Në Shqipëri, viti i ri shkollor filloi me 150 shkolla më pak. Kjo statistikë do të shërbente si një moment përsiatjeje për një qeveri të arsyeshme, por me qeverinë Rama duket se po trumbetohet si arritje, si një triumf qeveritar. Por, tek kjo mbyllje masive e shkollave ashtu si në çdo zullum social dhe kulturor që po hasim, vërehet një haxhiqamilizëm, por e përzier me edvinizëm.
Mbyllja e 150 shkollave bart një frymë qeveritare, madje e nxitur prej saj, aq sa të bën të shtrosh pyetjen, po ky kryeministër, çfarë shkollimi ka dhe cili ishte raporti i tij me shkollën?
Edi Rama e ka nisur shkollën si nipi i Spiro Kolekës, ka përfunduar liceun si i biri i “berberit gur-gdhendës” të diktatorit Hoxha. Pra i gjithë shkollimi i tij nuk është një raport me dijen, por një raport fisnor dhe familjar, pra me pak fjalë njeriu që sot është kryeministër s’ka kaluar asnjë klasë, por i ka kapërcyer ato. Dëftesa e tij është një qokë për dajën, ajo e liceut një qokë për babin. Por, tek ky Ramë që s’është parë në bankë si nxënës, por si fëmijë i bllokut, nuk është mbrujtur thjesht personaliteti i një nxënësi të dobët, por është gdhendur prototipi i din-pakut, njeriut që ka alergji ndaj shkollës. Me këtë identikit dhe me një fiqir prej haxhiqamili, mbyllja e 150 shkollave s’ka si ti bëjë përshtypje. Përkundrazi, për të është një festë. Zija e vetme për të është mbyllja e 150 kazinove.