Vetëm pak orë pas fjalës së kryetarit të Komisionit të Ekonomisë, Erion Braçe, i cili thirri sot në një interpelancë ministrin e Financave dhe të Ekonomisë, Arben Ahmetaj për ligjshmërinë fiskale të Federatës Shqiptare të Futbollit, ka ardhur reagimi i institucionit që drejton futbollin në vend. Nëpërmjet një komunikate për shtyp FSHF, sqaron se një deputet tifoz nuk mund të trembi me kërcënime një inistitucion që funksionon sipas ligjeve.
“FSHF si gjithmonë, ndjek me vemendje të posaçme, çdo zhvillim parlamentar dhe jashtë tij, që ka të bëjë me mirëfunksionimin dhe imazhin e saj. FSHF, ashtu sikurse edhe UEFA dhe FIFA është veçanërisht sensitive, sidomos kur shikon tendenca nga ligjvënës, edhe pse të veçuar, që synojnë në thelb të cënojnë standardet ndërkombëtare të vendosura me kohë në këtë organizatë, dhe pavarësinë e saj nga politika. Sot, fatkeqësisht, si edhe disa herë të tjera, në mënyrë të përsëritur nga i njëjti deputet, por fatmirësisht për reputacionin e parlamentit shqiptar, i vetmi që në parlament sillet si tifoz i një ekipi, dhe në shkallët e stadiumit si ligjvënës, pamë jo vetëm gjuhë ofenduese, por edhe kërcënuese, që në subkoshiencë fshehin ëndrrën e vjetër të nje segmenti të caktuar të politikës për të pushtuar me dhunë FSHF-në.
FSHF jo vetëm garanton transparencën e saj përballë organizmave ndaj të cilave është e detyruar në bazë të rregullave t’i përgjigjet, por inkurajon gjithashtu punën e çdo institucioni shtetëror, apo qoftë dhe individi me pushtet, që në themel ka mirëfunksionim e kësaj organizate dhe jo ngritjen e ndonjë flamuri politik në ballkonet e saj. Duke ritheksuar besimin tonë tek institucionet e shtetit, nënvizojmë edhe njëherë se mesazhet e dala nga zëra të veçuar të politikës që baltosin jo vetëm imazhin e FSHF-së por edhe të UEFA-s do të përcillen dhe ndahen me të gjithë partnerët tanë në FIFA dhe UEFA”, shkruhet në komunikatën e FSHF-së.