashamir Shehi nuk e ka përgënjeshtruar, nuk e ka refuzuar kandidaturën, por ka thënë është herët ose me kismet… Ka qarkulluar emri i Jorida Tabakut, i Klajda Gjoshës. A ka Lulzim Basha të kristalizuar në kokën e tij një emër për Tiranën?
Është totalisht e parakohshme, mendoj aspak e vlefshme në këtë moment të hedhim në media emra ndërkohë që kemi shpallur një proces. Dhe që procesi të jetë serioz duhet që qytetarët, anëtarët e PD, faktorët e tjerë, të dëgjohen para se të merren vendimet të cilat do të respektojnë dhe do të përfaqësojnë konsensusin dhe unitetin rreth emrave në çdo bashki, natyrisht edhe për anëtarët e këshillave bashkiakë. Por, siç ju thashë në këtë aspekt, jemi realisht të parakohshëm. Procesi do të nisë dhe një gjë ju garantoj, që të paktën në procesin e përzgjedhjes së kandidaturave, Partia Demokratike do të jetë gati shumë më herët seç ka qenë në ndonjë palë zgjedhje të tjera në historinë e saj.