Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Zhdukjes së Varfërisë, Presidenti i Republikës, Ilir Meta vizitoi fabrikën “City Tex”, një biznes social të suksesshëm, ku janë punësuar mbi 100 vajza dhe gra të zonës së Mulletit dhe Petrelës.
Gjatë fjalës se tij Presidenti vlerësoi se : “Lufta kundër varfërisë, nuk zgjidhet as me një thes me miell. Natyrisht çdo kontribut, çdo bamirësi është pozitive, por rruga e sigurt dhe e qëndrueshme është rruga e integrimit në tregun e punës”.
Ja njoftimi i plotë i zyrës së shtypit të Presidentit të Republikës
Presidenti Meta viziton një biznes social në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Zhdukjes së Varfërisë
Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Zhdukjes së Varfërisë, Presidenti i Republikës, Ilir Meta vizitoi fabrikën “City Tex”, një biznes social të suksesshëm, ku janë punësuar mbi 100 vajza dhe gra të zonës së Mulletit dhe Petrelës, i shoqëruar nga Shkëlzen Marku i Fondacionit “Yunus Social Business Albania” dhe nga përfaqësues të Ambasadës së SHBA dhe të USAID-it.
Tematika e Organizatës së Kombeve të Bashkuara e shpallur për vitin 2018 me rastin e kësaj dite të rëndësishme, është: “Të gjithë së bashku për të ndërtuar një botë gjithëpërfshirëse të respektit universal për dinjitetin dhe të drejtat e njeriut”.
Në këtë kontekst, gjatë vizitës në fabrikën “City Tex”, Presidenti Meta vuri në dukje se Dita Ndërkombëtare për Zhdukjen e Varfërisë duhet të na shërbejë si një reflektim dhe “kambanë alarmi” për të gjithë, për më shumë përpjekje në luftën kundër kësaj plage të madhe të njerëzimit dhe shoqërisë tonë moderne.
“Edhe më parë kam mbështetur këtë lloj aktiviteti, për shkak se është një mundësi shumë e mirë për të integruar gratë dhe vajzat në tregun e punës. Ndaj dhe jam sot këtu te ky biznes social i mrekullueshëm, që po jep kontribut për të luftuar varfërinë, për të integruar gratë dhe vajzat në tregun e punës si dhe për të siguruar të ardhura të qëndrueshme për dhjetra familje”, - tha Presidenti Meta.
Gjatë fjalës së mbajtur, ai theksoi se mbështetja e këtij sektori është zgjidhje për të luftuar varfërinë dhe për t’i larguar shqiptarët nga veset e këqija.
“Duhet të mendojmë të gjithë në këtë drejtim, që të kemi një shoqëri më të shëndetshme. Nuk mund të jetë zgjidhje as nxitja e kanabisit apo forma e “aventura” të tilla, që e dimë se sa shumë i kanë kushtuar vendit dhe familjeve shqiptare. Janë mijëra njerëz që janë nëpër burgje, strese pa fund, e shkatërrime familjesh që ka prodhura ky fenomen. As bastet nuk janë zgjidhje për të shpëtuar nga varfëria, por vetëm puna e qëndrueshme, me standarde, me përgjegjshmëri të tillë sociale që ne duhet ta nxisim më shumë duke motivuar dhe duke mbështetur ata investitorë të cilët e tregojnë këtë me shembuj konkretë
Lufta kundër varfërisë, nuk zgjidhet as me një thes me miell. Natyrisht çdo kontribut, çdo bamirësi është pozitive, por rruga e sigurtë dhe e qëndrueshme është rruga e integrimit në tregun e punës.
Kjo është e vetmja rrugë që secili të ketë një jetë të qetë, një jetë të sigurtë dhe të kontribuojë për zhvillimin ekonomik të familjes së tij dhe komunitetit ku bën pjesë.
E ardhmja e Shqipërisë janë këto aktivitete, janë shërbimet, por në mënyrë të veçantë janë turizmi, bujqësia dhe agro-turizmi”- theksoi Presidenti i Republikës.
Ndër të tjera, Presidenti Meta falënderoi mbështetjen e USAID për këtë biznes, që siç tha ai duhet të kthehet në një model motivues për shoqërinë shqiptare.
“Gëzohem shumë që shoh shumë vajza të reja këtu dhe kjo është një tregues shumë i mirë dhe shumë pozitiv. Falënderoj USAID-in dhe qeverinë amerikane për ndihmën dhe mbështetjen që i jep këtij biznesi social dhe duhet të bëjmë çdo gjë që edhe ne të kontribuojmë më shumë për t’i shumëfishuar këto lloj biznese, për t’i bërë një model udhëheqës dhe motivues për gjithë shoqërinë mënyrë që të mos respektohet më ai që është më i fortë, ai që është më i parregullt, ai që shkel rregullat e lojës, por në këtë shoqëri duhet të respektohen njerëzit që sjellin vlera, njerëzit që tregojnë kujdes për ata që janë më në vështirësi, që u japin dorën, që i integrojnë dhe që i ndihmojnë të ecin vetë në jetë me mundësitë e tyre dhe me dinjitetin e tyre”, - u shpreh Presidenti i Republikës.