Nga Ilir Nikolla
Kryeministri e shpalli me votim se të enjten tjetër do kalojë ligjin për ndalimin e lojërave të fatit. Pse nuk ka kohë Edi Rama dhe e kërkon gjithçka me ngut, edhe pse gjithsesi efektet e ligjit do të hyjnë në fuqi vitin tjetër? Arsyet nuk janë fare procedurale, por shpjegohen vetëm politikisht.
Përveç krizës së rëndë politike në vend, shkaktuar nga ngecja e ekonomisë dhe përfshirja masive e krimit në vendimmarrjen e qeverisë, Edi Rama ka detyrën e vështirë te shmangies së debatit të ditës nga paudhësitë e Taulant Ballës dhe “grupit politik të Fushë-Krujës”. Për këtë operacion janë planifikuar edhe kosto, prandaj rasti i skadimit të afatit 3-vjeçar për transferimin e lojërave të fatit në periferi, ishte një rast i mirë që, edhe operacioni i monopolizimit të kazinove në dobi të Familjes të merrte fund, edhe debati të zhvendoset drejt të tjerë biznesmenësh që do shpronësohen (në këtë rast, kazinotë autonome).
Konsensusi mbarëpopullor për kufizimin e bixhozit është aleati më i mirë i Ramës në kufizimin e kostos politike të operacionit, por leksioni i 2015-s flet edhe për probleme. Tarafe të rëndësishme politike brenda PS kanë interes të dorës së parë në industrinë e bixhozit, ndërkohë që një problem tjetër, i dorës së dytë për Ramën, ai i të papunëve të rinj, duhet konsideruar gjithsesi.
Prandaj, kirurgjia e shpejtë është përcaktuar si metoda më e mirë për të shmangur vëmendjen e opinionit nga “viktima” sakrifikale Taulant Balla dhe për të qetësuar partnerët e Familjes në monopolin e kazinove online.
Kjo logjikë e shtyu Ramën, që fiks me gojën e “viktimës sakrifikale” të kërkojë dhe të arrijë bastin me koeficient të lartë të miratimit të ndalimit të kazinove brenda javës. Arsyetimi është krejt infantil, shpresa se interesat e kazinove jashtë Familjes nuk do munden ta arrijnë një pakicë bllokuese në një kohë kaq të shkurtër, është fluturake. Në 2015-n, fajtori u gjet tek aleati i LSI, çka s’u verifikua asnjëherë, dhe me të njëjtin arsyetim mendohet se në 2018-n, partia do të qëndrojë e pastër dhe njëshkolonë pas Familjes së Edi Ramës.
Nën paranojën se koha punon kundër tij, kryeministri e ka bërë bastin e dyfishtë, edhe me rezultat, edhe me maturim kohor. Por puna është se kazinotë nuk ia zgjidhin përfundimisht hallin e përqafimit vdekjeprurës që ka me krimin, e cila me “Taulantin e Librazhdit” është zbuluar edhe faqe botës, por rrezikojnë që ta kthejnë mazhorancën e tij me maturim njëjavor, pasi të enjten tjetër mund të formalizojnë pakicën bllokuese në parlament.