Deputeti i PD, Enkelejd Alibeaj ka thënë se përfaqësuesit e shtetit janë të zhytur në krim. I ftuar në rubrikën ‘Opinion’, Alibeaj ka komentuar versionet e kunatit të Albert Veliut, Fredi Alizoti në lidhje me çështjen e audio përgjimit që pretendohet se shfaqet vëllai i ministrit Fatmir Xhafaj në trafik droge.
Pavarësisht se Prokuroria pretendon se zëri në audio përgjim është i Fredi Alizotit dhe jo i Agron Xhafës, deputeti i PD ka hedhur akuza edhe në drejtim të kryeprokurores Arta Marku.
“Përfaqësues të shtetit janë zhytur në krim. Pra ka dy versione të Fredi Alizotit në këtë histori. Historia nuk fillon tek Alizoti por nis kur doli video përgjimi i Albert Veliut që tregoi trafikun e drogës të vëllait të ministrit Xhafaj. Xhafaj duhet t’i nënshtrohej ligjit anti-mafia. Alternativa tjetër është të shkatërronte sistemin dhe të krijonte alibi. Qeveria krijon alibi përmes Prokurorisë. Arta Marku është celulë kriminale e PS. Ekspertiza britanike ka thënë se zëri është i ngjashëm me atë të Agron Xhafajt. Ata e kanë çuar materialin për ekspertizë me cilësi të dobët”- tha Alibeaj.
Deputeti i PD, Enkelejd Albeaj tha se Qeveria ka dërguar Ardi Veliun dhe Taulant Ballën për presion ndaj Alizotit.
“Ata kanë çuar drejtorin e përgjithshëm të policisë, Ardi Veliu dhe Taulant Ballën, i cili del kudo për presion ndaj Alizotit. Balla figura kryesore e krimit në qeveri. Këta joshën Alizotin me para duke ia servirur Prokurorisë. Rama pranoi që ka krijuar prova për këtë çështje. Prokuroria kishte në dorë vetem një provë. Pra vetëm Alizotin që akuzon për kallëzim të rremë. Rama tha se kam krijuar një strukturë private që të më bindin. E bëra tha unë ekspertizën. Nuk ishte zëri i Xhafajt tha Rama. Ekspertiza britanike tregon se zëri është i ngjashëm me zërin e Agron Xhafës.”- tha Alibeaj. BW