Në vend të fjalës në Kuvend/Rrugët që na bëjnë me teatër, pa korrupsion

E Enjte, 20 September 2018 18:13

Nga Hekuran Hoxhalli

Dora jonë do të vazhdojë të shtrihet drejt jush dhe s’keni parë gjë akoma, na tha Kryeministri në seancën e parë të kësaj Legjislature.

Ne që ishim deputetë për herë të parë, pavarësisht shpjegimeve të kolegëve me më shumë përvojë, e patëm një fije besimi se mund të kishte diçka të sinqertë në këtë deklarim.

Tani pas një viti, në këndvështrimin tim dalloj qartë se çfarë nënkuptoi kryeministri:

- Shpërdorim pa limit të buxhetit të shtetit:

- Koncesione pa garë: Porte, Aeroporte, Rrugë, Autostrada, koncesione të garantuara nga shteti në rast të mos realizimit të fitimit të parashikuar, d.m.th. borxhe për shqiptarët për sot dhe për brezat që vijnë.

- Taksa deri në kufijtë e diskriminimit për bizneset.

- ZERO subvencione për bujqësinë, zero mbështetje për fermerët, përjashtimisht disa paketa speciale për miqtë e qeverisë, për kultivarë të paregjistruar ligjërisht në katalogun zyrtar përkatës, por në asnjë rast për bujqit e vërtetë, për ata që rropaten dhe punojnë gjithë ditën tokën.

- Sot vijmë tek më e freskëta, por sigurisht jo e fundit: Grabitja me ligj e pronës publike në qendër të Tiranës, në zemër të Shqipërisë.

Kuvendi sot, pa opozitën, do të bëjë amendamente ose ndryshime të një ligji që nuk është më, që nuk ka qenë ndonjëherë, që nuk ekziston sepse u hodh poshtë me dekret nga presidenti, i cili u pranua edhe nga parlamenti.

Por, edhe sikur të ekzistonte, cilat janë këto amendamente, këto ndryshime që po i bën mazhoranca këtij gjoja-ligji?

Qeveria thotë: “Po hapim garën”.

A mund të jetë garë? A mund të jenë kushte të barabarta për ofertuesit, ndërkohë që me ligj i jepet avantazh atij operatori privat i cili zotëron pronë private në parcelën ndërtimore, që rastësisht është vetëm një???

BE-ja tha: Hapeni garën!

Që të hapet garë e barabartë, do të thotë t’i vesh në rresht ofertuesit, d.m.th. të shpronësosh privatët e parcelës ndërtimore dhe pastaj të vlerësosh ofertuesin më të mirë!

Nuk besoj se mund të ketë njeri, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në botë, që s’e ka kuptuar PSE nuk e bën Edi Rama këtë gjë!?

Ndërkohë që ka deklaruar se asnjë m2 truall pronë publike e Teatrit Kombëtar nuk preket, nuk përdoret për ndërtimet private, nga ana tjetër bëri dhjetë amendamente për t’i hedhur hi syve publikut se gjoja po dëgjonte rekomandimet e Komisionit Europian, pse nuk i bëri njëmbëdhjetë dhe të shtonte edhe një nen tjetër, ku në zbatim të Kushtetutës, të thuhej:

“Komisionit të vlerësimit i ndalohet me ligj të negociojë sipërfaqe të pronës publike”.

Po këtë ka mbetur njeri pa e kuptuar?

Pyetja që shtroj unë është: Çfarë nuk kemi parë akoma?

Përditë po ndiejmë në kurriz kërbaçin e qeverisë dhe po paguajmë haraçin e kamzhikut! A ka më?

Godina e Teatrit Kombëtar mund të bëhej edhe në mënyrë të ligjshme:

  • • Mund të ndërtohej me investim buxhetor (Kur kapanonin e bëtë teatër, pse teatrin nuk e bëni dot teatër?);
  • • Mund të ndërtohej duke tjetërsuar asete të tjera pronë shtetërore, pa prekur hapësirën publike në zemër të kryeqytetit;
  • • Mund të ndërtohej me donacione;
  • • Mund të ndërtohej me taksa nacionale apo lokale të dedikuara;

TË GJITHA KËTO RRUGË LIGJORE NA BËJNË ME TEATËR, PA KORRUPSION.

Nëse këtij modeli të pështirë korrupsioni nuk i themi dot NDAL tek Teatri Kombëtar, atëherë do të na mbijë përsëri tek Pallati i Kulturës, tek Galeria e Arteve, tek piramida, pse jo, edhe tek oborri i kryeministrisë apo tek parlamenti.

Edhe, të nderuar miq, ju siguroj se herën tjetër, ky model ka për të qenë më arrogant, më makut, më i neveritshëm dhe më i paskrupullt.

Login to post comments