Zëri i Amerikës: Xhisela Maloku me shenja dhune

Premte, 28 September 2018 18:22

Në Shqipëri ekspertiza mjeko ligjore e Xhisela Malokut, vajzës e cila kishte denoncuar për ushtrim dhune Rexhep Rrajën, djalin e deputetit socialist Rrahman Rrahja, ka zbuluar se ajo ka patur shenja djegie dhe goditje me mjete të forta

Përmbajtja e ekspertizës u bë publike sot nga televizioni “News 24”. Bie në sy fakti se ndonëse vajza i është nënshtruar ekspertizës ditën që ajo ka deklaruar se është keqtrajtuar nga ish i dashuri Rraja, në muajin korrik, rezultatet i kanë kaluar prokurorisë vetëm një ditë më parë, pasi mbi ngjarjen shpërthyen polemika nga denoncimi i një ish nënkomisari të policisë së Krujës Emiljano Nuho. Prokuroria e cila kishte nisur hetimet mbi rastin, thirri sot në pyetje të afërm të vajzës, e cila disa herë kishte bërë denoncim ndaj Rrajës por më pas e kishte tërhequr, për shkak të frikës, siç ka pohuar ajo vetë në dëshminë e bërë në Polici në muajin korrik.

Ndërkohë, Shërbimi i Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave në Ministrinë e Brendshme ka nisur një hetim lidhur me veprimet e policisë në disa komisariate ku sipas Xhisela Malokut nuk kanë pranuar të marrin denoncimet e saj, si dhe rreth deklarimeve të ish nënkomisarit Nuho se ai është kërcënuar në mjediset e komisariatit për të mos arrestuar djalin e deputetit socialist.

Login to post comments